Friday, April 26, 2024
HomeLajmeKosovaNagavci për mësimin plotësues në Kamenicë: S’kemi ndërhyrë në kompetenca të komunës

Nagavci për mësimin plotësues në Kamenicë: S’kemi ndërhyrë në kompetenca të komunës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, deklaroi sot se nuk ka ndërhyrë në kompetencat e nivelit komunal kur ka marrë vendim që në Komunën e Kamenicës të organizohet mësim plotësues i përshpejtuar.

 

Ajo duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve, tha se është obligim i saj kushtetues për të kthyer të gjithë nxënësit në shkolla.

“Janë tri çështje, është reforma, është riorganizimi i shkollës dhe është mësimi alternativ i përshpejtuar. Ne jemi në përgatitje dhe do të angazhohemi për riorganizimin e shkollave në nivel të Kosovës. Kryetari i Komunës dhe prindërit duhet sa më parë të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që fëmijët të mos kalojnë në situata çfarë kanë kaluar. Si ministre e Arsimit kam marrë vendimin për organizmin e mësimit alternativ të përshpejtuar, i cili është obligim i imi kushtetues për të kthyer të gjithë fëmijët në shkollë dhe pyetja ime këtu për deputetët që vazhdojnë të përdorin këtë çështje për qëllime politike ndryshe nga unë, e cila kam parasysh gjithmonë interesin më të mirë të fëmijëve është e thjeshtë, a mendoni se fëmijët duhet të jenë në shkollë apo mendoni që më shumë se 440 fëmijë duhet të vazhdojnë ashtu siç kanë qëndruar pa shkuar në shkollë për më shumë se 1 vit? Ky vendim, ju njoftoj, se nuk ka të bëjë asnjë ndërhyrje në kompetencat e nivelit komunal. Ne kemi marrë vendim për mësim alternativ dhe nuk kemi ndërhyrë në çështje të komunës”, tha ajo.

E para e arsimit i ka dhënë përgjigje edhe deputetit të PDK-së Ferat Shala, sa i përket mbështetjes së hulumtimeve në institucionet e arsimit të lartë. Nagavci tha se tashmë kanë përgatitur udhëzimin administrativ, i cili është në diskutim publik dhe tha se shumë shpejt pritet të miratohet në qeveri.

Ajo tha se ky udhëzim parasheh dy forma të stimulimit të profesorëve dhe mësimdhënësit sa i përket hulumtimeve, e para tha se janë grante për mësimdhënësit që e përfshijnë hulumtimin në mësimdhënien e tyre në nivelin akademik dhe e dyta përmes shpërblimeve të mësimdhënësve të cilët kanë pasur rezultate të larta.

Ndërkaq, e ka quajtur të pakuptimtë kritikën e deputetëve të opozitës sa i përket vendimit për të organizuar mësim plotësues.

“Për mua është shumë e pakuptimtë se si ka deputetë që e quajnë vendim skandaloz, sepse besoj që shumica prej nesh qe kemi qenë këtu ose jemi të ndërlidhur me procesin e arsimit në forma të ndryshme jemi të vetëdijshëm që gjithandej në shkollat e Republikës së Kosovës ka mësimdhënës të ndërgjegjshëm, të cilët punojnë edhe me orë plotësuese edhe me orë shtesë për t’iu ofruar nxënësve atë që kanë nevojë. Unë mbaj mend vetën kur kam qenë nxënëse, kur kam qenë mësimdhënëse, kur kam qenë drejtoreshë e shkollës, edhe drejtoreshë komunale, po edhe tani kam marrë pjesë vetë në orët shtesë që janë organizuar në shkolla, kam mbajtur orë plotësuese për nxënësit në nevojë dhe për ata të talentuar. Njoh shumë kolegë të mi që e bëjnë këtë punë dhe të shohësh që sot jepen deklarata të tilla për mua është pak e habitshme”, tha ai.

Nagavci tha se ka probleme për mësimin në gjuhën e komuniteteve dhe se janë duke e trajtuar me prioritet këtë çështje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments