Të enjten, 7 anëtaret e Gjykatës do të rimblidhen për të dëgjuar argumentet e Presidentit përse ai e quan antikushtetues shkarkimin nga parlamenti ne Qershor 2021 pasi Komisioni Hetimor i ngritur prej tij arriti në përfundimin se kreu i shtetit kishte shkelur rendë Kushtetutën me qëndrimet dhe deklaratat e mbajtura gjate procesit zgjedhor të 25 Prillit.

Në nisje të seancës, përfaqësuesi ligjor i Metës kërkoi tërheqjen ose dorëheqjen nga gjykimi të 7 anëtarëve të Gjykatës me pretendimin se kishin konflikt interesi dhe mund të mos jepnin një vendim të paanshëm për këtë çështje.

Kërkesa u hodh poshtë nga Gjyqtarët si qartësisht e pabazuar. Po ashtu nga presidenca u kërkua që për shkak se shkarkimi i Metës ishte bërë nga një parlament të cilit i ka përfunduar mandati në Shtator të 2021 duhet kërkuar një autorizim nga parlamenti aktual për të legjitimuar vazhdimin e procedurës se shkarkimit nga Gjykata.

“Kërkesa e Kuvendit të vjetër duhet të shqyrtohej brenda afatit 19 shtator sepse lidhet jo vetëm me skadimin e afatit por edhe sepse kuvendit të vjetër i përfundoi mandati”, tha Dervishaj.

Për këtë pretendim të presidentit, Gjykata tha do të shprehej në vendimin përfundimtar. Ndërsa Kuvendi që përfaqësohej nga kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla thanë se kërkesa ishte pa sens ligjor dhe kushtetues.

Në parashtrimet e tyre përfaqësuesit e Kuvendit argumentuan se presidenti ka kryer shkelje të rënda kushtetuese duke legjitimuar shkarkimin e tij pasi nuk ka qëndruar mbi palët gjatë procesit zgjedhor të 25 Prillit, por është bërë palë dhe aktor politik me deklaratat dhe veprimet si dhe nuk ka përfaqësuar unitetin kombëtar./