Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se më 22 tetor 2026, Kryeprokurorja e kësaj Prokurorie ka pranuar një parashtresë nga tani e ndjera A.Z., përmes së cilës ka kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, për shkak të pretendimeve për dështime në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rasteve të saj, përfshirë edhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent, me qëllim të vlerësimit të pretendimeve në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në komunikatë.
Sipas Prokurorisë, parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent autoriteteve përkatëse institucionale, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën për shqyrtimin e pretendimeve dhe verifikimin e lëshimeve eventuale apo veprimeve të zyrtarëve përkatës, brenda përgjegjësive të tyre institucionale.
Lidhur me kërkesën e viktimës për ekzekutimin e vendimit gjyqësor që kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria njofton se ekzekutimi i këtij vendimi është mundësuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë thekson se rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura në parashtresën e viktimës dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet përkatëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore dhe kompetencat përkatëse.

