Sunday, June 13, 2021
HomeLajmeKosovaProkuroria kërkon dënimin e Gani Gecit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, i...

Prokuroria kërkon dënimin e Gani Gecit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, i akuzuari thotë se bëhet fjalë për vetëmbrojtje

Prokurori Naim Beka ka kërkuar dënimin e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, lidhur më akuzën për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014. Kurse i akuzuari Geci ka kërkuar nga gjykata që të veproj në bazë të provave, pasi thotë se bëhet fjalë për vetëmbrojtje.

 

Këto u thanë në seancën e së mërkurës, gjatë së cilës palët dhanë fjalët e tyre përfundimtare për këtë rast.

Në fjalën e tij, prokurori Beka deklaroi se mbetet pranë aktakuzës dhe kërkoi nga gjykata që të akuzuarin Geci ta shpall fajtor e ta dënoj sipas ligjit.

Ai gjithashtu ka kërkuar nga gjykata që ta këtë parasysh kërkesën e Halime Shaqirit si palë e dëmtuar, për kompensimin e dëmit.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrecë Dodaj fjalën e tij përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, duke kërkuar që e njëjta të jetë pjesë e shkresave të lëndës.

Tutje, i pandehuri Geci kërkoi nga gjykata që të veproj në bazë të provave, sepse nga e gjithë kjo tha se bëhet fjalë për një vetëmbrojtje, për shkak të sulmeve dhe frikës së akumuluar.

Pas deklarimeve të tyre, gjykatësi Radosllav Markoviq e caktoi shpalljen e aktgjykimit për 4 qershor 2021, në ora 14:30.

Ndryshe, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka edhe kishte hequr dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci kishte deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë.

Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci kishte thënë se nuk ndihet fajtor.

“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, kishte deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit 2021.

Mirëpo, pranimi i fajësisë ishte refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas ankesave të ushtruara në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit më 26 shtator 2017 kishte anuluar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.

Gani Geci akuzohet se Ruzhdin Shaqirin e kishte vrarë në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments