Saturday, May 18, 2024
HomeLajmeKosovaKurti s’kursehet në fushatë, “shpërndanë” miliona në mbledhjen e Qeverisë

Kurti s’kursehet në fushatë, “shpërndanë” miliona në mbledhjen e Qeverisë

Shtesa financiare për mjekët, ndarje buxhetore për blerjen e barnave esenciale dhe produkteve mjeksore, premtim për mbi 100 milionë euro buxhet për vitin e ardhshëm në sektorin e bujqësisë, prezantim i shumës së investitorëve të huaj në bujqësi e industri agro-ushqimore – të gjitha këto u realizuan përbrenda një ore në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë përgjatë së mërkurës, katër ditë përpara se të shënojë raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

 

Kandidatët e partisë politike me shumicë parlamentare dhe pjesë dërrmuese të ministrave, asaj të Lëvizjes Vetëvendosje, do të përballen në kutitë e votimeve në garën për 12 komuna të vendit për raundin e dytë të zgjedhjeve. Katër ditë përpara se të mbahet balotazhi, pushteti qëndror në mbledhjen e 44-të me radhë arriti t’i miratojë pesë projektligje.

Në fjalën hapëse përpara fillimit të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti fillojë t’i numëronte vendimet e marra në sektorin e bujqësisë, derisa premtoi edhe mbi 100 milionë euro buxhet në këtë dikaster dhe investime nga investitorë të huaj.

“Me buxhetin e ri për vitin 2022, do të realizohet përkrahja më e madhe ndonjëherë, me 70 milionë euro. E bashkë me përkrahjen nga Komisioni Evropian dhe donatorë të tjerë, në sektorin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në total do të investohen afërsisht 100 milionë euro”, deklaroi Kurti në mbledhje.

“Investitorët e huaj synojnë të investojnë afro 350 milionë euro në projektet si “Parku i Integruar Teknologjik Bujqësor i Kosovës” me investime që do të jenë në sisteme hidroponike, Institut Bujqësor Hulumtues, dhe gjenerim të energjisë alternative”, shtoi tutje ai pa dhënë një afat kohor të caktuar.

Tutje, kreu i ekzekutivit premtoi edhe ndarjen e 10 milionë eurove në rezervat shtetërore, sipas të cilit do të mbushen me prodhime vendore.

Përgjatë kësaj mbledhjeje të nivelit institucional u miratua edhe vendimi për pagesë shtesë prej 10 për qind, jo më pak se 60 euro, për punonjësit shëndetësor për muajin nëntor dhe dhjetor. Po ashtu, në këtë takim u miratua edhe shuma prej mbi 5 milionë eurosh që do të derdhet në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë si formë avansi nga UNOPS.

“Miratimin nga kabineti qeveritar e ka marrë edhe vendimi për pagesën shtesë prej 10 për qind, por jo më pak se 60 euro, për punonjësit shëndetësorë të sektorit publik, për muajt nëntor dhe dhjetor 2021. Për këtë qëllim janë ndarë 1 milion e 800 mijë euro”, u tha në njoftimin e kryeministrisë.

Megjithatë, vendimi për shtesat e mantelbardhëve u pa si “shaka” dhe “qesharake” nga spektri opozitar dhe ai sindikalist. Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nëpërmjet një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se Qeveria po vazhdon të ofendojë me lëmoshë punëtorët shëndetësor.

“Pra, kjo qeveri e dëshmoi edhe një herë mungesën e dijes dhe vullnetit për përkrahje të merituar të stafit shëndetësor në vend, duke vazhduar ofendimin me lëmosh të caktuar në emër të shtesës prej 10 për qind”, deklaroi Zemaj.

Ndërkaq, kryetari i Federatës së Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në një prononcim të lajmi.net ka thënë se nuk do të ketë pezullim të grevës së paralajmëruar. Shtesat e Qeverisë për mantelbardhët i quajti qesharake.

“Këto shtesa janë qesharake, ju i dini qëllimet tona më heret, dhe këto janë shtesa për të blerë kohë dhe nuk do të pajtohemi”, deklaroi Syla për mediumin.

Pak orë pas mbajtjes së mbledhjes së Qeverisë dhe asaj të kryetarve të grupeve parlamentare, Kurti me ekipën e tij politike nxitoi për në Podujevë, për ta përkrahur kandidatin e tyre në garën për këtë komunë, Shpejtim Bulliqin.

Kurti është paralajmëruar të shkojë sot edhe në Prizren e të mbajë aktivitete të fushatës zgjedhore bashkë me kandidatin për Prizrenin, Mytaher Haskukën, nga ora 16:00.

Kryeministri është parë përgjatë vizitës në Podujevë me automjet zyrtar, sikurse ka vepruar më herët nëpër komunat e tjera. Ky i fundit është kritikuar për shfrytëzimin e inventarit shtetëror për fushatë politike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments