Tuesday, June 15, 2021
HomeLajmeKosovaVV voton kundër Rezolutës së PDK-së për mbështetjen e arsimit, nuk kalon...

VV voton kundër Rezolutës së PDK-së për mbështetjen e arsimit, nuk kalon në Kuvend

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pas debatit që është mbajtur sot në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.

 

Vetëm 27 vota kanë qenë për miratimin e kësaj rezolute, 50 kundër dhe asnjë abstenim.

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, ka prezantuar rezolutën, ku ndër pikat e propozuara ishte që qysh nga e hëna mësimi të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt.

“Kuvendi i Kosovës obligon qeverinë e Kosovës që të ndajë buxhet për mbështetje financiare shtesë mbi pagën bazë të personelit të institucioneve të nivelit të arsimit para universitar në shumën prej 100 euro për muajin prill, maj dhe qershor 2021. Obligon qeverinë e Kosovës që të rris mbështetjen për mësuesit dhe prindërit në mënyrë që ata t’i ndihmojnë fëmijët për të mbetur të angazhuar në shkollë. Obligon qeverinë e Kosovës që të hartojë planin për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë verës bazuar në një plan për mësim intensiv të natyrës së shkollave verore që duhet të koncentrohet në lëndët kryesore, për të kompensuar kështu humbjet e të nxënit të fëmijëve, veçanërisht për ata që rrezikojnë të mbesin prapa. Obligon qeverinë që pas marrjes së opinionit të IKSHPK-së nga e hëna mësimi të kthehet me orar të plotë dhe të rregullt”, tha ajo.

Ndër pikat e tjera të prezantuara në këtë rezolutë ishte edhe vaksinimi i të gjithë mësimdhënësit në të gjitha nivelet deri më 1 shtator.

“Obligon qeverinë që deri më 1 shtator të vaksinohen të gjithë mësimdhënësit në të gjitha nivelet duke përfshirë institucionet publike dhe private në mënyrë që të jemi të përgatitur për fillim të vitit shkollor 2021/2022. Obligon qeverinë e Republikës së Kosovës që të zhvillojë programe trajnuese për të përmirësuar aftësitë digjitale dhe të mësimdhënies në distancë të mësuesve. Obligon qeverinë e Kosovës që të ndajë mjete financiare shtesë për komunat të cilat kanë nevojë me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe të masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19. Obligon qeverinë e Kosovës që të ndajë mjete financiare shtesë për institucionet publike të arsimit për qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe masave mbrojtëse dhe parandaluese nga virusi COVID-19 në hapësirat universitare. Obligon qeverinë e Kosovës që të udhëzojë institucionet e arsimit të lartë që të hartojnë plane dhe udhëzues për përmirësimin e organizimit të arsimit sipas specifikave të fushave përkatëse studimore”, tha ajo.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments