Monday, September 28, 2026
HomeLajmeKosovaLEX | Dëbimi i mbi 862 mijë shqiptarëve gjatë luftës – sot...

LEX | Dëbimi i mbi 862 mijë shqiptarëve gjatë luftës – sot pritet seanca ndaj 21 të akuzuarve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special pritet të mbahet sot shqyrtimi fillestar ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte kundër popullsisë civile, në rastin që lidhet me dëbimin masiv të shqiptarëve nga Kosova gjatë vitit 1999.

Seanca është caktuar për orën 09:30, në Pallatin e Drejtësisë, nën kryesimin e gjyqtares Medie Bytyqi. Të akuzuarit janë të paarritshëm për autoritetet e Kosovës dhe gjykata u ka bërë thirrje të dorëzohen.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës janar–qershor 1999, të pandehurit kishin autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat ushtarake e policore serbe. Prokuroria pretendon se ata kishin dijeni për sulmet ndaj vendbanimeve shqiptare, djegien e pronave, përndjekjen dhe zhvendosjen me dhunë të civilëve.

Këto veprime, sipas akuzës, rezultuan me dëbimin e 862 mijë e 979 shqiptarëve drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së atëhershme. Të pandehurit ngarkohen mbi bazën e përgjegjësisë komanduese.

Siç ka raportuar Sinjali, seanca e 15 shtatorit kishte dështuar pasi mbrojtësit nuk ishin pajisur me dosjen e plotë dhe nuk kishin pasur mundësi të përgatiteshin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments