Kryetari i Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, Vigan Qorrolli, nga Lëvizja Vetëvendosje, bëri thirrje që të martën të votohet si presidenti i ri, ashtu edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim: e votojmë presidentin dhe e votojmë projektligjin për Specialen, sepse të dyja janë pjesë e të njëjtit detyrim – t’i japim vendit institucione funksionale dhe vendimmarrje”, shkroi Qorrolli në Facebook.
Ai paralajmëroi për pasojat e dështimit për ta zgjedhur presidentin, që do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe në zgjedhje të parakohshme.
“Shkuarja në zgjedhje e lëndon Hagën dhe Republikën tonë”, tha Qorrolli, duke kritikuar mundësinë që partitë të mos arrijnë marrëveshje.

