Thursday, April 18, 2024
HomeBotaShBA-ja e Rusia përplasen për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit

ShBA-ja e Rusia përplasen për Ukrainën në Këshillin e Sigurimit

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë patën përleshje të ashpër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pasi ShBA-ja e thirri takimin për të diskutuar rreth grumbullimit të trupave ruse afër kufirit të Ukrainës.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se ky mobilizim është më i madhi që Evropa ka parë me dekada, shkruan BBC.

Në anën tjetër, homologu i saj rus i akuzoi Shtetet e Bashkuara për nxitje të histerisë dhe ndërhyrje të papranueshme në çështjet e Rusisë.

ShBA-ja dhe Britania e Madhe kanë premtuar sanksione shtesë, nëse Rusia e pushton Ukrainën. Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, tha se është duke u përgatitur legjislacioni me të cilin do të vihen në shënjestër një grup më i gjerë i bizneseve dhe individëve të afërt me Kremlinin.

Në takimin e së hënës në Këshillin e Sigurimit, ambasadori rus, Vasily Nebenzya, tha se nuk ka dëshmi që vendi i tij është duke planifikuar veprim ushtarak kundër Ukrainës dhe se grumbullimi i trupave ruse nuk është konfirmuar nga OKB-ja.

“Kjo nuk është vetëm ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të shtetit tonë, është gjithashtu një përpjekje për ta hutuar komunitetin ndërkombëtar rreth situatës së vërtetë në rajon dhe për arsyet e tensioneve të tanishme globale”, tha ai.

Në anën tjetër, ambasadorja amerikane, Thomas-Greenfield, tha se ShBA-ja vazhdon të besojë se ka zgjidhje diplomatike për krizën, por paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të vepronin me vendosmëri, nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën.

“Ky është mobilizimi më i madh i trupave në Evropë me dekada dhe, përderisa po flasim, Rusia është duke dërguar edhe më shumë forca dhe armë për t’iu bashkuar atyre”, tha ajo.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments