Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë një deklaratë të fortë për kërcënimin bërthamor që vjen nga Irani, duke thënë se ky shtet ishte shumë afër krijimit të një arme bërthamore.
Në një intervistë për CNN, Trump tha se beson që Irani ishte “vetëm disa javë larg” nga prodhimi i armës bërthamore dhe theksoi rrezikun katastrofik që një zhvillim i tillë do të kishte për botën.
“Unë kam thënë për 20 vjet, ndoshta edhe më gjatë, që Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. E kam thënë prej shumë kohësh, dhe mendoj se ata ishin disa javë larg për ta pasur një të tillë,” tha ai.
Trump shkoi edhe më tej, duke akuzuar Iranin për qëllime të qarta shkatërruese.
“Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, është shumë shkatërruese. Dhe ata do ta përdornin,” shtoi ai. “E dini, unë besoj që ata do ta përdornin. Të tjerët nuk do ta përdornin, por unë besoj që ata do ta përdornin. Pra, kaq. Është shumë e thjeshtë.”
Këto deklarata vijnë në një kohë kur administrata amerikane aktuale po jep sinjale të përziera përsa i përket informacionit të inteligjencës mbi progresin e Iranit në fushën bërthamore.