Saturday, May 18, 2024
HomeLajmePeci flet për “regres serioz” në marrëdhëniet Kosovë-SHBA: Vendimi i Qeverisë mund...

Peci flet për “regres serioz” në marrëdhëniet Kosovë-SHBA: Vendimi i Qeverisë mund t’i kushtojë vendit

Kosova do ta humbë kredibilitetin e saj te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me planin e fundit për zbatimin e përshkallëzuar të vendimit për zëvendësimin e targave që i lëshon Serbia, thotë ish-ambasadori Lulzim Peci. Drejtori i institutit KIPRED sheh “regres serioz” në marrëdhëniet dypalëshe, pasi thotë se Qeveria e Kosovës mori vendim pa u konsultuar paraprakisht me Administratën e Joe Biden. Sipas tij, Perëndimi ka ndërruar modusin e ndërmjetësimit në dialog, dhe një dështim i këtij procesi do të kishte pasoja të paparashikueshme për Kosovën.

Lulzim Peci thotë se vendimi i fundit i Qeverisë mund t’i kushtojë Kosovës me reduktim dhe humbje të përkrahjes nga Perëndimi në skenën ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Europës.

Dialogun e premtuar me serbët brenda vendit, Peci e konsideron si njërin ndër dështimet më të mëdha të kësaj qeverie në politikën e brendshme. Thotë se kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, duhet marrë si shembull se si duhet të ndërtohet besimi me komunitetin serb.

Gazeta Express: Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duket se do të intensifikohet, nëse veç s’ka nisur të bëhet intensiv. Z. Peci, ju patët thënë se Kosova nuk është mjaftueshëm partner kredibil i ndërkombëtarve. Si e komentoni zhgënjimin e SHBA-së me Qeverinë e Kosovës, e cila nuk e përfilli kërkesën për ta shtyrë për 10 muaj zbatimin e vendimit për zëvendësimin e targave.

Lulzim Peci: Zhgënjimi publik i Washingtonit është sinjal i qartë se Qeveria e Kosovës e ka marrur vendimin e fundit për targat pa konsultime paraprake me Administratën e Bidenit. Injorimi dhe moskosultimi i SHBA-ve në lidhje me marrjen e këtij vendimi nga Qeveria e Kosoves do të reflektohet me humbjen e mëtutjeshme të kredibilitetit të saj si partner i Perëndimit, dhe si e tillë paraqet edhe një regres serioz në marrëdheniet dypalëshe, që shënuan një pikë të lartë në takimin me Sekretarin Blinken në korrik të këtij viti.

Gazeta Express: Si mund të përparojë Kosova në këtë aspektin e raporteve me ndërkombëtarët?

Lulzim Peci: Kosova mund t’i shtyjë interesat e veta përpara vetëm në partneritet të plotë me SHBA-të dhe BE-në, dhe këtu nuk ka rrugë tjetër. Çdo devijim nga partneriteri me Perëndimin do të ketë çmim të lartë për vendin tonë, dhe kjo do të shpërfaqet me vazhdimin e status quo-s së tanishme dhe humbjes së përkrahjes në skenën ndërkombëtare, duke përfshirë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe në reduktimin e përkrahjes në fushën e mbrojtjes dhe atë ekonomike.

Gazeta Express: Si duhet të sillet kryeministri Albin Kurti në këtë fazë që po konsiderohet të jetë tepër e rëndësishme për vendin?

Lulzim Peci: Nuk jam këshilltar i Kryeministrit Kurti që ta këshilloj atë se çfarë duhet të bëjë.

Gazeta Express: Dialogu i premtuar me serbët e veriut nuk nisi kurrë. Do të mund të integrohen ata në ndonjë mënyrë, apo kjo tash do t’i mbetet vetëm dialogut mes krerëve?

Lulzim Peci: Dialogu i brendshëm nuk ka filluar as me serbët e veriut dhe as me ata të jugut. Unë mendoj se së pari dialogu me serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër duhet të jetë prioritet. Ne nuk duhet harruar se në këtë pjesë të Kosovës jeton shumica e këtij komuniteti, i cili qe më se një dekadë i ka pranuar dokumentet dhe targat e Kosovës, dhe ai ka nevojë për kujdesin dhe ndërtimin e mirëbesimit me Qeverinë e Kosovës. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të marrë mësim nga Kryetari i Pejës, z. Gazmend Muhaxheri se si duhet të ndërtohet besimi me komunitetin serb. Mendoj se mungesa e dialogut me serbët lokal është njëri ndër dështimet më të mëdha në politikën e brendshme të kësaj qeverie.

Gazeta Express: Propozimi i përbashkët i Gjermanisë dhe Francës – një version i të cilit u demantua nga Gjermania– po konsiderohet edhe si njohje joformale e pavarësisë së Kosovës. Çfarë përmbajtje e marrëveshjes do të konsiderohej njohje joformale?

Lulzim Peci: Nuk e kam parë dokumentin dhe nuk mund ta komentoj. Njohja joformale konsiston me pranimin e ekzistencës të një shteti tjetër të pavarur.

Gazeta Express: A do të mund të përkthehej njohja nga pesëshja e BE-së dhe anëtarësimi në OKB si njohje e Kosovës nga Serbia?

Lulzim Peci: Jo, njohja nga këto shtete, si dhe anetarësimi në OKB nuk mund të përkthehet si njohje formale nga Serbia. Dy Gjermanitë kanë qenë anëtare të OKB-së, por ato nuk e kanë njohur njera-tjetrën. Akti i njohjes është vendim sovran i një vendi të pavarur, dhe ai nuk mund të zëvendësohet me aktet e palëve të treta.

Gazeta Express: Vërtet pesë vendet mosnjohëse mund të binden kështu ta njohin pavarësinë e Kosovës, apo kjo mund t’i jepet Kosovës vetëm në formë premtimi nga BE-ja dhe SHBA-ja?

Lulzim Peci: Pesë vendet mosnjohëse të BE-së janë vende sovrane dhe vendimet e tyre për njohjen e Kosovës do të jenë vendime të tyre sovrane, kështu që do e kisha rezervuar veten nga çfarëdo komenti të mëtutjeshem në lidhje me këtë pyetje.

Gazeta Express: Emisari Gabriel Escobar ka përmendur javë, jo muaj apo vite, për arritjen e një marrëveshjeje. Edhe kryeministri Albin Kurti kishte thënë se mund të mos duhen tamam 2 vjet kohë. Besoni se dialogu po hyn në një fazë thelbësore, ta quajmë? Çfarë prisni?

Lulzim Peci: Problemi i pazgjidhur në mes Kosoves dhe Serbise nuk ka pasur këtë fokus të nivelit të lartë të Perëndimit që një kohë të gjatë. Është e qartë që tani Perëndimi e ka ndërruar modusin e ndërmjetesimit nga facilitimi në mediacion. Kur një problem kalon në fazën e mediacionit, bisedimet nuk zgjasin shumë, dhe ato zakonisht ose përfundojnë me sukses, ose dështojne. Nëse dështojnë, atëherë krijimi i momentumit të ri për marrëveshje mund të marrë shumë kohë, ndërsa në rastin e Kosovës, humbja e këtij momentumi do të kishte pasoja të paparashikuara.

Gazeta Express: Ish-kryediplomati serb, Vuk Jeremiq tha së fundmi se anëtarësimi në OKB do të nënkuptonte krijimin e një “Shqipërie të Madhe”. Do të mund t’i jepte kaq shumë pavarësi Kosovës ky anëtarësim?

Lulzim Peci: Kjo deklaratë e Jeremiqit është një sharlatanizëm ordiner. Kosova edhe po të bëhet nesër anëtare e KB-së, nuk mund të bashkohet me Shqipërine, jo për shkak të pavaresise së saj, por për faktin se për këtë duhet të pajtohen të gjitha vendet e NATO-s, pasi kjo ka të bëjë me zgjerimin territorial të vetëmbrojtjes kolektive nga Shqiperia në territorin e Kosovës, dhe se dyti, që në aspektin e brendshëm kjo nuk mund të bëhet pa pajtimin e komunitetit serb, pasi në këtë rast duhet të ndryshohet kushtetuta e Kosovës

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments