Nënkomiteti për Evropën pranë Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së do të mbajë sot një seancë dëgjimore për politikën amerikane dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Seanca me titull “Politika e SHBA-së dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor” do të nisë në orën 10:00 sipas kohës në Uashington, përkatësisht në orën 16:00 sipas kohës në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.
Sipas raportimeve të mediave boshnjake, në fokus të veçantë pritet të jenë Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, raportonVijesti.
Para ligjvënësve amerikanë do të dëshmojë Daniel J. Lawton, zëvendës-ndihmës sekretar në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit.
Seanca do të drejtohet nga republikani Keith Self, kryesues i Nënkomitetit për Evropën.
Një nga temat që mund të marrë vëmendje është politika e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Kongresmeni republikan Joe Wilson, anëtar i komitetit, e ka kritikuar në javët e fundit Vuçiqin lidhur me zhvillimet në Serbi dhe veçanërisht për ceremoninë e varrimit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Në fokus pritet të jetë edhe Republika Srpska dhe sanksionet ndaj Milorad Dodikut. Kongresmeni William Keating ishte ndër nënshkruesit e një letre drejtuar Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë, përmes së cilës kërkohej rishikimi i vendimit për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe zyrtarëve e individëve të tjerë të lidhur me autoritetet e Republikës Srpska.
Ndërkohë, më 16 dhe 17 shtator, në Senatin amerikan janë planifikuar seanca dëgjimore për kandidatë për poste diplomatike. Mes tyre është edhe Ronald Johnson, i nominuar nga presidenti Donald Trump për ambasador të SHBA-së në Bosnjë-Hercegovinë.
Seanca e Dhomës së Përfaqësuesve është e hapur për publikun dhe pritet të transmetohet drejtpërdrejt përmes faqes së Komitetit të Punëve të Jashtme.

