Tuesday, May 7, 2024
HomeLajmeShqiptarët në Luginë, Arifi: I zhgënjyer nga Tirana dhe Prishtina, po të...

Shqiptarët në Luginë, Arifi: I zhgënjyer nga Tirana dhe Prishtina, po të mos ishte BE, do të plotësohej dëshira e Vuçiçit

Censusi i zhvilluar në Serbi, gjatë muajit të fundit, për drejtuesit e institucioneve lokale në Luginën e Preshevës ishte sukses. “Ne kemi pasur qëllim që të kalonim mbi 120 mijë shqiptarë në Luginë të Preshevës dhe numri i të regjistruarve është 120 mijë. Do ta shohim në analizat e mëtejshme”, thotë për A2 CNN Shqiprim Arifi, kryetari i Komunës së Preshevës.

“Në komunën e Preshevës ku 99% janë shqiptarë, kemi 60 mijë shqiptarë, një numër i suksesit të regjistrimit, i cili rezulton nga ajo që i kemi motivuar tejmase shqiptarët gjithandej që të marrin pjesë në regjistrim. Në Bujanoc kemi një gjendje pak më ndryshe, do të shohim aty po presim sa janë shifrat saktë. Kurse në Medvegjë jemi të zhgënjyer tepër sepse aty, qeveria serbe, përmes Ministrisë së Brendshme, ka bërë shtypje në vazhdimësi te shqiptarët që të mos regjistrohen. Kështu që aty kemi pak disbalancë të madhe e cila është rezultat i politikave të pasivizimit të shqiptarëve prej 10 vitesh”.

Arifi thotë se përpjekjet e Serbisë për të pakësuar numrin e shqiptarëve rezultuan të pasuksesshme, për shkak se procesi mbikëqyrej nga Bashkimi Europian. “Unë besoj shumë që Bashkimi Europian e mbikëqyr këtë proces shumë mirë, sepse ndonjë ndërhyrje në këto të dhëna nënkupton edhe ballafaqim edhe me të dhënat tona, sepse ne i kemi edhe të dhënat paralelisht të verifikuara. Kështu që atëherë hyjmë në një situatë nuk besoj se i leverdis as Serbisë dhe as Bashkimit Europian. Për shkak se kemi pasur besim te Bashkimi Europian kemi qenë kaq shumë të angazhuar në fushatë, që ta përkrahim censusin, sepse po të mos ishte, do të kishim qenë të dështuar që në start nëse do të ishim marrë me Serbinë. Po e shihni, deklarata e Presidentit Vuçiç është deklaratë nonsens, e cila i përket më shumë paramendimeve dhe imagjinatës së tij, siç ka dëshirë, sepse në 10 vitet e fundit në politikë ai ka pasur dëshirë që numri i shqiptarëve të zvogëlohet dhe jo të rritet. Kështu që në këtë drejtim, unë do të pres, ne po presim se çfarë do të ndodhë, edhe me marrëveshjen me Kosovën dhe si do të vazhdojë.

Arifi thotë se rezultatet e censusit do të ndihmojnë Kosovën në negociatat me Serbinë. “Tani Serbia është nën presion të vetin pikësëpari, por edhe nga ndërkombëtarët, që të plotësojë kërkesat tona në mënyrë më cilësorë dhe më të shpejtë. Censusi ka treguar se shqiptarët dinë të rezistojnë, të organizohen dhe të tregojnë patriotizmin e tyre aty ku duhet, pra në këtë moment, që ishte regjistrimi. Me këtë e kemi luftuar shumë fuqishëm procesin e pasivizimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kemi luftuar shumë fuqishëm neglizhencën e Bashkimit Europian kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që nuk po lejojnë që të bëhet një paralelizëm me serbët në Kosovë”.

Kreu i Komunës së Preshevës shprehet i zhgënjyer me autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë, për mungesën e mbështetjes që i kanë dhënë bashkëkombësve të tyre gjatë këtij procesi. “Bashkimi Europian, që në fillim të procesit, në krahasim me qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë, ka qenë mbështetës haptazi për shqiptarët, për të marrë pjesë në regjistrim. Ne nuk kemi ankesa kundrejt faktorit ndërkombëtar, përkundrazi, dua t’i falënderoj, pikë së pari çdo shqiptar që ka marrë pjesë në regjistrim, ama edhe faktorin ndërkombëtar që na ka mbështetur në këtë proces. Ne nuk kemi aty pikë kritike, ne do të shohim si do të zhvillohet në vazhdimësi”, thotë ai.

“Pikë kritike më shumë kam pasur ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët në asnjë moment nuk janë interesuar për ta ngritur motivacionin e shqiptarëve për të marrë pjesë në regjistrim. Në Kosovë janë investuar 400-500 milionë dollarë në 20 vitet e fundit te serbët nga qeveria serbe, kurse te ne janë investuar deri tani përafërsisht 700 mijë euro dhe presim që edhe 2 milionë euro mund të na vijnë. Pra nëse ndokush mburret në Shqipëri se e kemi ndihmuar Luginën me 2 milionë e ca euro, në krahasim me 400-500 milionë dollarë të Serbisë në Kosovë, ai vetëm mashtron veten dhe mundohet të na fyejë inteligjencën”.

“Kurse Shqipëria është e vërtetë, për fatkeqësi, unë jam i çuditur dhe i befasuar, si ka mundur një muaj, i gjithë tetori, të kalojë me një proces shumë të rëndësishëm për shqiptarët në përgjithësi, por edhe në veçanti për ata që jetojnë këtu në Luginën e Preshevës dhe në asnjë moment pra, hiç, zero, asnjë status në mediat sociale, as një “videomessage”, asnjë mbështetje, asnjë telefonatë, asgjë tjetër, të mos vijë në këtë kohë. Jam tej mase i befasuar, për të qenë diplomatik. Ne kemi pasur Serbinë kundër nesh, Kosovën dhe Shqipërinë neglizhente dhe qytetarët te ne, edhe një herë ta kuptoni, keni bërë një supervepër që keni marrë pjesë kaq masiv, edhe pse Shqipëria dhe Kosova na kanë neglizhuar dhe Serbia na ka luftuar në këtë proces

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments