Saturday, May 18, 2024
HomeLajmeKurti ndan detaje për arrestimin e policëve: Tryeza e ngrënies ishte 7...

Kurti ndan detaje për arrestimin e policëve: Tryeza e ngrënies ishte 7 metra larg veturës, u rrëmbyen nga 15 forca serbe

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se 15 forca serbe kanë sulmuar dhe rrëmbyer 3 policët shqiptarë brenda territorit të Kosovës. Pas vizitës së ambasadorit kosovar në Beograd, Jetish Jashari në burgun e Kralevës, Kurti ka thënë se ata i kanë dhënë atij tregime identike.

Kryeministri Kurti ka thënë se 3 policët janë rrëmbyer derisa ishin duke drekuar.

“Në momentin e rrëmbimit, tre policët tonë kanë qenë te tryeza e improvizuar për ngrënie, duke drekuar së bashku. Ata janë rrethuar nga 15 persona që i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Ambasadori ynë në Beograd, Jetish Jashari, sot i ka vizituar ndaras të tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Janë tri rrëfime identike nga tre policët”, ka thënë Kurti.

Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë, ka shkruar tutje Kurti.

“Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, ka thënë ai.

“Ne jemi në të drejtën tonë, në të drejtën e Republikës dhe këtë e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policor. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe të pacenuar”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka kërkuar edhe një herë nga faktorët ndërkombëtarë, BE, SHBA dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin serb.

“Njëkohësisht kërkojmë nga faktorët ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-ja që ta dënojnë agresionin e Serbisë që paraqet edhe shkelje të pikës 4 të Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, nga 9 qershori të vitit 1999. Në mesditën e 14 qershorit, u ushtrua agresion i Serbisë ndaj shtetit demokratik të Kosovës, me rrëmbimin e tre zyrtarëve të Policisë sonë, thellë në brendi të territorit të Republikës”, ka shkruar ai.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments