Sunday, May 22, 2022
HomeTjeraKultura2021-ta, vit i artë për kinematografinë kosovare

2021-ta, vit i artë për kinematografinë kosovare

Kosova për vitin 2021 u përmend në shumë shtete të botës, përmes filmave të suksesshëm të regjisorëve, të cilët prezantuan vendin denjësisht kudo që shkuan.

Historia këtë vit u shkrua nga “Zgjoi”, “Pa vend”, “Vera Andrron Detin”, “Luaneshat e Kodrës”, Animacioni “Clara me mustaqe”, “Në kërkim të Venerës” dhe “Exil”.

Viti nisi me pjesëmarrjen për herë të parë në Golden Globes të “Exil” dhe vazhdoi me fitore në Festivalin Sundance të filmit “Zgjoi”.

Vazhdoi me premierën e “Vera andrron Detin” në njërin prej festivaleve më të vjetra të filmit, “Venice Film Festival”, ky është filmi i parë kosovar që e pati këtë premierë.

Më tej, ishte edhe premiera e filmave “Pa vend” dhe “Luaneshat e Kodrës” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kanë, si dhe suksesi i fundit shënohet nga Zgjoi që është në listën e ngushtë të dhjetë filmave kandidatë për t’u nominuar për Oscars.

“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit

Filmi “Zgjoi” është bashkëprodhimi i parë zyrtar në mes Kosovës dhe Zvicrës në kinematografi. Projekti premierën e shfaqi në edicionin e vitit 2021 në Festivalin Sundance në Shtetet e Bashkuara, festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA. Filmi kosovar u shfaq në kuadër të konkurrencës kryesore të festivalit – World Cinema Dramatic Competition. Filmi rrëmbeu tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: filmi më i mirë, regjisorja më e mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut.

Kosova e ka nominuar filmin “Zgjoi” për ta përfaqësuar në Oscars. “Zgjoi” është bërë pjesë e listës së ngushtë të nominimeve Ocsars. Kjo u bë e ditur pasi u publikua lista në 10 kategori për edicionin e 94-të të Academy Aëards nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit. Ky llogaritet si njëri nga sukseset më të mëdha të kinematografisë kosovare. Aktorja e njohur Elisabeth Moss dhe producentja e saj Lindsey McManus janë bërë producente ekzekutive të filmit “Zgjoi” dhe do ta përkrahin atë për kampanjën drejt “Oscarit”. Dyshja ka thënë se “Zgjoi” është një histori e paharrueshme dhe prekëse që shfaq dëshirën për mbijetesë dhe fuqizim përmes një vizioni të guximshëm.

“Zgjoi” ishte fitues i dyfishtë në Spanjë, në Festivalin Spanjoll “Seminci”, në kategoritë kryesore. Aktorja Yllka Gashi ka marrë çmimin për aktoren me të mirë, për portretizimin e Fahrije Hotit. E “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit ka fituar Çmimi “Fundos”.

Gashi në ceremoninë e pranimit të çmimit kishte thënë “Do ta përdor zërin tim sonte për të shprehur një ëndërr që unë si artiste kosovare dhe i gjithë populli im e kemi: që vendet tona të bukura, Spanja dhe Kosova, së shpejti të krijojnë lidhje diplomatike, që Spanja ta njohë Kosovën”.

“Zgjoi” fitoi çmimin e publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Selanik. Filmi ka fituar çmimin e publikut në kategorinë ballkanike në TIFF, në edicionin e 62-të të festivalit. Më shumë se 120 filma nga e gjithë Evropa ishin përzgjedhur për të qenë pjesë e edicionit të sivjetmë të “Arcs Film Festival”. Në mesin e tyre ishte edhe “Zgjoi”, ku mori dy çmime me rëndësi, atë të publikut dhe të jurisë.

Filmi nën regji të Blerta Bashollit ka marrë çmimin “Die Tilda”, edhe në Gjermani, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Braunshvajg nga juria, që është çmimi për filmin më të mirë. Aktorja Yllka Gashi në rolin kryesor të filmit, ka fituar çmimin si aktorja më e mirë në rol kryesor në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Scottsdale të Arizonës.

Çmimi i sivjetshëm “Cineuropa” nga Festivali i Filmit Mesdhetar në Bruksel është ndarë në mënyrë “ex-aequo” apo të barabartë për dy filma, konkretisht për “Zgjoi” të Blerta Bashollit dhe “Murina” të Antoneta Alamat Kusijanovica.

Filmi debutues i metrazhit të gjatë, i regjisores Basholli që tregon rrëfimin e Fahrije Hotit që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera, në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë, mori “Çmimin e Paqes”.

Filmi nën regji të Blerta Bashollit ka marrë çmimin kryesor “Golden Antigone” në edicionin e 43-të të Festivalit Mediteran të Filmit “Cinemed”. Festivali mbahet në Montpellier të Francës.

“Zgjoi” u shpërblye edhe në Festivalin e Filmit në Varshavë. Ai ka fituar çmimin kryesor të garës ndërkombëtare si filmi më i mirë në kategorinë “ 1-2 Competition”, që u ndahet regjisorëve për filmin e tyre të parë apo të dytë të metrazhit të gjatë. Ky është një lajm i mrekullueshëm për filmin debutues të metrazhit të gjatë të regjisores Blerta Basholli. “Zgjoi” u shpërblye me çmimin NDR NACHWUCHSPREIS në Festivalin e Filmit në Hamburg.

Filmi mori çmimin kryesor “Hyjnesha e Artë” edhe në festivalin kosovar, PRIFest. Po ashtu, çmim u fitua edhe në “Cinedays” të Maqedonisë së Veriut, ku filmi mori “Yllin e Artë”.

Filmi kosovar përfaqësoi vendin në Festivalin e Filmit në Zagreb, në Festivalin e Filmit në Stokholm, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Meksikë, Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, në Festivalin e Filmit në Cyrih, Festivalin e Filmit në Jerusalem, në Festivalin e Filmit në Karlovy Vary si dhe Festivalin e Filmit në Sydney.
“Zgjoi” u shfaq në kinematë vendore, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Zvicrës, të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut, si dhe të Gjermanisë.

Për filmin artikuj kanë shkruar mediat e njohura ndërkombëtare si New York Times, Variety si dhe The Austin Chronicle.
Filmi mori mbështetje nga liderët shtetëror vendorë, nga këngëtaret kosovare Dua Lipa dhe Rita Ora, si dhe nga njohës dhe kritikë të filmit në botë.

Filmi “Zgjoi” me regji dhe skenar nga Blerta Basholli dhe producent Yll Uka u mbështet nga tri fonde të tjera: nga Zvicra – Fondi Shtetëror (Federal office Culture OFC), Cinéforom nga kantoni i Gjenevës si dhe nga Televizioni Nacional Zviceran RTS, i cili është njëkohësisht edhe bashkëprodhues.

Filmi është i frymëzuar nga një histori e vërtetë, gruas nga Krusha, Fahrie Hoti, e cila e themeloi fabrikën “Gratë e Krushës”. “Zgjoi” është “një vështrim fuqizues i një gruaje që përballet me humbjen e burrit” .Përderisa është në kërkim të burrit të humbur gjatë luftës, Fahrija (interpretuar nga aktorja Yllka Gashi) sfidon banorët e fshatit konservator, të cilët janë të palëkundur në rolet tradicionale dhe pritjet patriarkale. Ajo shpërfill fyerjet, thashethemet, madje edhe sulmet fizike për të fuqizuar një komunitet të grave që të jenë të pavarura dhe të punojnë për të mbijetuar bashkë.

“Vera Andrron Detin” me regji të Kaltrina Krasniqit

Filmi i metrazhit të gjatë debutues “Vera Andrron Detin” me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqi e pati premierën në njërin ndër festivalet më të vjetra të filmin, “Venice Film Festival”.

“Vera andrron Detin”
konkuroi për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, çmimin special të jurisë, aktorin dhe aktoren më të mirë dhe për skenarin më të mirë. Filmi në Venecia ka fituar çmimin e ri “Autorë nën 40 vjeç” nga kinemaja “Venezia a Napoli” për regjinë më të mirë, si dhe çmimin për përfshirje ”Edipo Re”.

Ky film ka fituar “Çmimin e madh të Tokios” në festivalin ndërkombëtar të Tokios, në mesin e 14 filmave të tjerë të botës. “Vera andrron Detin” e mori edhe çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit në Selanik.

Filmi në vitin 2021 shfaq edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajros, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Mannheim si në Festivalin e Filmit në Peru.

Filmi trajton temën e Verës, një grua e moshës së mesme, është një përkthyese e gjuhës së shenjave, e cila ka një jetë të strukturuar mirë: bashkëshorte e një gjykatësi të njohur, një nënë që jep mbështetje dhe një gjyshe e kujdesshme. Jeta e saj e qetë prishet nga vetëvrasja e burrit të saj dhe më pas ndiqet nga kërcënimet e burrave që pretendojnë se shtëpia e saj në fshat iu takon atyre.

Skenariste e filmit është Doruntina Basha, producent Shkumbin Istrefi derisa në rolin kryesor luan aktorja Teuta Ajdini Jegeni. Aktorët tjerë janë Astrit Kabashi, Alketa Sylaj, Refet Abazi, njofton Klan Kosova.

“Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit

Filmi “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajramit është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz. “Luaneshat e Kodrës”, ishte filmi i parë i gjatë kosovar që e shfaqi premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.

“Luaneshat e Kodrës” ishte në konkurrencën për Kamerën e Artë në Festivalin e Kanës. “Camera d’or” është çmimi që jepet nga Festivali i Kanës për regjisorët debutues që janë pjesë e programeve të ndryshme të festivalit. Regjisorja kosovare Luana Bajrami ishte një nga 31 pretendentet për këtë çmim.

Ky film u shpërblye me çmimin ‘FIPRESCI’ që ndahet nga Federata Ndërkombëtare e Kritikëve të Fimit për regjisorët nga Evropa Lindore me filmin e parë ose të dytë të gjatë në Festivalin e Varshavës.

Tri aktoret e filmit “Luaneshat e Kodrës” kanë rrëmbyer çmimin e aktoreve më të mira në Festivalin e Sarajevës. Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani dhe Era Balaj.

Ndërsa, pjesë e këtij festivali do të jetë edhe regjisorja kosovare Luana Bajrami me filmin e saj “Luaneshat e Kodrës” ishte pjesë edhe e festivalit “Toronto International Film Festival”, ku pretendent ishte për programin “Contemporary World Cinema”. Filmi ishte konkurrent edhe për Die TILDA” në Festivalin e Braunschweig.

“Pa vend” me regji të Samir Karahodës

Filmi “Pa vend” me regji të Samir Karahodës premierën e tij e pati në
Festivalin Ndërkombëtar të Kanës
. Ky është filmi i parë që Kosovën e futi në listën e dhjetë filmave të shkurtë që garuan për “Palmën e Artë”. Pos regjisorit, Karahoda, në Kanë ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me familjen e tij.

Ky film nuk arriti fitore në Kanë, por mori çmimin e “Filmit më të mirë” në festivalin e filmit të shkurtë në Qipro. Filmi doli i pari edhe në Festivalin Mediteran në Montpellier, Francë. “Pa vend” pranoi mirënjohje speciale nga juria e kategorisë së filmave të shkurtë në Festivalin e Sarajevës.

Filmi i Samir Karahodës ishte konkurrent edhe në mesin e pesë filmave të shkurtër më të mirë evropian të nominuar për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit.

Gjithashtu, “Pa vend” ka arritur të marrë çmimin kryesor IMDB Pro Short Cuts në njërin ndër festivalet më të rëndësishëm në botë, TIFF Toronto Film Festival/TIFF. Çmimi i radhës për “Pa vend” ishte nga Turqia në festivalin “Bosphorus Film Festival”.

“Pa vend” është futur edhe në konkurrencën e 15 filmave më të mirë të botës për vitin 2021, fituesi i këtij çmimi do të bëhet i ditur në shkurt të vitit 2022. Po ashtu, “Pa vend” do ta bëjë premierën amerikane në një festival siç është festivali i filmit në Sundance Film Festival.”Pa vend” do të jetë në konkurrencën zyrtare të filmit të shkurtër dokumentar në edicionin e 43 i cili do të mbahet nga 20-30 Janar në Park City, Utah në Amerikë.

Filmi bën fjalë për dy lojtarë vendas, të nxitur nga ambicia për të mbajtur gjallë sportin e tyre të dashur, që me ndihmën e trajnerit enden nga një vend në tjetrin duke mbajtur të vetmet pasuri të klubit, tavolinat e tyre.

Animacioni “Clara me mustaqe” me regji të Ilir Blakçorit

Animacioni i metrazhit të shkurtër “Clara me mustaqe” me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori premierën e tij e pati në festivalin e njohur amerikan të filmit “Santa Barbara International Film Festival”. Filmi ishte përzgjedhur të shfaqet edhe në edicionin e 45-të “Cleveland International Film Festival”.

“Clara me mustaqe” korri suksese në festivalin francez “Annecy International Animation Film Festival”, aty mori çmimin “City of Annecy Aëard”.

Animacioni përcjellë personazhin e saj kryesor – një njëqind deutchmark, dhe portretin e saj të bukur të Clara Schumann me një palë mustaqe të vizatuara përmbi buzë. Kjo kartëmonedhë udhëton nga një person në tjetrin, duke zbuluar historitë e tyre dhe perspektivat. Duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Ajo mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Filmi prek temën shumë reale të luftës dhe pasojave të saj, por ndërtohet dhe shpaloset me një imagjinatë të një fëmije.

“Në kërkim të Venerës” nga Norika Sefa

Filmi “Në kërkim të Venerës” me regji të Norika Sefës e pati premierën në Festivalin Ndërkombëtar të Roterdamit, i cili ishte njëri nga filmat e parë të Kosovës që ishte prezantuar në këtë festival.

“Në kërkim të Venerës” u shpërblye me çmimin special të Jurisë (Special Jury Award) gjatë ceremonisë së shpërndarjes së çmimeve në këtë festival. Filmi ka të bëjë me personazhin kryesor “Venera” e cila është moderne dhe mundohet të jetojë në ambientin tradicional që e rrethon.

Filmi i gjatë artistik ‘Në kërkim të Venerës’ me regji dhe skenar nga Norika Sefa ka fituar çmimin regjisorja më e mirë (Golden Firebird Aëard), dhe aktorja më e mirë (Best Actress International) për rolin kryesor të interpretuar nga Kosovare Krasniqi. Festivali ndërkombëtar i Hong Kong-ut është festivali më i famshëm për arthouse në Azi, njëherit edhe festival i kategorisë A.

Ky film u shpërblye me çmimin “The Peter Liechti Award”në festivalin “Bildrausch” në Bazel.

Po ashtu edhe në Festivalin e Filmit në Valencia të Spanjës, aktorja Kosovare Krasniqi ka fituar si aktorja më e mirë në rol kryesor për filmin “Në kërkim të Venerës”.

Përderisa, filmi “Në kërkim të Venerës” nga Norika Sefa fitoi çmimin special në Festivalin e Sarajevës (Çmimin për promovimin e barazisë gjinore).

“Exil” i Visar Morinës

Kosova për Golden Globes 2021 e ka propozuar filmin “Exil” me regji të Visar Morinës. Ky projekt ishte edhe kandidat për t’u nominuar për Golden Globes që është mbajtur më 28 shkurt. Në film transmetohet personazhi kryesor Xhaferi i cili luhet nga Misel Maticeviq, që flet për një inxhinier kosovar të kimisë që shkon për të jetuar në Gjermani dhe që paragjykohet nga kolegët e tij.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments