Sunday, May 19, 2024
HomeLajmeKosovaKamala Harris falënderon Kosovën për strehimin e afganëve

Kamala Harris falënderon Kosovën për strehimin e afganëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S.,Kamala Harris.

 

Partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede. Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë.

Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Presidentja Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash. Presidentja Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë.

Ndërkaq, zëvendëspresidentja Harris theksoi se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë.

“Zv. Presidenja Harris shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës. Gjatë bisedës, zv. Presidentja Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonies nga ana e Presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në këtë shkëmbim të parë ndërmjet të dy lidereve, presidentja Osmani shfrytëzoi rastin që edhe njëherë ta urojë zv.presidenten Harris për emërimin në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo theksoi se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike. Tutje, ajo theksoi se emërimi i Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Puna dhe angazhimi i saj, sipas Presidentes Osmani shërbejnë si inspirim dhe për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes anë e mbanë botës.

Presidentja Osmani e ftoi Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments