Përveç rritjes së çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë, gjatë këtij muaji çështja e derivateve në Kosovë u diskutua edhe për shkak të shmangieve nga tatimet. Kontrollet që aktualisht bëhen nga shteti në këtë fushë, nuk kanë mjaftuar për t’i eliminuar abuzimet. Ato mund të vazhdojnë edhe me naftën e subvencionuar nga Qeveria, që tregtarët mund ta fusin pa akcizë e t’ua shesin qytetarëve me çmim të tregut. Sipas ish – Ministrit Vesel Krasniqi, një marrëveshje e nënshkruar nga Ministria e Tregtisë me një kompani zvicerane që do të bënte shenjëzimin e derivateve që hyjnë në Kosovë, do t’i jepte fund informalitetit dhe evazionit fiskal. Ministrja Rozeta Hajdari, gjatë raportimit në Komision kur është pyetur për këtë nuk e ka përjashtuar si zgjidhje, por ka thënë se kanë trashëguar një “proces të ngutshëm dhe pa bazë ligjore që nuk e ka paraparë markimin”.
Me anulimin e pjesërishëm të Udhëzimit administrativ për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës, kontrabanduesve iu la rruga e hapur për të vazhduar me atë që dinë ta bëjnë më së miri.
Në maj të vitit 2021, Ministrja Rozeta Hajdari, anuloi Nenin e këtij Udhëzimi, që parashihte markimin e derivateve me një substancë molekulare, duke thënë se është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
“Dispozitat kyçe të Udhëzimit Administrativ (MTI) nr.09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës (tutje “Udhëzimi 09/2020) janë qartazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, andaj duhet të revokohen”, thuhej në vendim.
Por, para se Hajdari ta anulonte pjesërisht Udhëzimin Administrativ, Ministria e Tregtisë kishte nënshkruar tashmë një marrëveshje për shënjimin molekular të derivateve të naftës me kompaninë zvicerane SICPA.
Përmes shënjimit molekular, e gjitha nafta që do të futej në territorin e Kosovës do të shënjohej me një përbërës të veçantë kimik që do t’i mundësonte pastaj institucioneve të verifikojnë në mënyrë të saktë nëse nafta është kontrabanduar. Përveç kësaj, kjo do t’i mundësonte Qeverisë që të gjurmojë dhe monitorojë në mënyrë aktive cilësinë e naftës në tregun e brendshëm.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje kishte ardhur pas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditorit, ku ishin ngritur dyshime për cilësinë e naftës.
“Sistemi ekzistues i kontrollit dhe monitorimit të cilësisë së derivateve të naftës nuk është në gjendje të sigurojë cilësinë e derivateve të naftës në importe dhe në tregun e brendshëm. Përkundër përpjekjeve për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës, kontrolli dhe monitorimi i këtyre produkteve është përcjellë me mangësi të shumta, dhe kjo ka ndikuar që të mos sigurohet cilësia e derivateve të naftës në import dhe në tregun e brendshëm”, thuhej në këtë raport të Auditorit.
Raporti i auditorit
Por, ndonëse e nënshkruar tash e sa kohë, marrëveshja s’po implementohet.
Për arsyen e moszbatimit të marrëveshjes, s’janë përgjigjur as Ministria e Tregtisë e as Qeveria e Kosovës. Përgjigje s’ka dhënë as Dogana, kur është pyetur se si e parandalojnë mundësinë që nafta e subvencionuar për bujqit të mos përdoret për qëllime të tjera.
Ish-ministri Krasniqi: Vendi mund të përfundojë në Arbitrazh për këtë marrëveshje
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, në kohën e të cilit është nënshkruar marrëveshja, ia ka lënë fajin ministres aktuale, Rozeta Hajdarit, për mos zbatimin e këtij projekti.
Në një bisedë për Express, Krasniqi ka thënë se për këtë projekt ishin kryer të gjitha procedurat ligjore sa ishte ai ministër.
Për arsyen e stopimit të projektit, thotë se duhet të pyetet ministrja Hajdari.
“Në kohën sa kam qenë unë Ministër, e kemi nxjerrë udhëzim administrativ për cilësinë e derivateve të naftës. Ky ka qenë edhe në bazë të vërejtjeve të auditorit, dhe unë e kam gjet në planin e punës të po kësaj ministrie, në atë kohë që ishte Qeveria Kurti 1 dhe ne e kemi procedu sigurisht me të gjitha procedurat. Pastaj pas ardhjes së Qeverisë Kurti 2, e kanë stopu mduket gjithë procedurën. Marrëveshja është nënshkru edhe me operatorin ekonomik, i cili do ta zbatonte një pikë rreth shënjimit të derivateve të naftës, mirëpo pas një arsye që unë nuk e di, ma mirë është me pyet vetë Rozeta Hajdarin, pse nuk ka fillu punën. Të gjitha procedurat, të gjitha proceset në mënyrë ligjore janë kry, mirëpo është çështje e ministres, e cila i ka ndërpre këto procese. Është mirë me pyet ata, pse është ndërpre. Nga ana ime, sigurisht që nuk është asnjë arsye”, ka thënë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, implementimi i këtij projekti është shumë i nevojshëm. Deklaron se me të do të luftohej kontrabanda e derivateve dhe se do të rritej edhe cilësia.
“Me këtë udhëzim dhe me këtë qëllim dhe më këtë kompani, sigurisht se dy gjëra do të luftoheshin apo më mirë me thanë informaliteti, që po e shihni që po bëhet çdo ditë më aranzhimin e çmimeve dhe kontrabandën e derivateve të naftës, që hyjnë edhe ilegalisht e që do të dëmtohej ekonomia informale, dhe në anën tjetër do të rritej edhe cilësia e derivateve, ku kemi pas në atë kohë kur kam qenë unë ministër, kemi pas shumë ankesa nga konsumatorët, që mundeni me i marr në Departamentin e Konsumatorëve që i drejtojnë ankesat, i keni statistikat sa ankesat i kanë pas në këtë fushë”, ka deklaruar ish-ministri.
Krasniqi ka paralajmëruar edhe për mundësinë që Shteti të përfundojë në Arbitrazh, pas moszbatimit të kësaj marrëveshje.
“Me sa kam dëgju edhe është e drejtë e kompanisë që ta dërgon edhe në Arbitrazh Ministrinë apo Qeverinë e Kosovës. Kjo do të ishte vërtetë shumë e dhimbshme për neve, do të ishte një humbje, sepse përveç që do t’kishim humbje të atyre që i thash, në të njetën kohë do të ishte edhe një gabim i madh, i paarsyeshëm konsideroj, një neglizhim i tillë. Nëse nuk do të bëhet, kompania do të na padisë në Arbitrazh dhe pastaj humbjet do të ndikojnë sigurisht edhe në buxhetin e Kosovës.
Praktikisht, kompania vec ka fillu që të investojë në Kosovë, në të gjitha pikat hyrëse, më mirë me thanë në Doganat e Republikës së Kosovës. Ka fillu me i instalu, sigurisht atë bazën e vetë, në të gjitha pikat. Më s’jam marrë me ketë çështje, sepse s’është më kompetencë e imja. Për këtë arsye, vlerësoj që duhet të jap dikush përgjegjësi për këtë papërgjegjësi në kryerjen e obligimit, sepse faktikisht Kosova ka hy në obligim me marrëveshjen që është nënshkru”, ka thënë Krasniqi.
A ka ndonjë mekanizëm që nafta për bujqit të shkojë tek ata pa u keqpërdorur?
Gazeta Express ka dërguar pyetje që një jave në Ministrinë e Tregtisë dhe Qeverinë e Kosovës, për të marrë informacione se çka ka ndodhur me këtë marrëveshje, por s’ka marrë përgjigje.
Mos markimi i këtyre derivateve rrit edhe mundësinë e keqpërdorimit të naftës që subvencionohet për bujqit.
E për këtë punë, Ministrja Rozeta Hajdari, është deklaruar dje në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Gjatë raportimit, kryesuesi i Komisionit, Ferat Shala pyeti nëse Ministria ka ndonjë mekanizëm që nafta për bujqit të shkojë tek bujqit pa u keqpërdorur.
Hajdari tha se për ketë çështje tha se është trashëguar një udhëzim administrativ pa bazë ligjore.
“Kemi trashëguar një proces të ngutshëm dhe pa bazë ligjore që nuk e ka paraparë markimin dhe shenjëzimin e naftës. Ne kemi anuluar pjesërisht udhëzimin”, tha ajo.
Sipas saj nuk është problemi te nafta për qëllime bujqësore, por është problem që nafta hyn për qëllime bujqësore e pastaj përdoret për qëllime tjera.
Gazeta ka dërguar pyetje në Doganën e Kosovës për këtë çështje, por as nga ky institucion s’ka marrë përgjigje.
Si e zbuluan kontrollet doganore mashtrimin me taksa në lartësinë prej 600.000 mijë euro
Dogana e Kosoves, para 10 ditësh kishte njoftuar se, në saje të aktviteteve të kontrollave të orientuara tek fushat me rrezikshmëri të lartë për shmangie të detyrimeve doganore, ka zhilluar inspektime dhe është në vijim të inspektimeve tjera. Nga ky aktivitet zyrtarët doganor kanë gjetur dyshime për shmangie taksash nga tri subjekte që operojnë në fushën e tregtisë me derivate të naftës.
Si rezultat është zbuluar lirimi i bazuar ne dokumente te falsifikura nder vite, fillimisht nga keto tri subjekte që kanë deklaruar edhe ndërlidhjen mes vete. Dyshimi ështe se keto subjekte kanë liruar në import derivate duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 600 mijë euro gjatë tre viteve të fundit.
Dogana ka njoftuar prokurorin kujdestar dhe me vendim të prokurorit janë arrestuar personat përgjegjës të tri subjekteve të përfshira në këto procedura lirimi, përderisa hetimi do të vijoj në zbardhjen e rrethanave të këtyre rasteve.
Dogana e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Dogana e Kosovës fton qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes jo etike të zyrtarëve doganor në numrin e telefonit 080050095.