Friday, March 29, 2024
HomeShëndetësiA ka ekzistuar kanceri para se njeriu ta shkaktonte atë?

A ka ekzistuar kanceri para se njeriu ta shkaktonte atë?

Po, kanceri ka ekzistuar edhe para se njerëzit të mund të krijonin substanca sintetike të cilat shkaktojnë kancer (subsancat e tilla të cilat shkaktojnë kancer quhen substanca kanceroze ose kancerogjenë). Për fat të keq, kanceri është pjesë natyrale e jetës. Çdo gjallesë shumëqelizore në Tokë mund të sëmuret prej kancerit, qoftë edhe ato që jetojnë në zonat më të largëta (po, edhe peshkaqenët mund të kenë kancer). Edhe pse disa kimikale të bëra nga njeriu mund të shkaktojnë kancer – duhet ta keni të qartë që ata nuk janë faktorët e vetëm kancershkaktues.

Nga Dr. Christopher S. Baird, profesor amerikan i fizikës

Mbrojtja rigoroze prej subsancave kanceroze të shkaktuara nga njeriu, nuk e eviton mundësinë  e prekjes nga kanceri.

Fillimisht, le të qartësojmë atë se kanceri është veçse një ‘term ombrellë’ në të cilin përfshihen qindra sëmundje të ndryshme. E përbashkëta e të gjitha këtyre sëmundjeve është se qelizat normale ndryshohen në atë mënyrë që fillojnë të riprodhohen në mënyrë anormale, duke u përhapur përgjatë

organizmit dhe duke e dëmtuar atë. Ekziston një varg i gjerë mekanizmash që mund të çojnë në riprodhimin e qelizave në mënyrë anormale. Ashtu si me proceset e tjera biologjike, riprodhimi i qelizave kontrollohet përfundimisht nga ADN-ja e qelizave. Kur ADN-ja e një qelize ndryshohet, qeliza thuhet se është e mutacionuar. Mutacionet shpesh janë të padëmshme. Sidoqoftë, nëse ndodh një mutacion në një pjesë të ADN-së që kontrollon riprodhimin e qelizave, kjo mund të bëjë që qeliza të riprodhohet në mënyrë jonormale dhe të kalojë mutacionin e saj në qelizat bijë. Çdo agjent (faktor) që çon në mutacionin e ADN-së ka potencialin të shkaktojë kancer. Agjentët shkaktarë të kancerit përfshijnë:

Kancerogjenët kimikë natyralë si: duhani, alkooli, arseni dhe plumbi.

Kancerogjenët biologjikë natyralë si: virusi i hepatitit B, virusi i papillomës njerëzore dhe helicobacter pylori.

Kancerogjenët mekanikë natyralë siç është azbesti.

Kancerogjenët radiologjikë natyralë siç janë: radoni, rrezet kozmike dhe rrezatimi diellor.

Të gjithë këta kancerogjenë ekzistonin para se njerëzit të zhvillonin teknologjinë për krijimin e kimikaleve sintetike. Megjithëse aktiviteti industrial njerëzor mund të rrisë ekspozimin e një personi ndaj kancerogjenëve natyralë, kjo nuk e ndryshon faktin që këto kancerogjenë janë natyralë.

Edhe sikur të jeni në gjendje të mbroheni 100% qoftë prej kancerozëve qoftë prej atyre natyralë, qoftë prej atyre të shkaktuar nga njeriu; ju prapë keni gjasë të prekeni nga kanceri. Kanceri mund të krijohet edhe atëherë kur asnjë agjentë nuk është i pranishëm. Sa herë që një qelizë riprodhohet, ajo duhet të bëjë kopje të ADN-së së saj për qelizat e saj bijë. Për shkak të luhatjeve të rastësishme të pranishme në të gjitha lëvizjet molekulare, gabimet e kopjimit mund të rezultojnë gjatë replikimit të ADN-së edhe kur nuk ka kancerogjenë të pranishëm. Në këtë mënyrë, mutacioni i ADN-së është një pjesë natyrore e replikimit qelizor. Shumë mutacione janë të padëmshme. Disa mutacione madje janë të dobishme dhe ndihmojnë në nxitjen e evolucionit. Sidoqoftë, mutacionet ndonjëherë çojnë në kancer. Për shkak të pranisë së kancerogjenëve natyralë në mjedis dhe për shkak se mutacioni është një pjesë natyrore e replikimit të qelizave, kanceri ndodh edhe në mungesë të kimikaleve të bëra nga njeriu. Përkundër faktit se kanceri është natyror, ne sigurisht që mund të zvogëlojmë rrezikun e kancerit duke shmangur duhanin, alkoolin, arsenin, radonin, rrezatimin jonizues dhe kancerogjenët e tjerë, duke ngrënë më shumë pemë dhe perime, duke ushtruar rregullisht, duke u vaksinuar dhe duke përdorur krem mbrojtës.

Alkooli (etanoli) i cili gjendet në birrë dhe verë, është nënprodukti natyror i majave që fermentojnë sheqer dhe kështu mund të gjendet kudo që të gjendet maja, përfshirë frutat e pjekur dhe lëngun e palmës. Alkooli dihet se shkakton kancere të gojës, fytit, laringut, ezofagut, mëlçisë, zorrës së trashë/rektumit dhe të gjirit.

Arseniku është një element kimik që gjendet në shumë minerale natyrore. Arseni natyror dihet se depërton në ujërat nëntokësore, duke ndotur burimet e ujit të përdorura nga njerëzit, veçanërisht në rajone të botës ku nivelet e arsenikut natyror janë të larta. Arseniku është zbuluar se shkakton kancer të mushkërive, fshikëzës, veshkave dhe lëkurës.

Azbesti është një mineral silikat që krijohet natyralisht dhe përmban fibra të vogla, të forta, si gjilpëra. Kur thithet pluhuri i azbestit, fibrat irritojnë dhe shpojnë qelizat e mushkërive, duke shkaktuar dhëmbëza dhe çekuilibër kimik që mund të çojë në kancer. Azbesti është më shumë një kancerogjen mekanik sesa një kancerogjen kimik, pasi që ka madhësi të vogël dhe formë të ngurtë, që i mundëson të dëmtojë më shumë qelizat sesa përbërjen e tyre kimike. Të gjitha mineralet që kanë fibra të vogla, të forta – si gjilpëra, dyshohet të jenë kancerogjene. Azbesti dihet se shkakton kancer të mushkërive, pleurit, laringut dhe vezoreve.

Rrezet kozmike janë grimca me energji të lartë të emetuara nga supernova të largëta jashtë sistemit tonë diellor. Rrezet kozmike bien vazhdimisht në tokë dhe kanë energji të mjaftueshme për të jonizuar atomet në qelizat biologjike, duke shkaktuar kështu potencialisht kancer. Atmosfera e tokës siguron disi një mburojë kundër rrezeve kozmike. Sidoqoftë, njerëzit që kalojnë shumë kohë duke udhëtuar me aeroplan nuk përfitojnë aq shumë nga mbrojtja atmosferike dhe kanë rritje të ekspozimit ndaj rrezeve kozmike dhe rrezatimit diellor.

Helicobacter pylori (H. pylori) është një bakter që rritet në shtresën e mukusit të stomakut.            H. pylori është zbuluar se shkakton kancer në stomak.

Virusi i hepatitit B është një virus që prek njerëzit që i ekspozohen lëngjeve trupore të infektuara. Ky virus është zbuluar se shkakton kancer të mëlçisë.

Virusi i papillomës njerëzore (HPV) është një virus që është zbuluar se shkakton rreth 70% të rasteve të kancerit të qafës së mitrës. Për më tepër, HPV është zbuluar se shkakton kancer të vulvës, vaginës, penisit, orofaringut dhe anusit.

Plumbi është një element kimik që krijohet natyralisht në minerale, tokë, bimë dhe kafshë. Meqenëse plumbi është një metal i qëndrueshëm, i ngurtë në kushte standarde, ekspozimi ndaj plumbit zakonisht ndodh përmes gëlltitjes ose thithjes. Plumbi ka të ngjarë të shkaktojë kancer të mushkërive dhe kancer të stomakut, megjithëse provat nuk janë akoma përfundimtare.

Radoni është një element kimik radioaktiv natyror që prodhohet nga zbërthimi i radiumit në tokë dhe shkëmbinj. Si gaz, radoni ka tendencë të mblidhet në zona të mbyllura që ndodhën afër tokës, siç janë bodrumet. Radoni zbërthehet në izotopet e tjera radioaktive të cilat zbërthehen më tutje dhe lëshojnë rrezatim jonizues. Radoni dihet se shkakton kancer të mushkërive.

Rrezatimi diellor përmban rrezatim ultraviolet i cili dëmton qelizat e lëkurës. Rrezatimi ultraviolet emetohet edhe nga shtretërit për rrezitje. Ekspozimi i zgjatur ndaj rrezatimit ultraviolet dihet se shkakton kancer të lëkurës.

Duhani që siç  e dini vjen nga gjethet e bimës së duhanit. Ai përmban të paktën 50 kimikale të ndryshme që shkaktojnë kancer. Duhani është shkaku kryesor i kancerit të parandalueshëm. Është zbuluar se duhani shkakton kancer të mushkërive si dhe kancere të gojës, buzëve, hundës, sinusit, laringut, fytit, ezofagut, stomakut, pankreasit, veshkave, fshikëzës, mitrës, qafës së mitrës, zorrës së trashë /rektumit, vezores dhe gjakut.

Marrë nga: “Pyetjet shkencore me përgjigje befasuese”, pyetje të cilës i’u përgjigj Dr. Christopher S. Baird – profesor i Fizikës në Universitetin A&M të Teksasit Perëndimor.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments