Sunday, April 28, 2024
HomeBotaBota nuk ka asnjë përgjigje për problemin e emigracionit

Bota nuk ka asnjë përgjigje për problemin e emigracionit

Bota nuk kishte nevojë të shihte përplasjen mes Bjellorusisë dhe Bashkimit Evropian mbi çështjen e mijëra emigrantëve dhe azilkërkuesve nga Lindja e Mesme dhe Afrika, që të dukej se presidenti bjellorus Aleksandr Lukashenko është një diktator.

Ai ka luajtur një lojë të ngjashme në vitet 2002 dhe 2004, kur kërcënoi se do të dërgonte një valë refugjatësh drejt Evropës në rast se nuk plotësoheshin kërkesat e tij. Por edhe shumë shtete të tjera kanë shfrytëzuar popujt e zhvendosur dhe refugjatët për të marrë lëshime nga vendet e tjera.

Në librin e saj të vitit 2010 “Migrimi masiv si një armë: Zhvendosja e detyruar, shantazhi dhe politika e jashtme, politologia Kelly Greenhill identifikonte paktën 56 raste të asaj që ajo i quan “migrime të inxhinierizuara me synim shantazhin” që nga viti 1951 (plus 8 episode të tjera kufitare).

Për fat të keq, kjo taktikë duket se funksionon në shumicën e kohës që përdoret. Greenhill zbuloi se kjo taktikë ka arritur të paktën disa nga objektivat e Lukashenkos deri në 73 për qind të këtyre rasteve, dhe gati të gjitha synimet e tij në më shumë se gjysmën e tyre (57 për qind).

Por kur funksionon kjo formë imponimi? Greenhill argumenton se shtetet që e përdorin një taktikë të tillë, shpesh kanë sukses duke shfrytëzuar ndarjet politike brenda shteteve të shenjestruara, zakonisht midis grupeve që janë solidarë me gjendjen e vështirë të refugjatëve, dhe atyre që janë kundër lejimit të hyrjes së tyre në vend.

Ndarje të tilla të brendshme – dhe humbja e mundshme e mbështetjes politike që mund të shkaktojnë ato – u japin udhëheqësve në shtetin e shenjestruar nxitjen për t’iu larguar problemit, duke iu bindur kërkesave të shtetit që ushtron presion në këtë lloj forme.

Për shtetet e dobëta që nuk kanë mjete të tjera për të ushtruar presion, shfrytëzimi i qëllimshëm ose oportunist i refugjatëve, mund të jetë një dredhi shumë joshëse. Lukashenko kishte arsye të forta të mendonte se mund të funksiononte diçka e tillë me Poloninë.

Përplasjet e mëhershme të Polonisë me autoritetet e BE-së në Bruksel, e kishin lënë disi të izoluar Varshavën brenda komunitetit më të gjerë evropian. Ai mund të ketë besuar se shumica e vendeve evropiane, do të kishin pak simpati për gjendjen e vështirë ku ndodhen polakët.

Po ashtu, Lukashenko mund të ketë llogaritur mbështetjen e palëkundur të presidentit rus Vladimir Putin, që është gjithmonë i lumtur të mbjellë përçarje të reja brenda Evropës. Duke pasur parasysh se përpjekjet e tij të mëparshme për t’i përdorur si pengje njerëzit e pafajshëm, ishin më së paku pjesërisht të suksesshme, pse të mos supozonte se kjo skemë do të funksiononte edhe këtë herë?

Por ajo që nuk ka llogaritur Lukashenko, është një ndryshim në qëndrimin e evropianëve në lidhje me migracionin gjatë viteve të fundit, sidomos ndaj azilkërkuesve nga Lindja e Mesme dhe Afrika. Siç raportoi së fundmi “New York Times”, refugjatët politikë nga Bjellorusia po lejohen të qëndrojnë në vendet e para ku kanë mbërritur në BE si për shembull në  Lituani, ndërsa emigrantët që kalojnë tranzit në Bjellorusi nga Iraku ose Siria,po ndalohen ose deportohen.

Arsyeja e ndryshimit? Të parët shihen si kulturalisht të ngjashëm, dhe të dytët jo. Nëse migrimi i krijuar me forcë funksionon duke shfrytëzuar konfliktet brenda shteteve që janë destinacion i emigrantëve, në rastin konkret nuk ka zëra mjaftueshëm të fuqishëm në aspektin politik që të ngrenë zërin për të pranuar emigrantët, dhe politikanët anembanë BE-së e dinë këtë.

Po ashtu ata e dinë se ka shumë më tepër refugjatë potencialë, dhe se pranimi i kërkesës së Lukashenkos që BE-ja të heqë sanksionet që vendosi pas shtypjes së tij të dhunshme kundër kundërshtarëve politikë që sfiduan zgjedhjet e tij të manipuluara të vitit 2020, do të nxiste vetëm përsëritjen e të njëjtit cikël.

Gjithashtu, presioni ndaj Polonisë për të hapur kufirin e saj ndaj emigrantëve, do t’i jepte  dritën jeshile shumë emigrantëve të mundshëm, të cilët BE-ja preferon tani që t’i refuzojë. Prandaj zyrtarët e BE-së e përkufizojnë konflikti jo si një “krizë emigracioni”, por si “përpjekjen e një regjimi autoritar për të destabilizuar fqinjët e tij demokratikë”.

Siç e kam vënë në dukje edhe më herët, ngjarje të tilla kanë nxjerrë në pah tensionin -disa mund të thonë hipokrizinë – ndërmjet idealeve liberale mbi të cilat u themelua BE, dhe sjelljes bazuar tek interesa vetjake të vendeve evropiane. Liberalizmi mbështetet tek besimi se të gjitha qeniet njerëzore gëzojnë të drejta themelore, të cilat nuk duhet të cënohen.

Nga ky këndvështrim, vendi ku ka lindur dikush duhet të jetë i parëndësishëm, sidomos kur ata largohen nga vendi i tyre për shkak të dhunës dhe represionit politik. Ishte kjo bindje që ndihmoi në hartimin e Konventës së OKB-së për Refugjatët në  vitin 1951, e cila i ndalon haptazi shtetet që të riatdhesojnë refugjatët, që kanë një frikë “të bazuar” nga persekutimi.

Por kur kjo konventë duhet zbatuar në praktikë, vendet e Evropës rezultojnë të jenë më pak të përkushtuara ndaj këtyre parimeve universale, dhe më shumë të interesuara për të mbrojtur identitetet e tyre të veçanta dhe mënyrat e jetesës.

Sigurisht, amerikanët nuk janë në pozitën për t’i kritikuar ata, përderisa vetë Shtetet e Bashkuara kanë qenë vitet e fundit shumë më pak mikpritëse për refugjatët. Megjithëse popullsia evropiane në plakje dhe në rënie do të përfitonte ekonomikisht nga një migrim më i madh, kriza e refugjatëve e vitit 2014 ndihmoi në nxitjen e një vale populizmi të krahut të djathtë dhe ndryshoi qëndrimin e Evropës kryesisht kundër emigrantëve.

Në nivelin bazë, ky episod (dhe shumë të tjerë) nxjerrin pah paaftësinë e rendit aktual global për të përballuar lëvizjet në shkallë të gjerë të njerëzve. Sistemi aktual ndërkombëtar, bazohet para së gjithash tek shtetet sovrane që ushtrojnë një kontroll ekskluziv mbi një territor të caktuar.

Por me kalimin e kohës, norma e sovranitetit territorial, është bërë gjithnjë e më shumë e lidhur me idenë e nacionalizmit, pra me besimin se grupet që ndajnë një gjuhë, histori, kulturë të përbashkët etj, kanë të drejtë të qeverisin veten dhe të ruajnë identitetin e tyre kulturor, zakonisht brenda një territori gjeografik, me të cilin ata kanë një lidhje historike.

Duke pasur parasysh dëshirën për të ruajtur atdheun dhe karakterin kombëtar (sidoqoftë ai), nuk është për t’u habitur pse shtetet duan një autoritet të plotë për të përcaktuar se kush mund të hyjë, kalojë tranzit, apo të qëndrojë brenda territorit të tyre. Sigurisht, ky objektiv nuk do të thotë që kufijtë kombëtarë janë të padepërtueshëm.

Për shkak se shtetet e kuptojnë se do të jenë më mirë nëse angazhohen në shkëmbime vullnetare me të huajt, ata kanë krijuar një sërë marrëveshjesh për të lehtësuar llojet e tjera të lëvizjes ndërkufitare. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), dhe një mori marrëveshjesh shumëpalëshe dhe dypalëshe menaxhojnë lëvizjen e mallrave përtej kufijve kombëtarë.

Ndërkohë, një seri po aq komplekse regjimesh, rregullash, instrumentesh teknologjike dhe institucionesh menaxhojnë lëvizjen e investimeve të huaja, shkëmbimet valutore dhe transaksione të tjera financiare ndërkufitare. Në të kundërt, marrëveshjet për menaxhimin e lëvizjes së njerëzve janë më pak të zhvilluara apo të pranuara në mënyrë universale.

Deri më sot, përpjekjet për t’u marrë me flukset e refugjatëve ose emigrantëve në shkallë të gjerë janë zakonisht të përkohshme, të kufizuara në rajone specifike, dhe të pa ankoruara nga parimet më të mëdha normative. Kjo është arsyeja pse mund të ndodhë një krizë, si ngërçi aktual në kufijtë e Bjellorusisë.

Unë do të doja të dija se si ta zgjidhja këtë problem, por është një bast i sigurt, se situata do të përkeqësohet në vitet në vijim. Demografia, pabarazia e vazhdueshme ekonomike, dhuna politike dhe ndryshimet klimatike do të inkurajojnë edhe më shumë njerëz që të kërkojnë vende më të pasura ose më të sigurta. /Stephen M. Walt “Foreign Policy
abcnews.al

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments