Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se e ka kërcënuar njerkën e tij dhe babain.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se sherri ka plasur pasi djali ka pasur një mosmarrëveshje momentale me të atin, që ka eskaluar më pas duke e kanosur nëse e denoncon në Polici.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka kërcënuar babanë duke i thënë se nëse Policia vihet në dijeni për atë që kishte ndodhur, “do ta vrasë gruan e tij”.

Përballë kësaj situate, rasti është denoncuar dhe Policia e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacion të dyshuarin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë.