Saturday, November 9, 2024
HomeBotaPse vaksinat ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për ta mposhtur pandeminë?

Pse vaksinat ekzistuese nuk janë të mjaftueshme për ta mposhtur pandeminë?

Një studim, që është kryer në 28 shtete ku ishin të përfshirë 77 ekspertë botërorë, virologë, infektologë dhe epidemiologë, gjeti se ka mundësi që vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 mund të bëhen “joefektive” brenda një viti, për shkak të mutacioneve që po pëson koronavirusi i ri.

Dy e treta e këtyre ekspertëve, që morën pjesë në këtë studim, thanë se njerëzimi ka në dispozicion “një vit ose më pak përpara se gjenerata e parë e vaksinave të bëhet joefektive dhe vaksina të reja apo këto që janë, do të duhet të modifikohen”. Ndërsa vetëm një në tetë ekspertë tha se beson se mutacionet e virusit kurrë nuk do të kenë një ndikim të atillë sa që do t’i bënte të paefektshme vaksinat ekzistuese.

Ky studim u publikua më 30 mars nga The People’s Vaccine Aliance (Aleanca e Vaksinave të Njerëzve), një koalicion ndërkombëtar ku bëjnë pjesë mbi 50 organizata përfshirë edhe Unionin Afrikan, Oxfam (organizata globale kundër varfërisë) dhe UNAIDS (Programi i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS) e cila bën fushatë për qasje të barabartë botërore në vaksinat kundër COVID-19.

Shumica e ekspertëve, pothuajse 90 për qind e tyre, thanë se qasja e ulët në vaksina në shumë shtete, ka të ngjarë që të rrisë mundësinë për shfaqjen e mutacioneve rezistente. Aleanca e Vaksinave të Njerëzve ka paralajmëruar se, në bazë të shkallës aktuale të programeve globale të vaksinimit, në shumicën e vendeve të varfra, vetëm 10 për qind e njerëzve do të vaksinohen vitin e ardhshëm.

Një shkallë kaq e ulët e vaksinimit masiv do të krijojë kushte për shfaqjen e varianteve të reja të virusit, që mund të jenë rezistente ndaj vaksinave ekzistuese.

Politika, ekonomia dhe variantet e reja të virusit

Kjo aleancë po ashtu ka bërë thirrje që të hiqen monopolet e kompanive farmaceutike dhe që këto kompani të ndajnë teknologjinë e tyre përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në mënyrë që të rritet prodhimi dhe mundësohet një qasje më e madhe në vaksina.

“Sa më shumë që të qarkullojë virusi, aq më të mëdha janë gjasat që të shfaqen variante të reja, të cilat mund të bëjnë që vaksinat ekzistuese të mos jenë më efikase. Në të njëjtën kohë, shtetet e varfra janë lënë prapa, pa vaksina dhe pa furnizime bazike shëndetësore, siç është furnizimi me oksigjen”, thotë Devi Sridhar, profesoreshë e shëndetit publik në Universitetin e Ediburgut.

“Siç kemi mësuar, virusi nuk njeh kufij. Ne duhet të vaksinojmë sa më shumë njerëz që mundemi, në gjithë botën, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ajo.

Pavarësisht se nuk dha një afat kohor, Gregg Gonsalves, profesor i Epidemiologjisë në Universitetin Yale, theksoi urgjencën e vaksinimit global.

Sipas një raporti medial, të publikuar në ueb-faqen e Oxfam-it, Gosalves citohet të ketë thënë:

“Me miliona njerëz në gjithë botën të infektuar me virusin, mutacionet e reja po shfaqen çdo ditë. Ndonjëherë (variantet e reja) gjejnë një vend të ri, që i bën më të fuqishëm se vendi paraprak. Këto variante ‘me fat’ mund të jenë më efektive në transmetim dhe potencialisht shmangien e një përgjigjeje imune ndaj llojeve paraprake (të virusit). Nëse nuk i vaksinojmë njerëzit në gjithë botën, gjithmonë do të ketë shteg të hapur për paraqitjen e varianteve të reja. Këto variante të reja, gjithashtu mund të jenë variante që vaksinat ekzistuese nuk kanë efekt ndaj tyre dhe duhet që të rriten dozat, me qëllim që të krijohet efektivitet”.

“Që të gjithë ne kemi interes personal që të sigurohemi që të gjithë në mbarë botën, pavarësisht se ku jetojnë, të kenë qasje në vaksinat kundër COVID-19. Virusi nuk i respekton kufijtë dhe variantet e reja që janë në botë nënkuptojnë se asnjëri nga ne nuk jemi të sigurt”, shtoi Gosalves.

Hulumtimi tregon se siguria e të gjithë qytetarëve të botës është një domosdoshmëri dhe njerëzit në shtetet në zhvillim duhet të vaksinohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Pabarazitë në botë sa i përket vaksinimit, sipas hulumtimit, shpërfaqin rrezik që të ketë mutacione të reja të virusit.

Pavarësisht kësaj nevoje për qasje të barabartë në vaksina, shtetet e pasura kanë krijuar monopol të gjigantëve farmaceutikë, që do të thotë se furnizimet globale po ruhen në mënyrë artificiale dhe disa kompani po vendosin se kush do të jetojë dhe kush do të vdes, thonë ekspertët që morën pjesë në këtë studim.

Në fillim të marsit, shtetet e pasura bllokuan një propozim që të hiqeshin ndalesat mbi të drejtat intelektuale për vaksinat kundër COVID-19. Aleanca e Vaksinave të Njerëzve u ka bërë thirrje këtyre kompanive që ta shqyrtojnë vendimin e tyre gjatë takimeve që do të mbahen në prill për këtë qëllim në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Marrëveshje për ta eliminuar hendekun

Ndërkohë, mbi 20 liderë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë bërë thirrje për një marrëveshje botërore për pandeminë, që do të ndihmonte që bota të bashkëpunonte më mirë në pandemitë e ardhshme, duke bashkëpunuar më ngushtë dhe duke tejkaluar nacionalizmin dhe izolimin. Ata e kanë pranuar se mekanizmat ekzistues nuk janë të mjaftueshme për t’u përballur me kriza të mëdha shëndetësore.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është thënë se është sigurimi që informacioni, patogjenët viralë, teknologjia pandemike dhe produktet, të tilla si vaksinat, të ndahen më shpejt dhe në mënyrë të barabartë midis shteteve në mbarë botën.

“Koha për të vepruar është tani. Bota nuk mund ta përballojë që të presë derisa të mbarojë pandemia dhe të fillojë planifikimin për një pandemi tjetër”, tha për mediat më 29 mars, shefi i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus.

Deri më tani, disa vaksina kundër sëmundjes COVID-19 janë zhvilluar, testuar si dhe miratuar për përdorim emergjentë. Tri vaksinat që aktualisht përdoren në perëndim – Moderna, Pfizer/BionTech dhe AstraZeneca/Oxford – kryesisht prodhohen në Shtetet e Bashkuara, Britani të Madhe ose në Bashkimin Evropian, ndërkaq Kina dhe Rusia kanë zhvilluar po ashtu vaksinat e tyre.

Koha është thelbësore kur bëhet fjalë për imunizimin që shpëton jetë, thanë ekspertët. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, deri më 7 prill, në botë janë regjistruar mbi 132 milionë raste me COVID-19 dhe mbi 2.8 milionë viktima.

Shfaqja e varianteve më ngjitëse (dhe në disa raste dhe më vdekjeprurëse) në mesin e vitit 2020 bëri që vaksinimi i sa më shumë njerëzve të shndërrohej në një temë të nxehtë.

Prodhuesit e vaksinave tashmë kanë njoftuar se po zhvillojnë rritjen e dozave të tyre, në mënyrë që të luftohen variantet e reja të COVID-19 që janë bërë edhe më dominues, veçanërisht variantet që janë paraqitur fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar, Afrikë të Jugut dhe Brazil.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Shpallje të pavlefshme

Shpallje të pavlefshme

Recent Comments