Thursday, November 5, 2026
HomeLajmeKosovaAvni Dehari në 10-vjetorin e vdekjes së Astritit: Dhjetë vjet pa drejtësi...

Avni Dehari në 10-vjetorin e vdekjes së Astritit: Dhjetë vjet pa drejtësi kanë qenë torturë për familjen, kërkojmë zbardhjen e rastit

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, ka kërkuar që institucionet e drejtësisë ta trajtojnë me më shumë seriozitet rastin e vdekjes së të birit, duke theksuar se edhe pas dhjetë vjetësh ende nuk janë zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Në 10-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, gjatë homazheve në nderim të tij, Avni Dehari ka deklaruar se pritja e gjatë për drejtësi ka qenë tepër e rëndë për familjen, bashkëveprimtarët e të birit dhe qytetarët që vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e rastit.

Ai ka kritikuar Prokurorinë për mënyrën se si janë zhvilluar hetimet ndër vite, duke pretenduar se procesi është përcjellë me deklarime dhe konstatime kundërthënëse lidhur me rrethanat e vdekjes së Astritit.

Sipas Avni Deharit, që nga fillimi ka pasur përpjekje që rasti të paraqitej si vetëvrasje, ndërsa ai u është referuar edhe ekspertizave të pavarura dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë ekspertët zviceranë, të cilat, sipas tij, kanë nxjerrë konstatime të tjera.

“Dhjetë vjet janë shumë për t’u zbardhur drejtësia. Dhjetë vjet janë torturë për ne si familje, për bashkëveprimtarët e Astritit, për qytetarët e Kosovës brenda dhe jashtë kufijve, të cilët presin se çfarë do të ndodhë me këtë rast që ende nuk po përmbyllet”, ka deklaruar Dehari.

Ai ka shprehur pakënaqësinë për zvarritjen e hetimeve, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e plotë të rastit.

“Ne presim që në të ardhmen ky rast të trajtohet më seriozisht dhe të kemi rezultate”, ka theksuar babai i Astrit Deharit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments