Sot dhe nesër në Ankara do të mbahet Samiti i NATO-s.
Në agjendën e samitit do të jenë forcimi i aftësive parandaluese dhe mbrojtëse të NATO-s, siguria euroatlantike, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, objektivat strategjike të Aleancës, si dhe sfidat e sigurisë rajonale dhe globale.
Autoritetet turke kanë marrë masa të rrepta sigurie në të gjithë Ankaranë. Për garantimin e mbarëvajtjes së samitit janë angazhuar gjithsej 56.927 persona, mes tyre 48.841 efektivë policie, 7.447 pjesëtarë të xhandarmërisë dhe 639 specialistë të sigurisë kibernetike. Gjithashtu do të zbatohen masa shtesë në hapësirën ajrore, transportin tokësor dhe pikat strategjike të kryeqytetit. Pjesëmarrësit do të përdorin aeroportet e Esenboğa, Ankara dhe Mürted, ndërsa Kompleksi Presidencial është pajisur me infrastrukturë moderne komunikimi, salla për takime plenare, ambiente për bisedime dypalëshe dhe hapësira për konferenca për shtyp.
Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, para nisjes së samitit tha se “ Ne mirëpresim kontributin më të fortë të Evropës në mbrojtje. Megjithatë, ky kontribut nuk duhet të konkurrojë me NATO-n, por duhet ta forcojë atë.”
Ndërsa, Shtëpia e Bardhë kërkon dëshmi se aleatët evropianë po i shndërrojnë premtimet në kapacitete ushtarake.
“Ne presim që të gjithë aleatët të tregojnë një trajektore të qartë dhe domethënëse rritjeje, si në aspektin sasior ashtu edhe në atë cilësor, të shpenzimeve për mbrojtjen, në mënyrë që barra të ndahet më drejt”, u tha gazetarëve para samitit ambasadori i SHBA-së në NATO, Mattheë Whitaker.
Në prag të samitit të NATO-s në Ankara, sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, tha të hënën se anëtarët evropianë dhe Kanadaja janë në rrugën e duhur për t’i sjellë shpenzimet e tyre për mbrojtjen në të njëjtin nivel me ato të Shteteve të Bashkuara.

