Monday, November 11, 2024
HomeBotaGjermania në negociata me Rusinë për vaksinën Sputnik

Gjermania në negociata me Rusinë për vaksinën Sputnik

Qeveria federale do të negociojë me Rusinë për vaksinën kundër koronavirusit Sputnik V. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tërheq vëmendjen, që të mos nxitet një debat me përfytyrime të gabuara.

“Vaksinat nuk kanë ideologji”, u shpreh kryeministri i Bavarisë Söder, përpara se ai të deklaronte për një marrëveshje paraprake për vaksinën ruse. Tani nisma e tij lidhur me Sputnik V po përkrahet në mbarë federatën. Madje edhe ministri federal i Shëndetësisë Jens Spahn vuri në dukje, se po bisedohet me Moskën për furnizimin me vaksinën ruse. Megjithatë ministri tërhoqi vëmendjen, që të mos nxitet një debat me përfytyrime të gabuara, sikurse u shpreh ai për median publike ËDR.

Licencimi, kushtet, afatet, sasia

Porositja e vaksinës Sputnik V duhet të kapërcejë disa pengesa. Spahn theksoi, se fillimisht duhet pritur licencimi i kësaj vaksine nga BE-ja. “Për këtë Rusia duhet të furnizojë”. Për aq kohë sa nuk ka furnizim, nuk mund të ketë as licencim.

Çështja tjetër është porosia, tha Spahn. Komisioni i BE-së ka deklaruar, se ndryshe nga sa është vepruar me prodhuesit e tjerë si BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca – me Sputnik V nuk do të ketë marrëveshje.

Po ashtu duhet të sqarohet, se kur dhe çfarë sasie mund të furnizohet, tha Spahn. “Për të bërë ndryshimin nga gjendja aktuale do të duhet që furnizimet të vijnë në dy deri në katër në muajt e ardhshëm – sepse në fakt për afat më të gjatë ne gjithsesi do kemi mjaftueshëm vaksina.”

“Sputnik V nuk mund të ndihmojë shpejt”

I ngarkuari i Komisionit të BE-së për vaksinat është skeptik. I pyetur nëse mund të ndihmojnë preparatet nga Rusia ose Kina që deri në verë të vaksinohet 70 përqind e të rriturve në BE, Thierry Breton në një blog shkruan: “Druaj, se përgjigja është jo.”

Francezi thekson, se nuk ka arsye të dyshojë në efikasitetin, sigurinë dhe cilësinë e vaksinave, që vijnë jashtë BE-së. Por megjithatë për ta vlerësuar këtë është kompetencë e Autoritetit Europian të Barnave EMA. Kjo instancë kryen verifikimet që nga fillimi i marsit. Sidoqoftë çdo sipërmarrje që do të prodhojë një vaksinë të re, duhet të presë të paktën dhjetë muaj, shkruan Breton. Ndaj duhet të përqendrohemi tek vaksinat, që ndërkohë janë licencuar ose-janë në prag të licencimit në BE.

Sa i sigurtë është prodhimi në Rusi?

Vendi anëtar i BE-së, Hungaria, në shkurt e ka licencuar në nivelin kombëtar vaksinën ruse Sputnik V dhe është duke e përdorur atë. Edhe Sllovakia e Çekia kanë porositur vaksinën Sputnik V, pa pritur licencimin e saj prej EMA-s. Por ndërkohë Sllovakia ka marrë një seri prodhimi të vaksinës nga Rusia, që ndryshon prej serive të tjera të verifikuara ndërkohë nga EMA dhe revista mjekësore “The Lancet”. Autoriteti sllovak i mbikqyrjes së barnave SUKL nuk mund t’i vlerësojë avantazhet dhe rreziqet e 200.000 dozave të livruara. Ndaj për mungesë të të dhënave nga prodhuesi vaksina nuk po përdoret.

Kryeministrat e landeve gjermane nuk janë në unanimitet

Pavarësisht nga kjo kryeministri i Saksoni-Anhaltit Reiner Haseloff dhe ministri i Shëndetësisë në Mecklenburg-Pomerani, Harry Glaëe (të dy kristiandemokratë), shohin shanse të mëdha nga blerja e vaksinës ruse Sputnik V. Ndërsa Saksoni-Anhalt mbështetet edhe tek sugjerimi i qeverisë federale, kurse landet Mecklenburg-Pomerani dhe Bavaria kanë deklaruar, se do të veprojnë në mënyrë të mëvetsishme. Por ka edhe rezerva si p.sh. nga kryeministrja socialdemokrate e landit Renani-Palatinate Malu Dreyer. “Për sigurimin e vaksinave është përgjegjëse qeveria federale”, tërheq vëmendjen politikania socialdemokrate.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments