Tuesday, April 30, 2024
HomeLajmeA do t’ia ndryshojnë ndërkombëtarët mendjen opozitës për ndryshimet kushtetuese?

A do t’ia ndryshojnë ndërkombëtarët mendjen opozitës për ndryshimet kushtetuese?

Përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare thonë se ndryshimi i Kushtetutës do të jetë obligimi i fundit që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më 18 korrik, në një debat për Ballkanin Perëndimor para Nënkomisionit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, tha se janë të angazhuar edhe me Qeverinë e re të Bullgarisë që të mos bëjë kërkesa të reja ndaj Maqedonisë së Veriut, përveç atyre që tashmë janë pjesë e asaj që njihet si “propozimi francez”.

Ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj janë të domosdoshme, por partitë në pushtet nuk po arrijnë të sigurojnë shumicën prej dy të tretave në Kuvend për miratimin e tyre.

Opozita maqedonase është kundër ndryshimeve, pasi sipas saj, “pala bullgare nuk do të ndalet me kushtëzimet e saj edhe sikur të miratohen këto ndryshime”.

Debati parlamentar për ndryshimin e Kushtetutës ka nisur më 25 korrik, ndërsa pas miratimit të nevojës në Komisionin parlamentar kushtetues, seanca plenare është caktuar të mbahet më 18 gusht.

Për të shtyrë këto ndryshime janë përfshirë edhe zyrtarë të lartë të shteteve anëtare të BE-së.

Më 17 korrik, në Shkup qëndruan sekretarja shtetërore e Francës, Laurence Boon, ministrja gjermane për Evropën, Anna Leermann dhe ministri polak për Evropën, Szymon Szynkoëski.

Më 13 korrik, në Shkup ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Alexander Schallenberg, ai i Punëve të Jashtme i Çekisë, Jan Lipavsky, dhe ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Wlachovsky.

Ata thanë se “Shkupi rrezikon të izolohet nëse nuk i miraton ndryshimet kushtetuese”, andaj inkurajuan institucionet dhe në veçanti opozitën, që të lërë anash interesat politike dhe të vihet mbi ato shtetërore pasi e ardhmja e këtij vendi është në BE, sipas tyre.

Njohësit e çështjeve politike, kanë qëndrime të ndara nëse angazhimi i ndërkombëtare do të japë rezultate në miratimin e ndryshimeve.

Analisti Ibrahim Mehmeti thotë për Radion Evropa e Lirë se këto vizita dhe mesazhe duhet të merren seriozisht pasi Maqedonia e Veriut, sipas tij, nuk guxon të shmanget nga kursi evropian.

Ai thotë se mesazhet kanë të bëjnë me opozitën maqedonase, e cila duhet të reflektojë që të mos dalin më pas dyshimet mbi qëllimet e saj të vërteta, apo rreshtimi i saj përkrah agjendave tjera të huaja.

“Këto mesazhe që vijnë nga vendet anëtare të BE-së janë dashamirëse dhe qartazi janë në përkrahje të euro-integrimeve. Ato duhet të kuptohen seriozisht, sidomos nga opozita, sepse mesazhet e tilla i drejtohen asaj pasi opozita kundërshton mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Refuzimi i kësaj dashamirësie, kësaj përkrahjeje politike që vjen nga BE-ja mund të reflektohet negativisht në të ardhmen apo të dalin në sipërfaqe dyshimet që janë për qëllimet e vërteta të partive ose blloqeve të ndryshme politike”, thotë Mehmeti.

Por, Risto Nikovski, ish-diplomat maqedonas në Bruksel, Moskë etj., thotë se presionet e përfaqësuesve ndërkombëtarë nuk duhet t’i bëhen Maqedonisë së Veriut, por Bullgarisë, e cila sipas tij, “mohon identitetin dhe gjuhën maqedonase”.

Nikovski konsideron se me një qasje të këtillë të Sofjes, asnjëherë nuk do të mund të arrihet integrimi i vendit në BE.

“Sikur edhe nesër të nisim bisedimet Maqedonia do të negociojë së paku 20 vjet. Ne do të negociojmë më shumë se të gjitha shtetet tjera pasi kushtet që do të na paraqiten nga Bullgaria, do ta pamundësojnë këtë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se problemet me Bullgarinë edhe një kohë të gjatë nuk do të zgjidhen pasi Bullgaria asnjëherë nuk do të pranojë ekzistimin tonë si popull”, shprehet Nikovski.

Ai thotë se nga situata e krijuar mund të dilet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe qeveria e re më pas të punojë për arritjen e një marrëveshjeje të re me Bullgarinë, “pa diktate dhe mohime të identitetit dhe gjuhës maqedonase”.

Por, zgjedhjet e reja, sipas analistit Ibrahim Mehmeti janë humbje kohe pasi vendi ka afate për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Opozita insiston në zgjedhje të parakohshme në vend të ndryshimeve kushtetuese, por mendoj se në këtë moment ato aspak nuk ndikojnë në kapërcimin apo zgjidhjen e problemit. Kjo, sepse ne kemi afate kur duhet t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese si parakusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian”, thotë Mehmeti.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka thënë se seanca plenare do të nisë më 18 gusht, por ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas përfundimit të debatit votimit të shtyhet nëse nuk arrihet të sigurohen dy të tretat e votave.

“Parlamenti vendos nëse në seancë janë të pranishëm shumica e nevojshme për vendimmarrje andaj nuk mund të paragjykohet nëse do të ndodhë ose jo votimi në fund të debatit, apo do të shtyhet akti i votimit. Janë çështje që varen nga rrjedha e debatit të seancës”, ka deklaruar Xhaferi.

Një veprim i tillë mund të ndërmerret pasi sipas dispozitave ligjore ndryshime të reja kushtetuese nuk mund të iniciohen më herët se nëntë muaj në rast të dështimit të miratimit të tyre në Kuvend

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments