Shoferi që shkaktoi aksidentin me fatalitet në nëntor të vitit të kaluar, në rrugën ‘C’ në Prishtinë, ku goditi për vdekje një këmbësore, ka dalë sot para Gjykatës, ku është shpallur aktgjykimi ndaj tij. I akuzuari Melvin Dinaj, 19-vjeçar, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vjet burgim dhe 5 vjet ndalim vozitje. Në kohën kur shkaktoi aksidentin, Dinaj lëvizte pa patentë, dokument ky që i ishte konfiskuar për shkelje të rregullave në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, rreth një muaj para aksidentit, Dinaj u dënua me 300 euro gjobë nga Policia e Trafikut, iu shqiptua masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të veturës për 3 muaj dhe 3 pikë negative.

Por, gjoba siç duket nuk ia la shenjë dhe nuk e ndali që të lëvizte pa patentë shofer, periudhë kjo gjatë së cilës shkaktoi aksidentin, ku tragjikisht humbi jetën 56-vjeçarja, Dashurije Gashi nga Suhareka.

Në dokumentin e siguruar nga Sinjali thuhet se Dinaj është dënuar më 23 tetor, pasi dyshohet se jashtë zonës urbane, saktësisht në Veternik të Prishtinës, ka lëvizur me veturë mbi 50 km/h mbi shpejtësinë e lejuar.

Kujtojmë se ky nuk është rasti i vetëm që shoferët që kanë shkaktuar aksidente të rënda, kanë lëvizur pa patentë shofer, duke rrezikuar pjesëmarrësit në trafik.

Kështu ndodhi edhe me rastin e Prizrenit, ku 22-vjeçari që shkaktoi aksidentin në dhjetor të vitit të kaluar, ku goditi një këmbësor, ka shpëtuar pa kaluar asnjë ditë në burg. Gjykata e shpalli fajtor Xhemali Zhurin dhe e dënoi me 6 muaj burgim, që iu zëvendësua me 1 mijë e 600 euro gjobë.

22-vjeçari, i cili ka hiç më pak se rreth 70 tiketa për rastet në të cilat është dënuar nga Policia e Trafikut, 65 prej të cilave as nuk i paguar dhe kapin vlerën e rreth 9 mijë eurove, ka mbetur dhe pa patentë shofer.

Siç mëson Sinjali, ky dokument i është sekuestruar nga Policia edhe për 7 vjet të tjera, deri në vitin 2031.