Sunday, April 28, 2024
HomeBotaSolana dënon pengimin e hetimeve të GjND-së për Palestinën

Solana dënon pengimin e hetimeve të GjND-së për Palestinën

Mbi 50 ish-ministra të jashtëm, ish-kryeministra dhe ish-zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, përfshirë dy ish-ministra britanikë, kanë nënshkruar një letër të hapur me të cilën i dënojnë ndërhyrjet në përpjekjet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’i hetuar krimet e pretenduara të luftës në Palestinë.

Kjo letër erdhi pasi administrata e ish-presidentit Trump u kishte vendosur sanksione zyrtarëve të GjND-së – ndonëse kjo politikë tashmë është rrëzuar nga administrata Biden – dhe gjithashtu po shihet si goditje për kryeministrin britanik, Boris Johnson, shkruan The Guardian.

Johnson tha muajin e kaluar se hetimet e GjND-së, të nisura në mars, e japin “përshtypjen e një sulmi të njëanshëm dhe paragjykues ndaj një miku dhe aleati të Mbretërisë së Bashkuar”, duke iu referuar Izraelit. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se çfarëdo hetimi nga GjND-ja do të ishte antisemitizëm i pastër.

Në mesin e figurave që e nënshkruan këtë letër janë disa ish-kryeministra, përfshirë Jean-Marc-Ayrault të Francës, John Bruton të Irlandës, Ingvar Carlsson të Suedisë dhe Massimo d’Alema të Italisë. Letrën e nënshkroi edhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana.

Duke i dënuar “sulmet në rritje ndaj GjND-së, stafit të saj dhe grupeve të shoqërisë civile që po bashkëpunojnë”, në letër thuhet se lëvizjet e administratës Trump kundër kësaj gjykate janë pjesë e një trendi më të gjerë.

“Tani është thellësisht shqetësuese kritika e pajustifikuar publike ndaj gjykatës sa u përket hetimeve prej saj për krime të pretenduara të luftës të kryera në territorin palestinez, përfshirë akuzat e pabaza për antisemitizëm”, thuhet në letër.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments