Monday, April 29, 2024
HomeLajmeKosovaLaws: Viktimat duan që Pjetër Shala të dënohet

Laws: Viktimat duan që Pjetër Shala të dënohet

Simon Laws, mbrojtës i viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, ka thënë se të mbrojturit e tij duan që i akuzuari të dënohet.

Ai tha se viktimat e njohin Shalën shumë mirë pasi sipas tij ai është njëri prej personave që është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Viktimat pjesëmarrëse në këtë çështje kanë këmbëngulur dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë gjykim. Në mënyra individuale, ata janë dëmtuar nga ajo se çfarë ka ndodhur në Kukës dhe dëshira e tyre mbi të gjitha është që ata të shohin që drejtësia të vendoset në vend. Në këtë çështje, kjo do të thotë se i akuzuari duhet të dënohet, të cilin ata e njohin shumë mirë, pasi ai është njëri prej personave që është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj tyre”, tha ai.

Po ashtu, Laws tha se disa prej të ndaluarve në Kukës kanë vdekur përpara se të fillonte gjykimin ndaj Shalës.

“Disa prej të ndaluarve në Kukës kanë vdekur përpara se kjo gjykatë kishte mundësi t’iu ofronte një mundësi për gjykimin e Pjetër Shalës, megjithatë zërat e tyre janë dëgjuar në formën e dëshmive që ata kanë lënë pas tyre. Fatmirësisht, të tjerët janë ende gjallë. Ata kanë ardhur këtu që ata të ndajnë përvojën e tyre me ne”, tha mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndryshe, deklarata përmbyllëse e mbrojtjes së viktimave sipas avokatit Laws do të zgjasë më shumë se një orë.

Laws: Disa njerëz duan të hiqen sikur s’ka ndodhur asgjë në Kukës, këmbëngulja e viktimave bën që drejtësia të vihet në vend

Në deklaratën përmbyllëse në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, mbrojtësi i viktimave Simon Laws ka thënë se disa njerëz duke përfshirë edhe dëshmitarët e mbrojtjes, kanë dashur të shtiren sikur nuk ka ndodhur asnjë krim në Kukës.

“Disa njerëz, duke përfshirë këtu edhe dëshmitarë të cilët janë thirrur nga mbrojtja duan të hiqen sikur nuk ka ndodhë asnjë krim atje, por fatkeqësisht kjo është një gënjeshtër. Atje janë kryer krime kundër njerëzve të cilët nuk e kanë pasur asnjëherë mundësinë që të dalin përpara një gjyqi si ky. Nuk kanë pasur asnjëherë mundësinë që t’i shikojnë provat kundër tyre dhe aq më pak t’i kundërshtojnë ato, por në fakt janë mbajtur në vende ndalimi në mënyrë arbitrare”, tha Laws.

Ai tha se viktimat kanë këmbëngulur në këtë çështje dhe sipas tij nëse kjo ndodh, bën që drejtësia të vihet në vend, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ka pasur shumë viktima që kanë folur. Shumë prej tyre kanë pasur fuqinë dhe guximin për të na treguar se çfarë iu ka ndodhur sepse ekzistenca e fabrikës së Metalit në Kukës përtej shtetit të së drejtës ka qenë vetëm e përkohshme. Njëra prej gjërave që është demostruar në këtë çështje është që viktimat janë përgatitur dhe në qoftë se viktimat përgatiten që të këmbëngulin drejtësia mund të vihet në vend edhe pas shumë vitesh. Viktimat në këtë çështje kanë këmbëngulur dhe ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në këtë gjykim”, tha Laws.

Madje, Laws foli edhe për deklaratën e tij hyrëse në fillim të këtij gjykimit, ku kishte thënë se provat në këtë lëndë tregojnë se fabrika e metalit në Kukës ishte përtej sundimit të ligjit.

“Në deklaratën time hapëse për këtë lëndë gjyqësore unë fillova duke thënë këtë: Provat në këtë lëndë tregojnë se në periudhën e përcaktuar në aktakuzë, fabrika e Metalit në Kukës ishte një vend që ekzistonte përkohësisht përtej sundimit të ligjit dhe ajo se çfarë doja të thoja me këtë ishte që Fabrika e Metalit në Kukës ishte një vend krimi dhe mizorie. Një vend ku nuk ishte asnjë mundësi për një të ndaluar ose një të burgosur që të bënte ankesë dhe ku nuk dukej që kishte asnjë lloj mundësie që të bëhej ndonjë ndërhyrje nga një organ gjyqësor apo organ gjyqësor. Përgjegjëse aty ishte UÇK-ja dhe anëtarët e UÇK-së ishin personat që kanë kryer këto krime”, tha Laws.

Madje, sipas tij, situatat në të cilat ndodhej fabrika e Metalit në Kukës çojnë shpesh në abuzim, torturë dhe vrasje.

“Provat e paraqitura në gjykim, ne parashtrojmë se e kanë justifikuar këtë përshkrim që sapo bëra të Fabrikës së Metalit në Kukës. Pra, që funksiononte përkohësisht përtej sundimit të ligjit. Ky i akuzuar dhe persona të tjerë nga njëra anë kanë punuar nga një vend i cili ishte afër një shoqërie të zakonshme dhe funksionale, por nga ana tjetër ishin tërësisht të shkëputur prej saj. Fabrika gjendej shumë pranë rrugës nga qendra e qytezës së Kukësit, megjithatë në të njëjtën kohë, çelitë ku mbaheshin të burgosurit e UÇK-së mund të gjendeshin edhe në fushat më të djerra apo xhungla me të thella të planetit. Ata ishin përtej arritjes së sundimit të ligjit… këto situata shpesh çojnë në abuzim, qojnë në torturë dhe në vrasje”, tha Laws.

Sipas tij, një prej të këqijave lidhur me krimet që kryhen në konflikte janë që vendet e ndëshkueshmërisë lulëzojnë dhe kjo sipas tij është ajo se çfarë ka ndodhur saktësisht në Kukës.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Ndërsa, seancat për deklaratat përmbyllëse të palëve në këtë çështje janë caktuar për në muajin prill.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments