Monday, November 11, 2024
HomeLajmeKosovaGazetari gjerman: Kurti nuk u zgjodh për “Shqipërinë e Madhe”, por për...

Gazetari gjerman: Kurti nuk u zgjodh për “Shqipërinë e Madhe”, por për ta reformuar Kosovën

Gazetari gjerman i të përditshmes së famshme, Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens, i cili e ka mbështetur rrugën e Albin Kurtit drejt karrigës së kryeministrit të Kosovës, po shprehet i befasuar nga veprimi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Martens ka publikuar një artikull me titullin “Ëndrrat e mëdha shqiptare“, duke shkruar se “Kryeministri i Kosovës Kurti është në zgjedhje në Shqipërinë fqinje. Një degë e partisë së tij po lufton për votat dhe ëndërron për një bashkim të të dy shteteve”.

Ai tha se partia e Kurtit nuk ka ardhur në pushtet në Kosovë për retorikën e saj të “Shqipërisë së Madhe”, por për ta reformuar Kosovën.

“Vetëvendosje, partia e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nuk u zgjodh për retorikën e tij të Shqipërisë së Madhe. Premtimi për ta reformuar Kosovën ishte thelbësor. Por Vetëvendosje garon për votat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipërinë fqinje”, shkroi Martens.

Korrespondenti i FAZ për vendet e Evropës Juglindore me seli në Vjenë, ka treguar në Twitter se e ka pyetur kryetarin e degës së LVV-së në Shqipëri dhe kandidatin e kësaj partie për deputet atje, Boiken Abazi, lidhur me “Shqipërinë e Madhe”, por thotë se ai ishte kthyer kësaj çështjeje edhe kur më pas ishte pyetur për tema tjera.

“Unë e pyeta Z. Abazi vetëm një herë për “Shqipërinë e Madhe”, pasi i gjeta çështje të tjera shumë më të rëndësishme. Por ai vazhdonte t’i kthehej çështjes, duke thënë se politika nuk ka të bëjë vetëm me qeverisjen e mirë, pasi njerëzit gjithashtu kanë nevojë për rrëfime”, shkroi Martens.

Ai tha se nëse kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz do të vepronte njësoj sikurse Albin Kurti, duke garuar në zgjedhjet e Gjermanisë me partinë e tij, Berlini do të irritohej.

“Nëse Sebastian Kurz do të merrte pjesë në zgjedhjet e Gjermanisë me partinë e tij, Berlini sigurisht do të irritohej. Ndërsa një veprim i tillë është jashtë diskutimit midis Austrisë dhe Gjermanisë (në ditët e sotme), diçka e ngjashme po ndodh aktualisht në Evropën Juglindore”, u shpreh Martens.

Në shkurt, gazetari Martens kishte reaguar mbi një tjetër deklaratë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, tash kryeministrit Albin Kurti, se do të votonte “për” nëse do të bëhej një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Ai e kishte quajtur të pazakontë faktin sesi Kurti “argumenton për shfuqizimin e vendit të tij”.

“Albin Kurti thotë se ai favorizon ndryshimin e kushtetutës kosovare për të mundësuar një referendum mbi bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Ai shton se do të votojë për një bashkim të tillë. Një Kryeministër (potencial) që argumenton për shfuqizimin e vendit të tij. Me të vërtetë e pazakontë”, ka shkruar ai në Twitter.

 

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments