Tuesday, May 14, 2024
HomeLajmeKosova“LVV e ka humbur betejën”, analistët vlerësojnë punën e Qeverisë Kurti për...

“LVV e ka humbur betejën”, analistët vlerësojnë punën e Qeverisë Kurti për një vit

“Nëse duhet ta përshkruaj me një fjalë, konsideroj se është qeveri e suksesshme sepse e filloi një luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit”.

Kështu e vlerëson qeverisjen një-vjeçare të kryeministrit Albin Kurti, njohësi i çështjeve politike, Gazmir Raci.

Në një bisedë për lajmi.net, Raci thotë se për herë të parë në Kosovë “kemi ministri që u hapën në kuadër të luftës kundër krimit dhe korrupsionit”.

Por, sipas tij, kjo qeveri ishte fatkeqe, pasi mandatin e filloi në kohën kur Kosova nuk kishte asnjë kontratë të nënshkruar për vaksinat kundër COVID-19.

“Ishte sfidë fillimisht vaksinimi i popullsisë dhe arriti që ta vaksinojë mbi 50 për qind të popullsisë”, thotë Raci.

Megjithatë, shton se Qeveria Kurti II ka hasur në probleme me menaxhimin e valëve të pandemisë.

“Ishte në mes të zgjedhjes së shëndetit të ekonomisë dhe shëndetit të qytetarëve. Dhe pati sfida të mëdha në kuadër të menaxhimit nga Ministria e Shëndetësisë. Po ashtu pati zgjedhjet lokale që kanë ndikuar në dinamikat e qeverisjes”.

Ndërsa, sa i përket politikës së jashtme, analisti Raci thotë se kjo qeveri ka shumë sfida para vetes.

Këtu ai përmend dialogun me Serbinë, proces ky që sipas tij është i rëndësishëm pasi i hapë rrugë Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian, NATO e liberalizim të vizave.

“Tani është momenti që të dilet me propozime konkrete si e sheh Qeveria e Kosovës çështjen e finalizimin e marrëveshjes me Serbinë”.

Por, më kritike se Raci për punën e kësaj qeverie është ish-deputetja, Shqipe Pantina.

Ajo thotë se Qeveria Kurti II është larg përmbushjes së premtimeve të bëra dhe po ashtu larg pritjeve të qytetarëve.

“Për më shumë se një dekadë në opozitë Lëvizja Vetëvendosje ka qenë tejet kritike për shumë vendime të qeverive të mëhershme, por se qysh se vetë ka ardhur në pushtet nuk kemi pa ndryshime të mëdha”, deklaroi Pantina në një përgjigje për lajmi.net.

Luftimi i krimit dhe korrupsionit janë fushat ku sipas saj kjo qeveri ka shënuar më shumë ngecje.

Sa i përket aksioneve policore të zhvilluara, thotë se më shumë kanë prodhuar spektakël se sa rezultate të prekshme.

“Megjithëse aksionet si ai i rastit Subvencionet apo Brezovica janë për t’u përshëndetur, por kjo është meritë e prokurorisë e jo e qeverisë”.

“Ne anën tjetër sa i përket korrupsionit dhe kapjes së shtetit në fakt kemi pasur regres. Shkarkimi i një varg bordeve pa përfillur procedurat ligjore, dhe pastaj zëvendësimi i tyre me njerëz të afërt me pushtetin, njëjtë siç kishte ndodhur edhe me qeveritë e mëhershme,  vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen e institucioneve të pavarura dhe në këtë pikë Kosova ka shënuar regres”.

Pantina përmend edhe një “dështim” tjetër të qeverisjes së Kurtit; ai për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pati deklaruar se Kosova po përjeton rritje të jashtëzakonshme ekonomike dhe se qeveria e udhëhequr nga ai ka hapur 10 mijë vende pune.

Por, këto shifra sipas njohëses së çështjeve politike janë “manipulim”.

“Realiteti është se çdo muaj aplikojnë për viza pune jashtë vendit mbi 50 mijë njerëz. Rritja e çmimeve dhe mos rritja e pagave si paga minimale në sektorin privat apo pagat në sektorin publik, vetëm sa e kanë rënduar jetën e qytetarëve”.

Kosova e udhëhequr nga Albin Kurti sipas Pantinës ka dështuar edhe në politikën e jashtme e në diplomaci.

“Procesi i dialogut vetëm sa ka shënuar regres e marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë si SHBA e BE vetëm sa janë ftohur. Ndërsa, gabimet e njëpasnjëshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk duan as koment”.

Ndërsa, shqetësuese ajo e konsideron “mungesën e transparencës dhe komunikimit me mediat”.

“Përveç organizatave vendore, kemi pasur edhe reagim të organizatave ndërkombëtare që kanë kritikuar pushtetin për kërcënimet e vazhdueshme dhe linçimet që ju ka bërë mediave dhe gazetarëve”.

E vetmja e arritur e kësaj qeverie, ish-deputetja thotë se është “fakti që ia dolën të dërgojnë në opozitë të gjitha partitë që ishin në pushtet deri tani, dhe disa prej tyre të fillojnë reformimin”.

I një mendimi me Pantinën është edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Rasim Alija.

Ai thotë se pritjet dhe shpresat e mëdha të qytetarëve nga qeverisja Lëvizja Vetëvendosje-Lista Guxo janë venitur e reduktuar në “ne nuk po vjedhim si ata”.

“Dhe kjo retorikë në vetvete është problematike, sepse e bën të vetëmjaftueshme qeverisjen, duke ndikuar direkt në cilësinë e qeverisjes, që produkt final ka një lloj anemie në përpjekjet e mekanizmave shtetërorë për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, deklaron Alija .

Mes tjerash, ai thotë se gjatë kësaj periudhe një-vjeçare të qeverisjes, VV-ja nuk ka arritur t’i mbijetojë transformimit që ta bën pushteti.

“Duke fituar pushtetin pas një kohë të gjatë në opozitë, një opozitë aktive, LVV është transformuar në një subjekt të zakonshëm politik. Po ta shohim LVV e sotshme, është e vështirë ta gjejmë fijen dalluese me subjektet tjera që kanë qenë pjesë e pushtetit. Dhe kjo është kostoja e të pasurit dhe ushtruarit pushtet, veç se në rastin e LVV është menduar qe ky transformim nuk do të ndodh, ose te paktën do të ketë peshë të papërfillshme. Pra LVV, e ka humbur betejën e parë qysh tash, atë me vetveten”.

Qeveria Kurti më 22 mars 2021 mori 67 vota për dhe 30 kundër.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ishte lejuar që të merrte pjesë në zgjedhje për shkak se kishte probleme me ligjin.

Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosja fitoi mbi 50 për qind të votave, duke ia mundësuar kështu që së bashku me votat e garantuara të deputetëve të pakicave ta formojë Qeverinë Kurti 2.

Kurti në vitin 2019 ishte zgjedhur kryeministër, por, vetëm pas 50 ditësh qeverisje, me një mocion mosbesimi u rrëzua nga partneri i atëhershëm qeverisës LDK-ja.

Lëvizja Vetëvendosje u rikthye në qeverisje duke e rritur numrin e deputetëve në 58 nga 29 sa kishte në zgjedhjet e vitit 2019.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments