Monday, November 11, 2024
HomeLajmeKosova57 ditë punë, i vetmi vendim i rëndësishëm që ka marrë Qeveria...

57 ditë punë, i vetmi vendim i rëndësishëm që ka marrë Qeveria Kurti – mbyllja e Kosovës

Sot janë bërë saktësisht 57 ditë prej kur Albin Kurtit iu është konfirmuar se do të udhëheqë shtetin në krye të ekzekutivit me numrin më të madh të deputetëve që ka pasur ndonjëherë ndonjë subjekt në Kosovë. Tash saktësisht janë bërë 22 ditë prej kur shefi i LVV-së është ulur në karrigen e të parit të Qeverisë, mirëpo, vendimi i tij më i rëndësishëm që ka marrë është ai për izolimin e Kosovës.

Albin Kurti arriti që të sigurojë votat që i duheshin për t’u ulur në krye të ekzekutivit. Mirëpo, tek 22 ditë pasi Kurti është votuar për kryeministër, ka arritur që bashkë me ministrat ta finalizojnë programin Qeverisës.

Gati një muaj sa është duke udhëhequr në krye të Qeverisë, Kurti është kritikuar mjaft për vëmendjen që është duke i dhënë çështjeve tjera që nuk kanë të bëjnë me situatën e rëndë me pandeminë dhe atë ekonomike në të cilën gjendet Kosova.

Fillimisht, Kurti kishte thënë se planin Qeverisës do ta tregojnë pasi që Vjosa Osmani të ulet në karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Tashmë, kur edhe Osmani arriti që të bëhet presidente, Kurti ka zgjedhur që të merret me zgjedhjet në Shqipëri. Ministra e deputetë të Kurtit janë parë gjatë vikendit në Tiranë e qytete tjera duke lobuar për kandidatët që garojnë për deputetë atje.

Vetë Kurti, ani pse nuk ka shkuar fizikisht, një vëmendje të madhe i ka kushtuar kësaj teme përmes rrjeteve sociale.

Qeveria në krye me Albin Kurtin deri më tani ka mbajtur pesë mbledhje. Mbledhja e parë ka qenë ajo ceremoniale që është mbajtur me datë 23 mars, një ditë pasi Kurti është votuar në Kuvend të Kosovës.

Atë ditë, Kurti iu tha zëvendëskryeministrave e ministrave se do të ju duhet që të punojnë me urgjencë që t’i ulin rastet me COVID, e ta ngjallin ekonominë.

Por, ‘përvjela e mëngëve’ që ua kërkoi qysh në mbledhje të parë nuk është vërejtur fare në praktikë.

Në mbledhjen e dytë që ka mbajtur Qeveria Kurti është marrë vendim për “Rregulloren e përgjegjësive administrave të zyrës së kryeministrit dhe ministrive”.

Mbledhja e tretë e Qeverisë Kurti është mbajtur për të shqyrtuar dhe miratuar “Raportin e Vlerësimit të Përshtatshmërisë së Sistemit të Financimit të Komunave për vitin 2020” derisa janë marrë edhe tri vendime tjera.

Në mbledhjen e 4-të të Qeverisë Kurti është diskutuar për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, nga i cili është tërhequr Vetëvendosje një ditë më vonë.

Mbledhja e 5-të e Qeverisë ndërkaq, ka qenë ajo kur janë marrë edhe vendimet për masat e reja që përfshijnë mbylljen e gastronomisë dhe kufizimin e lëvizjes në orare të caktuara.

Kurti rëndësi të veçantë situatës me pandeminë nuk i ka kushtuar as në rrjetin social Facebook.

Nga të gjitha postimet që ka bërë ai që kur është emëruar kryeministër, ka një status ku është publikuar fjalimi i tij i plotë në mbledhjen ceremoniale.

Disa statuse janë ku ka shkruar për përkujtime të masakrave apo personave që kanë ndërruar jetë.

Një status e ka për vaksinat në ditën kur ka ardhur kontingjenti i parë, një status tjetër në ditën kur vet është vaksinuar, ndërsa, hera tjetër kur ai ka shkruar për pandeminë është kur ka njoftuar për masat e reja.

Rëndësi të veçantë edhe në rrjetin social Facebook, Kurti i ka kushtuar fushatës në Shqipëri. Janë tre statuse që ai i ka bërë, profile të kandidatëve atje për deputetë, ndërsa, dje ka njoftuar për një bisedë me komunitetin shqiptar në Itali, ku është diskutuar kjo çështje.

Në faqen zyrtare të Qeverisë, ku bëhen të ditura edhe vendimet tjera të kryeministrit, shkruhet se i njëjti ka marrë vendime tashmë vetëm për të emëruar këshilltar e zëvendësministra.

Vendimi i fundit e ka datën 8 prill derisa është ai për të emëruar zëvendësministër të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmetin.

Kurti vendosi që të izolojë Kosovë, duke i lënë të hapur kufijtë me Shqipërinë.

Rrjedhimisht, veç gjatë këtij vikendi gati 30 mijë kosovarë ia mësyrë Tiranës e vendeve tjera.

Në mesin e tyre ishin edhe deputetë e ministra të Kurtit që ikën pikërisht në vikendin e parë kur Qeveria vendosi ta mbyllë gastronominë e t’ua kufizojë lëvizjen qytetarëve.

Derisa Kurti e ka vendosur poshtë në listën e prioriteteve çështjen e dialogut, njejtë nuk ka vepruar me tema tjera e për këtë arsye ka marrë kritika të shumta.

Atij iu është kërkuar nga bizneset që të mos vazhdojnë masat e kufizimit të lëvizjes dhe mbylljes së gastronomisë.

Masat e reja nuk kanë reflektuar ende në numër të rasteve.

Në ditët kur ka numër më të madh të testimeve, rastet kanë qëndruar mesatarisht njëjtë me ditët kur nuk pati izolim. Numri i personave që kanë ndërruar jetë është rritur ndërkaq dita ditës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments