Një aksion i Policisë së Kosovës në rrugën “Faik Konica” në Prizren, në lokalin “Linden Bar”, si dhe në disa shtepi në këtë komunë ka rezultuar me kapjen dhe arrestimin e katër personave të dyshuar për shitblerje dhe shpërndarje të drogës dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të lëndëve narkotike dhe disa mjete monetare, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se Policia ka kryer bastisje në disa shtëpi me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se është arrestuar pronari i lokalit, Erblin Shala e përveç tij, në pranga kanë përfunduar edhe Virtyt Zogaj, Zekri Krasniqi dhe Floren Shala.

Sipas informacioneve të para, Policia ka sekuestruar 86 doza me kokainë, të ndara për shitje ku vlera e drogës kap vlerën e 3500 euro. Po ashtu, gjatë aksionit Policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të marihuanës si dhe 1000 euro.

“Në bazë të dyshimit të bazuar, gjatё kontrollit në një lokal janë gjetur dhe sekuestruar : substancë narkotike e llojit kokainë para te gatshme, njё telefon mobil, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, njё peshore, një Grinder dhe një thikë.

Me urdhër verbal të Gjyqtarit të procedurës është kontrolluar edhe shtëpia e një prej të dyshuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar: një peshore elektronike dhe para te gatshme.

Lidhur me rastin janë arrestuar 4 të dyshuar meshkuj kosovarë në konsultim me prokurorin pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.