Friday, March 29, 2024
HomeLajmeKosovaKur vijnë 1.2 milion vaksinat? MSH hesht, Pfizer thotë se kanë rënë...

Kur vijnë 1.2 milion vaksinat? MSH hesht, Pfizer thotë se kanë rënë dakord për orarin e furnizimit

Më 28 maj të këtij viti, Kosova ka arritur marrëveshje me Pfizer për blerjen e 1 milion e 213 mijë e 290 dozave të vaksinës COVID-19. Përkundër marrëveshjes së arritur për sigurimin e vaksinave, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë bërë publike kohën kur vendi do të furnizohet me këto vaksina, e as informacione tjera për kontratën e arritur. Nga Pfizer thonë  se numri i dozave dhe orari i dorëzimit janë rënë dakord me Qeverinë e Kosovës.

Edhe pse po bëhen gati një javë që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Pfizer për sigurimin e 1.2 milion vaksinave Anti-COVID, nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë informacione për këtë marrëveshje, as për kohën e mënyrën e furnizimit të vendit me këto vaksina.

Për këtë nuk janë informuar as anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, përkundër insistimit që edhe në dyer të mbyllura të informohen për marrëveshjen.

Ndërsa zyrtarë për media në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për Express se për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit, detajet e kontratës nuk mund të bëhen publike.

Mirëpo nga MSH kanë thënë se nga 15 qershori pritet të fillojë plani i vaksinimit në masë.

“Sa u përket detajeve të kontratës, për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit, ato nuk mund të bëhen publike, ndërsa rreth aspekteve të vaksinimit, se si MSh e ka paraparë vaksinimin në masë, në ëeb faqen e MSh-së është i publikuar edhe Plani i vaksinimit në masë që pritet të nis me 15 qershor ku jepen detaje qoftë për resurset humane, hapësirat e reja për vaksinim, dinamikën, aspektet logjistike”, thuhet nga MSH.

Ndërsa, Ursa Lakner, zyrtare e lartë e kompanisë Pfizer ka thënë për Express se për numrin e dozave dhe orarin e dorëzimit janë rënë dakord me Qeverinë e Kosovës.

Lakner ka thënë se po punojnë për të mbështetur zhvillimin e fushatave të vaksinimit në gjithë botën, por që detajet mbeten  konfidenciale.

“Pfizer dhe BioNtech po punojnë pa u lodhur për të mbështetur zhvillimin e fushatave të vaksinimit në të gjithë botën. Ne mund të konfirmojmë që marrëveshja me Qeverinë e Kosovës është arritur. Për numrin e dozave dhe orarin e dorëzimit janë rënë dakord me Qeverinë e Kosovës. Detajet mbeten konfidenciale”, ka thënë ajo.

Derisa Kosova ka arritur marrëveshje me Pfizer për furnizim me vaksina, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi kanë insistuar ditën e djeshme që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia t’i informojë për kohën kur do të vijnë vaksinat, e për detaje tjera për lidhjen e marrëveshjes.

Ata kanë kërkuar që Vitia t’i informoj edhe në dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e AAK’së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë për Express se nuk kanë informata për marrëveshjen.

Ai është shprehur se nuk kanë mbajtur ndonjë takim tjetër me ministrin Vitia pas raportimit të tij në komision.

“Ne nuk kemi mbajt takim pa praninë e mediave. Për momentin nuk kam ndonjë informatë më shumë për marrëveshjen”, ka shtuar ai.

Derisa Kosova është një ndër vendet e furnizuara me më së paku doza të vaksinave, njohës të shëndetësisë e deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar që të punohet më shumë në sigurimin më të shpejtë të vaksinave.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments