Sunday, October 13, 2024
HomeLajmeKosovaKurti: Pagën minimale do ta rrisim në 250 euro, s’do ketë më...

Kurti: Pagën minimale do ta rrisim në 250 euro, s’do ketë më shumë se 40 orë punë në javë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruajtur për 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

 

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se historia e punës edhe në Kosovë, sipas tij sikurse në të gjithë botën, lidhet me padrejtësi, pengesa, shtypje e shfrytëzim, shkruan lajmi.net.

“Megjithatë puna nuk u ndal, përkundër papunësisë së lartë që kemi. Por shpërndarja e fryteve të punës nuk u bë ashtu si u krijuan ato – pasuria e prodhuar kolektivisht u përvetësua e akumulua individualisht. Kështu u krijuan disa multimilionerë, gjersa pjesa dërrmuese që ishin punëtorë të ndershëm ose punojnë në kushte të vështira ose mbesin shpejt të papunë meqë janë lehtësisht të zëvendësueshëm”, ka shkruar Kurti.

Ai thotë se gjatë pandemisë, u  pa rëndësia e punëtorëve; mjekëve, infermierëve, policëve, bukëpjekësve, farmacistëve, zjarrfikësve, pastruesve e shitësve.

Kurti tutje ka thënë se do të angazhohet që paga minimale në Kosovë të jetë 250 euro, si dhe punëtorët të mos kenë më shumë se 40 orë pune në javë.

Postimi i plotë i kryeministrit:

1 MAJI I KTHESËS PËR PUNË E DINJITET

Ditët e shënuara në kalendar janë kohë kur duhet reflektuar mbi atë që shënojmë. Mbi atë që është arritur e atë çfarë mbetet për tu bërë. 1 Maji është pikërisht nga këto data, një moment reflektimi për të shkuarën dhe ritheksim i vizionit për të ardhmen.

Historia e punës te ne, ashtu si përgjithësisht në botë, lidhet ngushtë me padrejtësi, pengesa, shtypje, e shfrytëzim. Sistemi socialist i paraluftës herë na shfrytëzonte, e herë na privonte tërësisht nga e drejta për punë. Sistemi neoliberal i pasluftës në njërën anë na shpronësoi e deindustrializoi, e në anën tjetër krijoi çarje mes arsimit e punës duke prodhuar studentë të papunësueshëm e punë për të cilat nuk ka punëtorë të përgatitur.

Megjithatë puna nuk u ndal, përkundër papunësisë së lartë që kemi. Por shpërndarja e fryteve të punës nuk u bë ashtu si u krijuan ato – pasuria e prodhuar kolektivisht u përvetësua e akumulua individualisht. Kështu u krijuan disa multimilionerë, gjersa pjesa dërrmuese që ishin punëtorë të ndershëm ose punojnë në kushte të vështira ose mbesin shpejt të papunë meqë janë lehtësisht të zëvendësueshëm. E rëndësinë e këtyrë punëtorëve më së miri e kemi parë gjatë kësaj pandemie: pa punën e mjekëve e infermierëve, policëve e zjarrfikësve, bukëpjekësve e farmacistëve, pastruesve e shitësve, kapitali i milionerëve nuk ka asnjë vlerë. Paçka se edhe ai s’është gjë tjetër përpos punë e akumuluar nga shumica, por e përvetësuar nga disa.

Për Qeverinë tonë këto janë trashëgimi nga e kaluara dhe sfida që do t’i adresojmë çdo ditë të punës sonë. Ne do të punojmë që kjo histori e padrejtësive nga e kaluara ta ketë një prerje të qartë dhe kthesë të madhe. Kursi i së ardhmes do të jetë ai i punësimit, i krijimit të virtytit dhe dinjitetit të punës.

Ne kemi fituar duke premtuar punësim e drejtësi, tani do të punojmë për t’i sjellur të dyja këto sidomos në tregun e punës. Do të krijojmë kushte që mundësojnë dhe lehtësojnë krijimin e vendeve të reja të punës dhe do ta përafrojmë tregun e punës me arsimin profesional. Do të punojmë me prioritet për punësimin e grave, të rinjve dhe komuniteteve joshumicë. Do të marrim masa që sigurojnë që çdo vend pune të jetë me kontratë, me kontribute pensionale të paguara dhe të ketë jo më shumë se 40 orë pune të rregullt në javë. Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve që të kemi siguri në punë dhe të sigurohemi për korrektimin e padrejtësisve që mund t’u bëhen punëtorëvë në vendet e tyre të punës. Pagën minimale do ta rrisim fillimisht në 250 euro, do ta përjashtojmë nga tatimi në të ardhurat pensionale, dhe do ta rishikojmë vazhdimisht në mënyrë që ajo të reflektojë ngritjen e të ardhurës kombëtare në vend.

Qeveria jonë do të jetë partnere e ngushtë e organizimit të punëtorëve. Do të sigurohemi që zhvillimi i ekonomisë dhe riindustrilizimi i vendit të shkojnë paralel me përmirësimin e kushteve për organizim sindikal të punëtorëve, sidomos në sektorin privat ku një gjë e tillë është tejet e nevojshme. Do të punojmë bashkë që punëtorëve t’u mundësohet punësimi, e punës së tyre virtyti e dinjiteti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments