Friday, March 29, 2024
HomeLajmeKosovaBE përgëzon deputetët e opozitës që mundësuan zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente

BE përgëzon deputetët e opozitës që mundësuan zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente

Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit si shefe të shtetit, Kosova ka përmbyllur fazën e themelimit të institucioneve të reja, duke parandaluar kështu edhe një palë zgjedhje të jashtëzakonshme.

E pas përmbylljes së një procesi të tillë, nga Bashkimi Evropian po thonë se tashmë Kosova mund të përqendrohet plotësisht në punët e rëndësishme që e presin në përmbushjen e reformave që ndërlidhen me BE-në si dhe gjithashtu në procesin e dialogut me Serbinë.

Kështu i ka thënë Gazetës Express një zëdhënës i BE’së.

“Ne e mirëpresim zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës dhe i shprehim urimet tona për Vjosa Osmanin. Kosova tani mund të përqendrohet në mënyrë të vendosur në punën e rëndësishme përpara, përfshirë shtytjen përpara të reformave të lidhura me BE dhe Dialogun e lehtësuar nga BE”, ka thënë ky zëdhënës.

Ndërkohë nga BE kanë përgëzuar deputetët e opozitës të cilët mundësuan zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente.

“Ne përgëzojmë angazhimin konstruktiv të një numri deputetësh të opozitës që mundësuan që procesi zgjedhor të përfundonte”, ka thënë tutje ky zëdhënës.

Ndërkohë të pyetur për ndonjë datë të mundshme të rifillimit të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nga Brukseli kanë thënë se do ta caktojnë një takim ta ardhshëm kur do të mendojnë që është e përshtatshme.

“Ne do të caktojmë takimin e ardhshëm kur është e përshtatshme”, ka përfunduar ky zëdhënës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments