Saturday, April 20, 2024
HomeLajmeKosovaPersonat që aplikuan si viktima të UÇK-së në Speciale: 5 jetojnë në...

Personat që aplikuan si viktima të UÇK-së në Speciale: 5 jetojnë në Kosovë, 9 në Serbi dhe 3 në diasporë

Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në Gjykatën Speciale ka dhënë detaje shtesë për personat të cilët kanë aplikuar për këtë status në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë. Kjo zyrë, i ka dërguar gjykatës një raport të hollësishëm mbi veprimet që ka ndërmarrë për evidentimin e kredibilitetit të aplikacioneve si dhe veçorive të tjera të aplikantëve.

 

16 persona të cilët kanë aplikuar për statusin e viktimës në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë janë kontaktuar nga Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale. Kontaktimi i tyre, sipas arsyetimit është bërë me qëllimin e evitimit të konfliktit të interesit në rast se të gjitha viktimat pjesëmarrëse do të  mblidhen në një grup, shkruan lajmi.net.

Një veprim i tillë i Zyrës është bërë për shkak se Gjykatësi Paraprak ka konstatuar se klasifikimi në dy apo më shumë grupe duhet të bëhet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, dhe shumë të ndryshme mes aplikantëve.

Kësisoj, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në Gjykim, ka bërë ndarjen e veçorive të aplikantëve, duke dhënë detaje edhe për shtetet ku ata jetojnë.

Në këtë formë, është bërë e ditur se nëntë nga aplikantët jetojnë në Serbi, tre në diasporë(në vende të ndryshme të botës), teksa pesë jetojnë në Kosovë, prej të cilëve një është folës i gjuhës serbe, shkruan tutje lajmi.net.

Bazuar në rrethanat dhe përkatësinë etnike, vetëm një nga 16 aplikantët ka kundërshtuar që të jetë i selektuar në një grup me të tjerët. Ai ka kërkuar që të jetë i veçuar pasi që grupimi me të tjerët në këtë situatë do të mund të përbënte një konflikt interesi.

Megjithë kërkesën e njërit prej aplikantëve, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave i ka rekomanduar Gjykatësit të Procedurës Paraprake që 16 personat e paraqitur si viktima të mblidhen në vetëm një grup. Arsyetimi i Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave konsiston në atë se pavarësisht dallimeve në gjuhë dhe vende të origjinës, në këtë çështje do të punojë një ekip me shumë anëtarë, dhe në këtë formë s’do të ketë probleme në menaxhimin e situatës.

“Pas analizimit të rrethanave individuale të aplikantëve dhe interesave të grupit në tërësi, VPO konsideron se ndryshimet dhe çështjet e mundshme të përshkruara dhe të shqyrtuara më sipër mund të menaxhohen në mënyrë efektive permes një ekipi me shumë anëtarë, me aftësi për të punuar në gjuhë të ndryshme dhe vende të origjinës. Përveç kësaj, Këshilli i Viktimave dhe anëtarët e ekipit të tij ose të saj do të jenë në gjendje të përshtatin ndërveprimin dhe komunikimin e tyre me klientët e tyre në një mënyrë më të përshtatshme, duke marrë parasysh çdo gjuhë, etni, gjeografike ose veçoritë, duke siguruar përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të të gjithë klientëve pavarësisht prejardhjes së tyre”, thuhet në raportin e Zyrës për Pjesëmarrjen e viktimave.

Ndryshe, krerët e UÇK-së tash e më shumë se dy muaj janë në pritje të një përgjigjeje nga Dhomat e Apelit në Gjykatën Speciale në lidhje me kërkesën e parashtruar për lirim nga paraburgimi.

Në konferencat e mbajtura deri më tash, si afat për nisjen e Gjykimit nga Prokuroria është dhënë fundi i këtij viti, mirëpo që kjo është kundërshtuar fuqishëm nga avokatët mbrojtës të krerëve të UÇK-së.

Këta të fundit, si datë më të mundshme për nisjen eventuale të gjykimit e shohin fundin e vitit 2022.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments