Wednesday, November 6, 2024
HomeLajmeKosovaZPV do që t’i bëjë bashkë viktimat e paraqitura të Thaçit e...

ZPV do që t’i bëjë bashkë viktimat e paraqitura të Thaçit e të tjerëve, njëri refuzon

Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave (ZPV), që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, i ka rekomanduar gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou që viktimat e paraqitura në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit të përmblidhen në një grup.

Në shkresën dërguar Gjykatës, ZPV ka përmendur edhe disa nga vështirësitë që mund t’i kenë viktimat, ku janë përfshirë vështirësitë e udhëtimit në Kosovë, udhëtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, takimi i klientëve nga diaspora e kontakti me klientët.

Duke treguar specifikat e aplikantëve si viktima, se 11 prej tyre flasin serbisht dhe 5 prej tyre shqip, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave i ka konsideruar edhe çështjet që mund ta pengojnë përfaqësimin e tyre së bashku në njq grup në Kosovë apo Serbi.

Në shkresën e ZPV-së thuhet po ashtu se 9 aplikantë si viktima jetojnë në Serbi, tre janë nga diaspora dhe jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës, kurse 5 jetojnë në Kosovë, nga të cilët njëri prej tyre flet serbisht.

ZPV po ashtu ka njoftuar se ka kontaktuar me secilin aplikant veç e veç, duke theksuar se qëllimi ishte që të vërehet nëse ekziston ndonjë ndryshim i papajtueshëm midis aplikantëve që do të garantonte një rekomandim të më shumë se një grupi.

Njëri prej të paraqiturve si viktima, ZPV thotë se ka kundërshtuar që të bashkohet me të tjerët për t’u përfaqësuar si grup.

“Argumentet e aplikantit janë pjesërisht të lidhura me përkatësinë etnike dhe rrethanat e veçanta të çështjes së tij, si dhe një konflikt të mundshëm interesi me viktimat e tjera”, thuhet në shkresë.

Të tjerët, thuhet se nuk kundërshtojnë.

“Sa i përket aplikantit që shprehu kundërshtime, ZPV pajtohet që situata e tij ndryshon në një farë mase nga aplikantët e tjerë. Sidoqoftë, pasi analizoi me kujdes rrethanat individuale të aplikantit dhe veçoritë e grupit në tërësi, ZPV konsideron se argumentet e aplikantit nuk përbëjnë një situatë që do të garantonte përfaqësim të veçantë”, thuhet në shkresë.

Aty përmendet edhe përfaqësimi ligjor i të paraqiturve si viktima. ZPV thotë se do taë mbështesë propozimin e saj për caktimin e avokatit të viktimave te Sekretari bazuar në një sërë kriteresh.

Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë janë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar, ndër tjerash, i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments