Policia e Kosovës ka sqaruar mënyrën se si funksionon sistemi i shqiptimit të gjobave përmes kamerave të sigurisë në rrugët e Prishtinës, pas ankesave të qytetarëve se nuk janë njoftuar me kohë për kundërvajtjet e evidentuara.
Rreshteri i Policisë së Trafikut në Prishtinë, Vedat Zuka, ka bërë të ditur se pas identifikimit të kundërvajtjes nga kamerat, gjoba i dërgohet pronarit të automjetit në adresën zyrtare të regjistruar në Qendrën e Regjistrimit Civil.
Sipas tij, Policia mund të kontaktojë qytetarët edhe përmes telefonit, ndërsa në rastet kur nuk ka numër kontaktues, njoftimi dërgohet përmes Postës së Kosovës. Zuka theksoi se përgjegjësia për përditësimin e adresës bie mbi qytetarin, pasi Policia përdor të dhënat zyrtare që i ka në dispozicion.
Ai sqaroi gjithashtu se automjeti nuk mund të ndalohet në pikë kufitare për shkak të një gjobe, nëse pronari nuk është njoftuar paraprakisht për kundërvajtjen.
Kamerat identifikojnë automatikisht shkelje të ndryshme, përfshirë kalimin në dritë të kuqe, përdorimin e telefonit gjatë vozitjes, ndërrimin e parregullt të shiritit, kthimet në vende të ndaluara, mosdhënien e përparësisë për këmbësorët dhe parkimin e parregullt.
Sipas Policisë, në Prishtinë shqiptohen mesatarisht nga 50 deri në 70 gjoba në ditë përmes këtij sistemi. Qytetarëve u është rekomanduar që t’i kontrollojnë rregullisht gjobat e mundshme në platformën E-Kosova, për të shmangur vonesat dhe procedurat shtesë, sidomos gjatë kalimit në kufi.
Në rastet kur qytetari dëshmon se nuk e ka marrë me kohë njoftimin për gjobën, Policia mund ta rishikojë rastin dhe të mundësojë pagesën me 50 për qind të shumës së gjobës. /Kallxo.com

