Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të enjten kanë vizituar objektin e ri të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore të Universitetit të Prishtinës.
Vlera e përgjithshme e investimit në këtë objekt arrin në 17 milionë e 980 mijë euro, thuhet në komunikatën për media.
Sipas Zyrës së Kryeministrit, Bashkimi Evropian ka kontribuar me 11.9 milionë euro, ndërsa Universiteti i Prishtinës me 5 milionë e 80 mijë euro. Ministria e Arsimit ka ndarë edhe 1 milion euro.
Objekti i ri i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave Natyrore ka sipërfaqe të përgjithshme prej afro 14 mijë metrash katrorë.
Nga ky investim pritet të përfitojnë rreth 2 mijë e 300 studentë.
Studentët tashmë kanë në dispozicion ambiente bashkëkohore, të pajisura me inventar dhe pajisje laboratorike. Objekti ofron gjithashtu hapësira të bollshme përreth tij.
Projekti është realizuar në kuadër të marrëveshjes financiare IPA 2020 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

