Wednesday, April 24, 2024
HomeLajmeKosovaKëpucët e hetuesve të policisë shkojnë për hetim në hetuesi

Këpucët e hetuesve të policisë shkojnë për hetim në hetuesi

Policia e Kosovës po kërkon të blejë këpucë elegante për një pjesë të stafit të hetuesisë dhe menaxhmentit të saj.

 

“Furnizim me këpucë elegante”, quhet tenderi i Policisë së Kosovës ku po kërkohet që të blihen 27 palë këpucë elegante për menaxhmentin e PK-së dhe 2400 palë këpucë elegante për hetuesit policor.

Ky furnizim është menduar të bëhet përgjatë tri viteve. Por, pasi qëndroi për tre muaj i hapur, prokurimi i PK-së vendosi që të anulojë këtë thirre, duke konsideruar se nuk pati oferta sipas kërkesave të tyre.

Por, kështu nuk mendon pronari i kompanisë N.P “A & V -Collection”, Sabit Makiqi.

Ai po pretendon se tenderi u anulua vetëm se kompania “Solid” nuk doli më e lira, e cila sipas tij merrte tenderët në polici, derisa ka thënë se kompania e tij ka qenë e përgjegjshme në të gjitha pikat kontestuese, por është eliminuar qëllimshëm.

Sabit Makiqi ka thënë për lajmi.net sa ka bërë disa kallëzime penal për shkelje ndaj zyrës së prokurimit të Policisë së Kosovës.

“U jemi adresuar të gjitha instancave për sundimin e ligjit. Kemi adresuar kërkesën tonë edhe në Inspektorat Policor të Kosovës për hetim lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ana e AK-së. Po ashtu i jemi adresuar Prokurorisë dhe Gjykatës”, tha shkurt Makiqi.

Menjëherë pas vendimit të policës për anulim të procedurës, ai është ankuar tek zyra e prokurimit, por që nuk i është marrë parasysh dhe më pas në Organin Shqyrtues të Prokurimit ku ka paraqitur faktet e veta. Por, ky tender tash është bllokuar në OSHP, dhe nuk do të mund të procedojë në asnjë formë prokurimi i policës, derisa të shqyrtohet nga paneli i këtij organi, ndërkohë dihet se, që një muaj ky institucion është pa panel shqyrtues pasi u ka skaduar mandati, derisa Bordi i ri nuk është zgjedhur akoma.

Për këtë tender kanë qenë tri oferta pjesëmarrëse: 1. “Arjani&Ademi” Shpk me ofertë 116.685,00 euro, 2. “Sabit Makiqi B.I” me ofertë 71. 637,00 euro, 3. “Solid” Shpk me ofertë 78.573, 00 euro. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 121 620,00 euro.

Në ankesën e tij që e ka bërë në OSHP, të cilën ua ka drejtuar edhe organeve tjera të rendit, pretendon se komisioni i ofertës ka bërë një mori shkeljesh të Ligjit të Prokurimit Publik.

“Pretendimi i 1 i AK –policia e Kosovës ka vepruar në kundërshtim me nenin 59 të LPP-s pasi na ka eliminuar pa të drejtë kur na ka dërguar arsyet për eliminim. Arsyet e eliminimit janë në kundërshtim me Aneksin 1 të Dosjes se tenderit. Nga AK janë kërkuar që këpucët të mos rrëshqasin dhe bëjnë zhurmë gjatë ecjes: kurse mostrat e ofruara nga OE bëjnë zhurmë gjatë ecjes. Ne nuk pajtohemi me ketë arsyetim të eliminimit, pasi këpucët janë me gomë për fundi që nuk rrëshqasin dhe nuk bëjnë zhurmë. Shikoni fotografitë qe u janë bërë mostrave gjatë qasjes në dokumente me zyrtaren e AK-së së bash”, thuhet në arsyetimin e kompanisë ankuese e cila ka publikuar dhe fotografinë.

Arsyetimi i dytë i eliminimit të kësaj kompanie ka qenë se “lartësia e këpucës nga ana e thembrës prej pjesës së fundme te takat e deri te pjesa e epërme e lëkurës duhet të jetë 8.0 cm deri në 9.0 cm, kurse ishte konstatuar se kompania kishte ofertuar me 9.5 cm.

“Ne nuk pajtohemi me ketë arsyetim, pasi gjatë qasjeve në dokumente zyrtare i kemi bërë matjet e këpucëve për hetuesit policor së bashku me zyrtaren e prokurimit dhe kjo nuk qëndron në eliminim. Shikojeni foton e matjeve që është 9 cm. Këto matje janë vërtetuar edhe nga Laboratori që janë bërë Atestet e këpucëve dhe lidhëses, kurse AK bije ndesh me Atestin”, shkruhet tutje në ankesë.

Po ashtu, arsye tjetër e eliminimit është cekur se gjatësia e lidhëseve të jetë 70 deri 80 cm dhe të jenë rezistente ndaj ujit, pikë të cilën kompania thotë se e ka plotësuar brenda kërkesës. Po ashtu edhe lidhëset për menaxhmentin policor janë kërkuar 70-80 cm. “Ne kemi ofertuar me 76 cm, mund të shikoni foton që e kemi realizuar bask me zyrtaren e prokurimit. Këtë e ka konfirmuar edhe laboratori”, ka insistuar kompania ankuese duke publikuar një tjetër fotografi.

Ndërsa në arsyetimin e tretë për eliminim AK ka shkruar se ‘janë kërkuar dy lloje të ndryshme të këpucëve, kurse OE ka ofertuar llojin e njëjtë, por me çmime të ndryshme”. Ky, arsyetim sipas kompanisë ankuese është konfuz, pasi specifikimi teknik është identik i dy artikujve vetëm të lidhësja është ndryshimi që është kërkuar më e gjatë.

“Shikoni fotografit që i kemi dorëzuar për katër palë këpucë, dy për një artikull, dy për një artikull. AK i policisë ka bërë diskriminim ndaj kompanisë sonë pasi i kemi plotësuar Kriteret e vlerësimit që janë kërkuar në dosje të tenderit dhe në Aneksin A, mirëpo ky anulim është bërë më qëllim vetëm pse ne jemi me çmim më të lirë se kompania Solid. Anulimi është bërë pasi dikush nga AK ka interes në këtë kompani, pasi çdo tender që jemi më të lirët, AK na eliminon pa të drejt ose e anulon krejt tenderin, ndërsa kur oferton kompania tjetër e rekomandojnë për kontratë edhe pse ndodhsha nuk i plotëson kriteret. Pra eliminimi na është bërë pa bazë ligjore dhe në kundërshtim me Laboratorin e certifikuar, pasi janë bërë atestet- matjet e lidhës, matjet e lartësisë së këpucës dhe kërkojmë nga OSHP që të na aprovojë kërkesën që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim”, thuhet në fund të kërkesës së kësaj kompanie.

Megjithëkëtë, kjo kërkesë nuk pritët të trajtohet të paktën edhe disa muaj, rrjedhimisht edhe policia do të jetë e detyruar të pres një vendim të panelit të ri shqyrtues.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments