Thursday, May 13, 2021
HomeLajmeU tha se njëri nga ta do të jetë kandidat i LDK’së...

U tha se njëri nga ta do të jetë kandidat i LDK’së për Prishtinën, flasin Dardan Sejdiu e Alban Zogaj

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka treguar për asnjë prej emrave që do të jenë kandidatë në zgjedhjet lokale që mbahen në tetor të këtij viti. Pasi kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, kishte deklaruar se me ardhjen e tij në këtë pozitë, nuk do të kandidojë në zgjedhjet lokale, është raportuar se LDK do të kandidojë me Dardan Sejdiun ose me Alban Zogajn

Për garën që do të mbahet në të gjitha komunat, partitë politike kanë fokusin më të madh te kandidati për kryeqytetin.

Derisa disa nga partitë politike kanë treguar se kush do të jetë kandidati i tyre për Prishtinën, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk ka dalë me një emër me të cilin tenton ta rikthejë kryeqytetin që dikur e kishte bastion të vet.

Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje e më pas ish-shefi i deputetëve të Partisë Socialdemokratike të Kosovës, Dardan Sejdiu, është një ndër emrat e përmendur si kandidat i LDK’së për Prishtinën, në zgjedhjet komunale të këtij viti.

Por, vetë Sejdiu po thotë se nuk ka koment për këtë.

“S’kam koment për këtë çështje”, ka deklaruar Sejdiu për Express.

Ndërkaq emri tjetër për të cilin është raportuar se do të jetë kandidat i  LDK’së për Prishtinën, është Alban Zogaj.

Zogaj ka qenë ish-shef i kabinetit të kryetarit të tanishëm të LDK’së, Lumir Abdixhikut, në kohën kur ishte në krye të Ministrisë së Infrastrukturës.

Zogaj ka deklaruar se raportimet e deritanishme janë të pavërteta.

“Nuk ka asgjë të vërtetë një herë këtu, janë krejt spekulime, për arsye se këto biseda bëhen në kryesi e më vonë kryetari e bën publike. Por nuk ka një herë asnjë diskutim në këtë drejtim, janë spekulime të mediave për momentin”, ka thënë Zogaj.

Zogaj deklaroi se në LDK është duke u punuar për emrat e kandidatëve dhe së shpejti kjo parti do t’i tregojë të gjithë kandidatët e saj për zgjedhjet komunale.

“Nuk ka pasur asnjë bisedë në këtë drejtim një herë, ne jemi duke punu në atë drejtim dhe së shpejti dalim me kandidatë për krejt komunat”, ka deklaruar Zogaj.

Express ka pyetur edhe kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun, për Dardan Sejdiun dhe Alban Zogajn, por i njëjti nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

Ndryshe, sipas analistit Astrit Gashi, vetë kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, duhet të kandidojë në Prishtinë.

Gashi pati deklaruar për Express se Abdixhiku duhet t’i futet garës për ta ndihmuar partinë.

“Lumir Abdixhiku është personi i vetëm që mund t’i sjellë rezultat të mirë LDK-së në Prishtinë, ai duhet të hyjë në garë dhe t’i ndihmojë partisë që e udhëheq dhe jo të fshehët prapa pozitës së kryetarit- edhe me kusht që garimi i tij nuk përfundon me fitore, por me rritje votash për partinë”, ka deklaruar Gashi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments