Sunday, December 8, 2024
HomeLajmeKosovaAnëtarësimi në organizata ndërkombëtare, MPJ-së i kërkohet të nisë lobimin

Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, MPJ-së i kërkohet të nisë lobimin

Ende nuk dihet nëse Qeveria Kurti do t’i përmbahet Marrëveshjes së Uashingtonit, sipas së cilës i ndalohet Kosovës aplikimi në periudhën prej një viti për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

 

Moratoriumi 1-vjeçar përfundon në shtator të këtij viti, çka edhe i mundëson Kosovës që prej këtij muaji të aplikojë për t’u bërë pjesë e mekanizmave ndërkombëtar.

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) nuk ka qenë e qasshme për të treguar nëse do të fillojnë përgatitjet për aplikim në organizata ndërkombëtare.

Njohës të së drejtës ndërkombëtare apelojnë institucionet e vendit që të fillojnë sa më parë procesin e lobimit, në mënyrë që Kosova para vitit të ri, të anëtarësohet në ndonjë nga mekanizmat ndërkombëtar, pasi moratoriumi 1-vjeçar për këtë çështje, i dalë nga Marrëveshja e Uashingtonit përfundon në shtator.

Profesori universitar, Afrim Hoti thotë se para marrjes së vendimit përfundimtar duhet të ndërmerren një varg veprimesh dhe aktivitetesh, të cilat duhet t’i bindin shtetet që të mbështesin Kosovën për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtare.

“Një qeveri e përgjegjshme, një shtet që vërtet e ka në agjendë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare do të duhej t’i merrte këto vendime dhe unë konsideroj që absolutisht nuk kemi kohë, mbase jemi të vonuar sepse kjo nuk fillon me një datë të caktuar, është proces pothuajse permanent i mbajtjes së kontaktit dhe krijimit të bindjeve që shtetet duhet të mbështesin Kosovën për të qenë pjesë e mekanizmave të ndryshme ndërkombëtare… 1’29 Mendoj që nuk kemi kohë për të humbur, duhet të fillojmë sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë së lobuari me shpresën që pas kalimit të moratoriumit të kemi ndonjë aplikacion konkret dhe para vitit të ri të marrim anëtarësinë”, thotë ai.

Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se Kosova nuk duhet t’i bëjë gabimet e së kaluarës, porse duhet të aplikojë në organizata ku e di se ka mbështetje.

Sipas tij, ka një sërë organizatash, ku Kosova mund të aplikojë, e që ka gjasa më të mira për anëtarësim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku mundësia e votimit dhe përkrahjes nga aleatët mund të sjellë ndonjë pranim.

“Para se të aplikojë për ndonjë anëtarësim, Kosova nuk duhet t’i bëjë gabimet e së kaluarës, nuk duhet t’i bëjë gabimet e së kaluarës, nuk duhet të aplikojë në organizata ku e di që nuk ka vota, ku e di që nuk ka mbështetje dhe ku e di që nuk ka përkrahje nga aleatët e saj për anëtarësim në ato organizata. Nuk e kemi luksin që të kemi fiasko në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke marrë parasysh edhe kontekstin e jashtëm politik të Kosovës, sidomos në dialogun me Serbinë, në bazë të të cilit çdo dështim i joni për anëtarësim në organizata ndërkombëtare pa planifikim të mirëfilltë besoj se do të përdoret edhe në procesin e dialogut dhe kësisoj edhe minohet legjitimiteti i shtetësisë tonë në arenën ndërkombëtare.

Lidhur me respektimin e Marrëveshjes së Uashingtonit flet edhe Emir Abrashi nga Demokracia Plus, i cili thotë se si e tillë kjo marrëveshje duhet të respektohet. Sipas tij, nëse Serbia nuk i përmbahet kësaj të fundit, njëjtë mund të bëjë edhe Kosova.

Ai thotë se moratoriumi i cili skadon në shtator nuk e ndalon qeverinë që të lobojë në mënyrë që pas përfundimit të këtij afati, Kosova të mund të gëzojë anëtarësim në ndonjë nga mekanizmat ndërkombëtar.

“Pas skadimit të moratoriumit në shtator, qeveria do të mund të nisë procesin e aplikimit në organizata ndërkombëtare dhe jo të pritet derisa të skadojë moratoriumi dhe tek atëherë t’i futemi punës… Moratoriumi skadon shumë shpejt, nuk do të ishte mirë që ne të dalim ajo pala që e shkelim një zotim të cilin e kemi marrë në Uashington. Megjithatë, nëse është e vërtetë ajo që ndodhi në Beograd, që presidenti Alekandar Vuçiq e ka shqyer marrëveshjen, dhe nëse Serbia nuk i përmbahet kësaj marrëveshjeje, atëherë as Kosova nuk ka nevojë ta bëjë një gjë të tillë. Megjithatë kjo duhet të bëhet në koordinim të plotë me aleatët tanë”, thotë ai.

Më 4 shtator të vitit 2020, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Marrëveshja përmban disa pika në të cilat të dyja palët obligohen t’i përmbahen asaj, ndërsa njëra nga to thotë se “Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments