Lidhja Demokratike e Kosovës, e themeluar nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe intelektualët më elitarë të kohës mbi postulatet Liri – Pavarësi – Demokraci, nuk është vetëm një parti historike. Ajo është lëvizja politike që udhëhoqi Kosovën drejt realizimit të dy objektivave madhore: lirisë dhe pavarësisë. Kjo mbetet një arritje historike, e rrallë në historinë politike të popujve.
Fatkeqësisht, te postulati i tretë – Demokracia – LDK-ja ka dështuar prej vitesh. Keqmenaxhimi i brendshëm, mungesa e llogaridhënies, interesat personale, përçarjet dhe mosrespektimi i vendimeve të organeve të partisë e kanë sjellë LDK-në në pikën më të ulët të historisë së saj.
Ata “funksionarë” që e kanë dërguar partinë në Kuvend të Jashtëzakonshëm, para mbajtjes së kuvendeve të rregullta në të gjitha nivelet, janë po të njëjtët që gjatë njëzet viteve të fundit kanë mbajtur pothuajse të gjitha funksionet më të rëndësishme në parti. Prandaj, është e vështirë të pranohet se zgjidhja mund të vijë nga të njëjtët njerëz që mbajnë një pjesë të përgjegjësisë për gjendjen e krijuar.
Në vend që ta ndihmonin LDK-në me reforma të thella dhe ta rikthenin aty ku e meriton, kanë zgjedhur një rrugë që rrezikon ta dëmtojë edhe më shumë. Përgjegjësia nuk mund të kërkohet vetëm te të tjerët, kur për vite me radhë kanë pasur kompetencat për të ndërtuar një parti më demokratike, më të bashkuar dhe më funksionale.
Siç jam shprehur edhe më herët, unë nuk lidhem me individë, por me LDK-në dhe me vlerat mbi të cilat është ndërtuar. Besoj se të gjithë ata që kanë pasur përgjegjësi drejtuese gjatë njëzet viteve të fundit duhet të marrin përgjegjësi për gjendjen e krijuar. Po aq e rëndësishme është të vendosen parime dhe standarde të qarta për atë se kush mund dhe duhet ta udhëheqë një aset kaq të rëndësishëm për Kosovën.
LDK-ja ka nevojë për reforma të thella organizative dhe politike. Kryesia Qendrore duhet të jetë funksionale dhe efikase, me jo më shumë se 21 anëtarë, secili me detyra të përcaktuara qartë, përgjegjësi konkrete dhe llogaridhënie. Duhet të rikthehet praktika e mbledhjeve të rregullta të Kryesisë Qendrore me kryetarët e degëve, ndërsa partia duhet të jetë shumë më aktive në trajtimin e temave me interes kombëtar, duke ofruar ide dhe zgjidhje konkrete për qytetarët.
Nëse nuk ngrihet përgjegjësia dhe nuk merren vendime të guximshme për reforma të vërteta, por gjithçka mbetet vetëm te ndryshimet kozmetike dhe lufta për poste, problemet do të vazhdojnë të përsëriten. LDK-ja nuk ka nevojë vetëm për emra të rinj, por për një kulturë të re politike, të bazuar në demokraci të brendshme, respektim të vendimeve, llogaridhënie dhe punë.
Ende ka kohë për ta rikthyer besimin, por kjo kërkon guxim për të ndryshuar, jo vetëm njerëzit, por edhe mënyrën e funksionimit. Vetëm kështu mund të ruhet trashëgimia politike e Presidentit Ibrahim Rugova dhe të ndërtohet një e ardhme e denjë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Shkrim nga : Daut Haxhaj – ish anëtar i KP dhe ish kryetar i Deges në Norvegji


