Tuesday, April 30, 2024
HomeLajmeKosova dje në Strasbourg u mbështet edhe nga deputetë të vendeve që...

Kosova dje në Strasbourg u mbështet edhe nga deputetë të vendeve që s’e njohin – disa prej tyre shkëlqyen me fjalime

Me një shumicë dërrmuese, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi pro raportit që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës. Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan. Para se të ndodhë kjo, Serbia u mobilizua që të luftojë Kosovën në këtë betejë. Përveçse dështoi te shumica e deputetëve që vijnë nga shtete përkrahëse, propaganda e saj nuk piu ujë as te disa deputetë nga shtetet mosnjohëse. Më i zëshmi gjatë gjithë debatit ishte rumuni Iulian Bulai.

 

Bulai, i cili është edhe zëdhënësi i grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, në fillim të fjalimit të tij ua bëri me dije kolegëve të tij se kanë lindur në shtete që tashmë s’ekzistojnë, duke përkrahur ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Ai tha se regjimet e vendet ndryshojnë, por organizata për të drejtat e njeriut në fokus ka njerëzit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

“Gjyshërit e mi kanë lindur në Mbretërinë e Rumanisë. Unë dhe prindërit e mi kemi lindur në një republikë komuniste. Fëmijët e mi kanë lindur në demokraci. Vendet dhe regjimet ndryshojnë. Njerëzit qëndrojnë. Dhe duke parë përreth në këtë Kuvend, vura re se në fakt më shumë se gjysma e anëtarëve të pranishëm këtu kanë lindur në vende që nuk ekzistojnë më. Prandaj, lufta jonë nuk është për vendet, por për të drejtat individuale”.

Për nga bindjet e tij partiake, Bulai tha se “kjo është një ditë historike nga pikëpamja liberale”.

“Ne po mbrojmë të drejtat e individëve. Jo të vendeve, jo të etnive. Vendimi i sotëm nënkupton më shumë të drejta për 1.6 milionë njerëz që jetuan luftën, plagët e të cilëve ende po shërohen dhe që janë të detyruar të ndërtojnë një të ardhme të re së bashku”.

Ai gjithashtu tha se vendimi i sotëm është një pikënisje dhe se presin që Kosova të përmbushë reformat e dakorduara dhe angazhimet ndërkombëtare.

Bulai gjithashtu vuri në pah edhe rrezikun e krijimit të një Republika Sprksa në Kosovë, por shtoi se të drejtat e qytetarëve serbë të Kosovës duhet të mbrohen.

“Kosova është e gatshme dhe e meriton të hyjë në Këshillin e Europës. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të sigurojë mbrojtjen e duhur të komuniteteve serbe. Duke u thënë kështu, ne nuk duhet të shkojmë në rrugën e gabuar të krijimit të mundshëm të një Republike të re Srpska në veri të Kosovës. Por nuk duhet të anashkalojmë as nevojën reale të minoritetit serb për t’u respektuar dhe përfshirë në Kosovë. Dua të falënderoj prezencën e ambasadorit serb por edhe ambasadorit të Kosovës. Është shume e rëndësishme. Është një sinjal i mirë që të kemi të dy këtu. Kështu që unë jam shumë mirënjohës për këtë. Dua të falënderoj, natyrisht, të gjithë për praninë tuaj dhe dua të them, në emër të familjes liberale, se i besoj urtësisë së Komitetit të Ministrave për të marrë vendimin e duhur për të ardhmen e 1.6 milion njerëzve – jo shtetit, jo etnisë, por njerëzve”, përfundoi ai fjalimin.

Një përkrahje tjetër i erdh Kosovës nga deputetja e shtetit të BE-së që më shumti e kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Deputetja spanjolle, Nerea Ahedo, që vjen nga grupi i njëjtë me Bulain, ALDE, përveç përkrahjen në Këshill të Europës, tha se edhe partia e saj në Spanjë e përkrah pavarësinë e Kosovës.

“Që kur Kosova shpalli pavarësinë e saj, partia ime politike, Partia Nacionaliste Baske, e ka mbështetur atë. Ne mendojmë se ishte një triumf i lirisë dhe demokracisë dhe besojmë se ky ishte edhe triumfi i vendimit të lirë të qytetarëve të Kosovës, prandaj duhet ta respektojmë atë dhe, natyrisht, të respektojmë të drejtën e pakicave, sikurse atë të serbëve në Kosovë. Të gjitha të drejtat e tyre duhet të respektohen”.

“Kosova dëshiron të bëhet anëtare e Këshillit të Europës. Më duket se i plotëson të gjitha kërkesat dhe kuadri ligjor i saj po i përshtatet kësaj situate. Edhe pse ka ende çështje që kërkojnë përmirësim. Siç thuhet me të drejtë raporti, anëtarësimi i saj në Këshillin e Europës do të forconte të drejtat e njeriut, do të konsolidonte demokracinë dhe natyrisht, qytetarët e Kosovës do të kishin qasje në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut – një arritje e madhe. Kosova do të jetë më shumë e lidhur me demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Prandaj, ne do ta mbështesim këtë rrugë dhe do të mbështesim rekomandimin që do t’i dorëzohet Komitetit të Ministrave duke ftuar Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Europës. Ne e presim me padurim këtë integrim dhe me të vërtetë mendoj se kjo do të jetë një mënyrë tjetër për të mbështetur stabilitetin dhe paqen brenda rajonit”.

Ajo tha se raportuesja greke, Dora Bakoyannis, kishte “absolutisht të drejtë” kur tha se raporti nuk flet për shtetësinë e Kosovës.

“Këshilli i Europës duhet të bëjë atë që duhet të bëjë, por ai nuk mund të preokupohet nga realitete të tjera. Unë nuk e kuptoj shumë këtë ose nuk e di se cilat mund të jenë arsyet për këtë ose cilat mund të jenë arsyetimet për këtë mosnjohje që kam deklaruar, duke pasur parasysh se pavarësia e Kosovës në fakt nuk i shkel dispozitat ligjore ndërkombëtare”.

Ahedo në këtë rast foli edhe për problemet e ngjashme të disa rajoneve të Spanjës, përfshirë edhe vendin e saj.

“Ndër shtetet që nuk e ka njohur Kosovën si shtet është edhe shteti i Spanjës, i cili ka ende çështje të pazgjidhura territoriale që ende nuk janë zgjidhur mjaftueshëm. E kam fjalën për Katalonjën ose në të vërtetë rajonin tim: Euskadi, Vendi Bask. Prandaj, përfitoj nga rasti për të thënë se ne duhet t’i zgjidhim këto çështje territoriale, por duhet ta bëjmë këtë duke respektuar plotësisht vendimin e qytetarëve. Ata kanë vullnet të lirë si njerëz, natyrisht, gjithmonë përmes dialogut dhe gjithmonë përmes marrëveshjes”.

Ajo bëri thirrje edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet europiane që ende s’e kanë bërë.

“Lidhur me temën e këtij raporti, prandaj do të doja të pyesja se në thelb është një apel për ata që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, ju lutemi ta bëjnë këtë. Kosova duhet të njihet plotësisht si shtet. Pse? Sepse kjo do të ishte një mënyrë për të respektuar vendimin e marrë nga qytetarët e Kosovës, i cili mua më duket vendimtar dhe përveç kësaj do të ndihmonte stabilitetin dhe paqen në rajon”.

Mbështetje e ndonjë fjalë shqipe pritej edhe nga deputeti ukrainas, Oleksii Goncharenko, i cili edhe më parë kishte mbajtur fjalime të zëshme pro Kosovës.

“Dua të përgëzoj Kosovën. Jam i sigurt se tani do të ketë një vendim pozitiv. Dhe vërtet Kosova e meriton, 100%. Ky është një moment shumë i madh, jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë ne. Sepse bota e lirë duhet të bashkohet, bota e lirë duhet të bashkohet tani. Tiranitë dhe perandoritë po përpiqen të hakmerren. Vetëm shikoni se çfarë po ndodh. Putin përpiqet të rindërtojë Perandorinë Ruse. Shikoni si ai është në sulm tani”.

Para Asamblesë së Këshillit të Europës, Goncharenko foli edhe për tendencat e rrezikshme ruse për të ndikuar në disa rajone.

“Çfarë po ndodh tani në Gjeorgji? Aty ku pikërisht tani, pikërisht tani Parlamenti Gjeorgjian po shqyrton të ashtuquajturin ligj për agjentët e huaj, i cili është një kopje e ligjit rus. Dhe njerëzit e Gjeorgjisë janë të zemëruar për këtë. Me këtë Rusia po përpiqet të marrë Gjeorgjinë nga Europa. Kjo është diçka që nuk duhet… nuk duhet t’ua japim këtë mundësi. Vetëm shikoni se çfarë po ndodh në Ballkan, ku Rusia po përpiqet të vërë vaj në zjarr. Dhe të ketë një zjarr të madh në Ballkan dhe një luftë të madhe atje. Tani po bëjmë një hap kundër kësaj. Sepse kur ka zona gri është gjithmonë shumë e rrezikshme. Kosova nuk duhet të jetë zonë gri. Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Europës, në të ardhmen anëtare e Bashkimit Europian”.

“Kosova është Europë”, tha shqip deputeti ukrainas.

“Dhe kjo është e vërtetë. Dhe ne duhet të shkojmë më tej. Ne duhet të ndihmojmë të gjitha vendet e tjera”.

Ai tha se Kosova dëshiron të jetë pjesë e botës së lirë dhe se këtë e meriton, ndërsa iu drejtua Serbisë se s’do të mund asnjëherë të realizojë ambiciet për “Perandorinë serbe”.

“Ne duhet të bëjmë hapin tonë sot dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, dua t’i drejtohem Serbisë. Vetëm shikoni vendet e tjera në histori. Ne ishim të lumtur që punonim së bashku me Serbinë demokratike, por ju kurrë nuk do ta rindërtoni Perandorinë serbe në Ballkan, kjo është më e pamundur. Dhe në përgjithësi nuk ka më vend në Europë për perandori, as ruse, as ndonjë tjetër. Thjesht ndaloni këtë revanshizëm, thjesht kthejeni këtë faqe dhe jini me ne dhe le të ndërtojmë së bashku. Thjesht ndaloni këto lidhje me Putinin dhe diktatorët e tjerë, mos luani lojëra me ta. Këto do t’ju çojnë vetëm në varfëri, në probleme, në kaos siç e keni sot. Thjesht ndaloni këtë, ecni përpara, ecni së bashku me fqinjët tuaj, me të gjitha vendet europiane. Le të jemi aq të fortë sa të ndalojmë të gjithë tiranët në kontinentin tonë dhe së bashku do ta bëjmë këtë, sepse vlerat tona janë me të vërtetë forca jonë. Unë vërtet besoj në këtë. Ditë e madhe. Kosova është Europë”, përfundoi fjalimin deputeti ukrainas.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës mund t’u japë shpresë armenëve të Karabakut për një të ardhme në atdheun e tyre historik”.

Me këtë arsyetim, deputeti i Armenisë, Armen Gevorgyan, i doli në krah të drejtës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës. Megjithatë, këtë nuk e bëri  pa u ankuar për standarde të dyfishta të Europës ndaj Kosovës dhe rajonit të diskutueshëm Nagorno-Karabak.

“Europa tradicionalisht është përpjekur të kapërcejë tërheqjen e paraleleve mes Kosovës dhe entiteteve të tjera të panjohura që aspirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje, për shembull Republikën e Artsakhut. Një qasje e tillë selektive ndaj vetëvendosjes dhe zbatimit të saj është bërë një nga burimet kryesore të paqëndrueshmërisë në kontinent. Në vend që të kthehej në një burim të rendit dhe drejtësisë ndërkombëtare, ai u bë një instrument i hapur për ndryshime gjeopolitike. Si Kosova ashtu edhe Nagorno-Karabaku në fillim të viteve 1990 kishin të drejtën e njëjtë legjitime për të ekzistuar. Ato kanë qenë entitete autonome brenda republikave socialiste. I gjithë absurditeti i situatës aktuale qëndron në faktin se si pjesë e Bashkimit Sovjetik totalitar, Nagorno-Karabaku kishte status autonom dhe vetëqeverisje, ndërsa në epokën e demokracisë dhe kuadrit më të gjerë europian, ai mbeti i panjohur dhe ndaj vendasve kishte spastrim etnik nga trojet e tyre amtare”.

Ai tha se qasjet selektive dhe standardet e dyfishta varen nga shkaku dhe pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare, për të cilat shtoi se stimulojnë tendencat autoritare dhe ulin standardet demokratike.

Gevorgyan kërkoi që të ngrihet paralelja me Kosovën dhe Nagorno-Karabakut.

“Me armenët do të duhet të rivendosim dhe të fillojmë shumë gjëra nga e para. Në radhë të parë, ne duhet t’u tregojmë elitave të reja dhe të ardhshme politike europiane për rrënjët e konfliktit të Nagorno-Karabakut dhe të bëjmë paralele me rastin e Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës mund t’u japë shpresë armenëve të Karabakut për një të ardhme në atdheun e tyre historik. Nëse Europa sot tregon vullnet të fortë për të miratuar një kornizë të re për mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës, besoj se e njëjta Europë duhet të gjejë mundësi për të lehtësuar kthimin kolektiv të armenëve në atdheun e tyre historik në Nagorno-Karabakh. Këshilli i Europës duhet t’i bashkohet Parlamentit Europian në përpjekjet për t’i ndihmuar ata të përcaktojnë të ardhmen e tyre politike dhe të ushtrojnë vetëqeverisjen e tyre demokratike nën garanci të forta ndërkombëtare të sigurisë. Shpresoj që Këshilli i Europës, duke siguruar pavarësinë e Kosovës, mund të riafirmojë edhe përkushtimin e tij për mbrojtjen dhe ruajtjen e të drejtave themelore politike pa një qasje selektive”.

Foto: Deputeti i Rumanisë, Iulian Bulai, gjatë fjalimit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments