Monday, May 6, 2024
HomeLajmeKosovaKamberi: Nuk është hera e parë që Serbia synon ta destabilizojë rajonin

Kamberi: Nuk është hera e parë që Serbia synon ta destabilizojë rajonin

Serbia muajin tjetër mban zgjedhjet parlamentare. Për dallim nga zgjedhjet e vitit 2020, kur shqiptarët e Luginës së Preshevës u paraqitën me një listë të përbashkët, në zgjedhjet e 3 prillit shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit duke pasur dy opsione; Koalicionin e Shqiptarëve të Luginë dhe Alternativën për Ndryshim.

Ish-deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, tani bartës i listës Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, Shaip Kamberi, tha se zgjedhjet parlamentare në Serbi gjithmonë kanë qenë sfidë për partitë politike shqiptare atje.

“Fatkeqësisht nuk kemi një listë të përbashkët, shkojmë me dy lista të ndara. Ne synojmë të kemi tri mandate në Parlamentin e Serbisë dhe ligji e mundëson këtë”, tha ai për RTK’në.

Qeveria e Serbisë ka vendosur që një pjesë e serbëve të Anamoravës, nga ana e Kosovës, të votojnë në Bujanoc, dhe kjo mund të ndikojë në destabilizimin e Bujanocit.

“Nuk e kuptoj pse qeveria e Serbisë i ka sjell serbët të votojnë pikërisht këtu, e jo në vendbanime serbe. Kjo mund ta rëndojë situatën këtu, në ditën e zgjedhjeve”, tha ai.

Ndërsa, sa i takon vendimit të Qeverisë Kurti, që të ndalojë mbajtjen e votimeve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë në Kosovë, Kamberi thotë se beson që qeveria e Kosovës, së bashku me miqtë ndërkombëtar, i ka shqyrtuar dhe analizuar mirë pasojat që do të sillte mbajtja e votimeve serbe në Kosovë.

Kurse lidhur me paralajmërimin e serbëve se do të tërhiqen nga institucionet e Kosovës, Kamberi thotë se kjo tashmë nuk është asgjë e re.

“Nuk është hera e parë që Serbia synon ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga Bosnje e Hercegovine, Mal të Zi e tash edhe në Kosovë, dhe të imponojë ndikimin serb, si thonë ata me fjalorin e ri politik, “bota serbe”, tha ai.

Kamberi thotë se kjo duhet të parë edhe si tentativë e Aleksandër Vuçiqit që të mbledh sa ma shumë vota në Kosovë, të nacionalistëve serbë të ekstremit të djathtë.

Ai kritikoi qeverinë serbe edhe për pasivizimin e adresave të shqiptarët, gjë që ka ndryshuar strukturën e banimit në Bujanoc dhe kjo do të ndikojë edhe në përfaqësimin rajonal dhe qendror të shqiptuarve atje.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments