Saturday, May 18, 2024
HomeLajmePrapaskenat e diskutimit në ambasadën e ShBA-së

Prapaskenat e diskutimit në ambasadën e ShBA-së

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë sot ishte nikoqire e zyrtarëve qeveritarë, politikanëve opozitarë, diplomatëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile. Mysafirë qenë edhe ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe ai i Bashkimit Evropian.

Tema kyçe ishte diskutimi rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. Paparaci ka shkruar për qëndrimet e palëve brenda takimit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier, pas diskutimit të mbyllur që u zhvillua sot gjatë ditës.

Në anën tjetër, Paparaci mëson se edhe përfaqësuesit e partive opozitare shqiptare mbështetën qëndrimin se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe duhet të formohet sa më parë duke u respektuar ajo që është nënshkruar në Bruksel në 2015, ndonëse ata vetë nuk e kanë bërë në gjithë këto vite.

Partitë opozitare u përfaqësuan nga Bernard Nikaj (PDK), Lutfi Haziri (LDK) dhe Ardian Gjini (AAK).

Megjithatë, PDK-ja u deklarua pas takimit, ndonëse nuk e përmendi fare çështjen e Asociacionit.

Në komunikatë thuhet që PDK’ja vlerëson lartë angazhimin e SHBA-së në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

“Partia Demokratike e Kosovës do të jap gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Kurse, Lutfi Haziri tha pas takimit se “në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”.

Prej Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ende nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve shprehën qëndrimet e tyre për rëndësinë e formimit të Asociacionit e cila daton nga marrëveshja e vitit në 2013.

Lista Serbe pas takimit në ambasadën amerikane, tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se i njëjti duhet të formohet, pasi është obligim që Kosova ka marrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Një gjë e tillë u kundërshtua nga Qeveria e Kosovës, pasi sipas zyrtarëve të këtij institucioni asociacioni një-etnik kufizon gjithë popujt e tjerë që jetojnë në veri apo në vendbanime të tjera që të integrohen në mënyrën e duhur në mjedisin ku kanë lindur apo punojnë.

Zyrtarët e pushtetit që ishin në atë takim janë: Blerim Vela dhe Bekim Sejdiu (Presidenca e Kosovës), Ilir Kërçqeli (Kuvendi i Kosovës), Luan Dalipi, Donika Gërvalla, Emilia Rexhepi, Arben Vitia, Nenad Rashiq, Arbërie Nagavci dhe Elbert Krasniqi (Qeveria e Kosovës).

Qeveritarët siç merr vesh mediumi, e kanë shpjeguar gjatë takimit se të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë pa dallim etnie, race apo feje.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, e cila ka frikën se një asociacion i tillë mund të shndërrohet si Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë

Ajo për Paparacin tha se komunat janë civile, jo shqiptare apo etnike.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë srbe e vitit 2015 nuk është marrëveshje ndërkombëtare sepse nuk është ratifikuar asnjëherë nga Kuvendi i Republikës së Serbisë. Ajo mund të ndryshohet, të korrigjohet në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme brenda kornizës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe pa diskriminuar popujt e tjerë”.

Zëvendësja e Kurtit shprehu brengën e saj që Serbia vazhdon mos ta njohë Republikën e Kosovës. Shtoi se integrimi i vërtetë dhe respekti i ndërsjellë mund të ndodhë “vetëm nëse i afrohemi me sinqeritet një ri tjetrit përkatësisht i përkushtohemi zgjidhjes së të gjitha problemeve që na kufizojnë për shkak të urrejtjes së ndërsjëllë dhe të kaluarës së dhimbshme”.

Teksa foli për integrimin e Kosovës në rrugën euro-atlantike, Rexhepi theksoi se nuk është e përshtatshme as për Kosovën e as për Serbinë të inkurajojnë stagnimin e të dyja shoqërive “sepse kjo nuk i bën mirë askujt”.

“SHBA-të mbeten faktor tepër i rëndësishëm strategjik i paqës dhe stabilitetit, me të cilët besoj se do i gjejmë gjithnjë zgjidhjet më optimale të mundshme në interes të të gjithë nesh”, tha ajo.

Për takimin e sotëm brenda ambasadës, Kurti nuk deshi të flasë edhe shumë. Vetëm e potencoi se nuk e kanë ftuar, por shtoi se  “le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla e cila ishte prezente në takim, ofroi disa detaje.

“Çfarëdo modeli që e lejon Serbinë ta minojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë, që duan paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të mira fqinjësore në rajon”, tha ajo.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuesja ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Qeveria e Kosovës, e cila drejtohet nga Albin Kurti, kundërshton formimin e një Asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments