Friday, May 3, 2024
HomeLajmeKosovaOperacioni “Pika”: Gjykata merr vendim edhe për 24 zyrtarët tjerë të arrestuar

Operacioni “Pika”: Gjykata merr vendim edhe për 24 zyrtarët tjerë të arrestuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 15 zyrtarëve policorë që u arrestuan të hënën gjatë operacionit të koduar “Pika”.

Ndërsa, ndaj nëntë zyrtarëve të tjerë është caktuar masa paraqitje në stacionin policor në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit të hënën është zhvilluar aksioni i koduar me emrin “Pika”, ku u arrestuan 50 zyrtarë shtetërorë, nga të cilët 48 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga Shërbimi Doganor i Kosovës.

Aksioni erdhi pas rreth një viti hetimesh, përkatësisht nga muaji maj i vitit 2021 dhe në hetim kanë qenë të angazhuar dy prokurorë.

Gjatë së martës, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e paraburgimit edhe për 25 zyrtarët e tjerë të arrestuar – ndërsa vetëm njëri është liruar për shkak të gjendjes shëndetësore.

Njoftimi i plotë i gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e sigurisë kundër njëzet e katër të pandehurve

Prishtinë 16 mars 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.TH, A.B, A.D, A.P, B.K, I.I, K.A, L.M, M.B, M.M, O.S, S.H, SH.K, U.M, E.T, S.ZH, A.B, B.XH, B.B, B.K, B.B, K.B, M.U dhe R.A për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotorpe dhe analoge e sanksionuar me nenin 267 paragrafi 3 të KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e sanksionuar me nenin 414 paragrafi 1 të KPRK-së, Marrja e ryshfetit, e sanksionuar me nenin 421 paragrafi 2 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit e sanksionuar me nenin 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe Kontrabandimi i mallrave e sanksionuar me nenin 311 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A .TH, A.B, A.D, A.P, B.K, K.A, L.M, M.B, M.M, O.S, S.H, SH.K, U.M, E.T, S.ZH e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, të pandehurve iu është caktuar paraburgimi në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së.

Kundër të pandehurve I.I, A.B, B.XH, B.B, B.K, K.B, M.U, B.B, dhe R.A është refuzuar kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtëve ju është caktuar masa paraqitje në stacionin policor në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç.

Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments