Monday, October 26, 2026
HomeLajmeKosovaShiroka-Pula reagon për vrasjen e Arlinda Zekajt: Mbrojtja e jetës së grave...

Shiroka-Pula reagon për vrasjen e Arlinda Zekajt: Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm

Presidentja e vendit, Justina Shiroka-Pula, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.

Në reagimin e saj, Shiroka-Pula ka theksuar se organet kompetente duhet të hetojnë jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar kërkesat e viktimës dhe nëse kanë përmbushur detyrimin ligjor për ta mbrojtur atë.

Ajo ka kërkuar që të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe garantimin e sigurisë së viktimës.

“Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, ka theksuar presidentja.

Shiroka-Pula u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojnë me urgjencë, profesionalizëm dhe paanshmëri, në mënyrë që të gjitha rrethanat e rastit të hetohen dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ajo ka nënvizuar se asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet shtetërore, duke kërkuar përgjigje të qarta për çdo dyshim lidhur me dështimin e mundshëm institucional.

Në fund të reagimit, presidentja u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të afërmve të saj.

“Mbrojtja e jetës së grave është detyrim i panegociueshëm, ndaj nuk ka kompromis kur ajo vihet në rrezik”, ka përfunduar Shiroka-Pula.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments