Wednesday, October 21, 2026
HomeLajmeKosovaIsmaili e Zemaj dyshojnë për keqpërdorim të buxhetit të shëndetësisë: Pacientët po...

Ismaili e Zemaj dyshojnë për keqpërdorim të buxhetit të shëndetësisë: Pacientët po vuajnë

Mungesa e barnave, listat e gjata të pritjes për shërbime shëndetësore, keqmenaxhimi i buxhetit dhe ndërhyrjet në proceset e tenderimit janë disa nga vërejtjet kryesore që ish-ministrat e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Armend Zemaj, kanë ndaj atij aktual, Arben Vitia edhe pse vitin e kaluar dikasterit që ai drejton iu ndanë 105 milionë euro nga Qeveria.

Për ish-ministrin Uran Ismaili, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), mungesa e barnave është një problem i vazhdueshëm, i cili sipas tij nuk është zgjidhur pavarësisht deklarimeve të Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për buxhetin e lartë të ndarë për këtë sektor.

Madje, ai nënvizon se qytetarët po përballen me vështirësi financiare dhe emocionale, pasi shpesh detyrohen t’i blejnë vetë barnat, ndërsa nuk kanë siguri nëse do t’i gjejnë ato në momentin kur kanë nevojë.

“Ky është një problem shumë i madh, i cili është duke ndodhur me vite edhe pse kemi pasur një proklamim të Qeverisë, e sidomos të Ministrisë së Shëndetësisë, që buxheti është historik, është shumë buxhet i lartë. Mirëpo, kjo nuk është përkthyer në, si me thënë, ilaçe të cilat kanë nevojë qytetarët tanë. Kanë një mungesë të madhe. Çdo ditë dikush poston për mungesën e ilaçeve dhe, me treguar të drejtën, është një barrë financiare dhe emocionale shumë e madhe për familjet, sepse ekzistojnë dy probleme: E para, ekzistojnë probleme që njerëzit nuk kanë mjaftueshëm financa.

Dihet sa janë rritur çmimet, dihet sa është rritur inflacioni dhe njerëzit nuk kanë paga e financa të mjaftueshme për t’i blerë ato ilaçe. Zakonisht hyjnë në borxhe për të mundur t’i mbulojnë. Dhe e dyta është edhe ngarkesa emocionale: a do ta gjej ilaçin apo nuk do ta gjej? Pra, është diçka që është e garantuar nga shteti me ligj. Është dashur që të jetë pa asnjë pengesë në duart e pacientëve tanë apo në institucionet tona shëndetësore. Mirëpo, ngecja është një dështim jashtëzakonisht i madh. Dhe, si me thënë, rezultati i këtij dështimi janë vetë ankesat e mëdha të qytetarëve. Kështu që, me treguar të drejtën, këtu të mos i shohim vetëm ankesat, por edhe qytetarët, sepse ata janë vetë treguesi i fuqishëm i shkallës së dështimit në këtë hallkë të sektorit të shëndetësisë”, tha Ismaili.

 

 

Për këto problematika në shëndetësi, ish-ministri Ismaili ka bërë të ditur se për këtë arsye është kërkuar që në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë të ftohen drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) dhe ministri i Shëndetësisë, në mënyrë që të sqarohen arsyet e mungesës së barnave dhe ngecjet në sistem.

“Po, kjo ka qenë arsyeja pse kemi kërkuar ta ftojmë drejtorin e ShSKUK-së, që të shohim saktësisht se ku janë ngecjet. Pra, a ka keqplanifikim? A ka abuzim? A ka çmime më të shtrenjta? A ka probleme të tjera të cilat ne nuk i dimë? Mirëpo, këto nuk i interesojnë qytetarit. Çfarë i intereson qytetarit? Në kohën kur ai ka nevojë për ilaç, kur familja duhet të dalë jashtë e ta blejë ilaçin, i intereson që ta ketë ilaçin në kohën e duhur. Prandaj, të gjitha këto të tjerat janë arsye të tjera. Edhe nëse thoni: ‘Po, është një keqplanifikim’, edhe këto janë arsyetime. I ke paratë, por pse nuk i ke rezultatet? Kjo është ajo që duhet të pyetet, nëse jemi deputetë. Qytetari duhet të ketë një shërbim për të cilin nuk ka kokëçarje të vazhdueshme: a mund të mbledh para, a mund të mbledh euro të caktuara për ta blerë një ilaç dhe, mandej, kur i kam paratë, a mund ta gjej atë ilaç apo ta blej kontrabandë? Pra, këto nuk janë probleme që duhet t’i ketë qytetari. Kështu që ne e kemi ftuar drejtorin e ShSKUK-së dhe ministrin e Shëndetësisë që të vijnë. Kërkesa jonë për t’i ftuar nuk u votua. Pra, kërkesa jonë u refuzua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Mirëpo, ne do të vazhdojmë të kërkojmë që ata të vijnë në komisionin përkatës parlamentar dhe të përgjigjen”, theksoi Ismaili.

Sipas tij, mungesa e barnave dhe listat e gjata të pritjes mund të jenë rezultat i mungesës së investimeve, por edhe i keqmenaxhimit të institucioneve shëndetësore. Ai ka kërkuar transparencë nga drejtuesit e institucioneve, në mënyrë që të identifikohen problemet dhe të ndërmerren masa konkrete.

“Po, mund të jenë të dyja. Pra, mund të jenë si pasojë e mungesës së investimeve, ashtu edhe e keqmenaxhimit, mungesës së vizionit, mungesës së disiplinës dhe mungesës së ambicies për ta përmirësuar sistemin shëndetësor, në mënyrë që të mos ketë lista pritjeje dhe të gjitha ilaçet të jenë në dispozicion. Prapë, sa herë që ka listë pritjeje, tendenca është që ajo listë të shkojë drejt spitaleve private, ku paguhen mijëra euro. Prandaj, duhet të shihet drejt se pse ka lista pritjeje: a janë rezultat i dëshirës për të abuzuar, i krijimit të korrupsionit pasiv apo i mungesës së investimeve? Të gjitha këto janë probleme, por duhet ta dimë se për çfarë problemi bëhet fjalë, në mënyrë që të kemi mundësi ta zgjidhim. Në momentin kur i fsheh problemet dhe nuk dëshiron të jesh transparent e të raportosh, atëherë je përgjegjës për të dyja: si për dyshimet për korrupsion, ashtu edhe për keqmenaxhimin. Kështu që është shumë e rëndësishme që udhëheqësit e institucioneve dhe qeveritarët, ata që janë vendosur aty politikisht, të vijnë e të raportojnë para Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, në mënyrë që ta dimë problemin. Në të kundërtën, politika po fshihet, pengesat po fshihen dhe barra më e madhe po i bie qytetarëve. Shpenzimet më të mëdha po i përballojnë familjet në Kosovë dhe kjo po ndodh prej disa vitesh me radhë. Andaj, i ftoj të gjithë që të jenë transparentë dhe të vijnë të raportojnë. Në të kundërtën, ne do ta ngremë zërin tonë në çdo formë dhe në çdo mënyrë që kemi në dispozicion”, potencoi ai.

Zemaj: Buxheti për shëndetësi është keqpërdorur

Në të njëjtën linjë me Ismailin sa u përket kritikave për keqmenaxhimin e sektorit të shëndetësisë është edhe ish-ministri tjetër Armend Zemaj, i cili tash mban pozitën e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Zemaj, në një bisedë për Ekonomia Online, ka kritikuar menaxhimin e sektorit shëndetësor, duke ngritur shqetësime për keqmenaxhimin e buxhetit, ndërhyrjet në listën esenciale të barnave dhe dyshimet për interesa financiare të lidhura me kompani farmaceutike.

“E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi dhe kemi theksuar se kemi të bëjmë, së pari, me keqmenaxhim, por edhe me interesa financiare që dyshohet se janë të ndërlidhura me kompani të ndryshme farmaceutike, me ndërhyrje në listën esenciale të barnave dhe me keqpërdorim të tenderëve, për t’ua dhënë kompanive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar vonesa, por edhe e kanë rënduar jetën e pacientëve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Zemaj.

Për Zemajn, rritja e buxhetit nga Qeveria nuk ka sjellë rezultatet e pritshme për pacientët. Ai ia atribuon këtë paaftësisë së Qeverisë dhe mungesës së përgjegjësisë në menaxhimin e sektorit.

“Të gjitha këto së bashku, sepse paaftësia e Qeverisë dhe mungesa e vëmendjes ndaj këtij sektori shumë të rëndësishëm dhe vital, për të mos thënë papërgjegjësia e plotë në menaxhimin e buxhetit, i cili kohë pas kohe ka qenë në rritje, por është keqpërdorur, po kthehen sërish në disfavor të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës”, shtoi ish-ministri.

Deputeti i LDK-së insiston se buxheti për shëndetësinë nuk është i mjaftueshëm. Megjithatë, ai ka shtuar se menaxhimi më i mirë i mjeteve financiare, respektimi i afateve të furnizimit dhe administrimi i duhur i stokut të barnave do të mund të krijonin kushte më të mira për pacientët.

“Jo, nuk është i mjaftueshëm dhe asnjëherë nuk ka qenë i mjaftueshëm. Por, nëse menaxhohet mirë, nëse respektohen afatet e furnizimit, nëse respektohet menaxhimi i stokut dhe nëse menaxhohet në mënyrë të duhur trajtimi i pacientëve, atëherë mund të krijohen kushte dhe rrethana më të mira për qytetarët dhe pacientët që marrin shërbime në institucionet publike shëndetësore. Por, kur kemi keqmenaxhim, keqpërdorim, ndërhyrje në tenderë dhe interesa personale të njerëzve të lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me pushtetin, atëherë as buxheti nuk është i mjaftueshëm”, shtoi ai.

Më tej, Zemaj ka akuzuar pushtetin për ndërhyrje në punën e profesionistëve shëndetësorë dhe për emërimin e personave që, sipas tij, nuk i kanë kompetencat e nevojshme për drejtimin e institucioneve shëndetësore.

Ai pretendon se këto ndërhyrje kanë ndikuar në krijimin e listave të gjata të pritjes, të cilat, sipas tij, po i shtyjnë pacientët drejt institucioneve private shëndetësore.

“Ky pushtet ka ndërhyrë në vazhdimësi në punën e profesionistëve shëndetësorë, duke ndërhyrë te drejtorët e klinikave, duke emëruar njerëz jo kompetentë dhe duke larguar njerëz me grada shkencore dhe përvojë menaxheriale. Për këtë arsye janë krijuar edhe listat e gjata të pritjes, të cilat janë në favor të institucioneve private shëndetësore. Jo pse ne kemi diçka kundër tyre, por duket se ka interesa të brendshme, të lidhura me partinë në pushtet, të cilat kanë këmbëngulur më shumë në ngritjen e kapaciteteve dhe rritjen e buxhetit të tyre personal në institucionet private shëndetësore sesa në eliminimin e listave të pritjes dhe në ndihmën ndaj pacientëve dhe qytetarëve që marrin shërbime në institucionet publike shëndetësore”, përfundoi ish-ministri.

Njerëzi, dy ish-ministrat që kanë drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë në periudha të ndryshme kanë kërkuar që drejtuesit e institucioneve shëndetësore dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë të raportojnë para Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, në mënyrë që të sqarohen arsyet e mungesës së barnave dhe të listave të gjata të pritjes.

Sipas tyre, transparenca dhe identifikimi i problemeve në menaxhimin e sektorit janë të domosdoshme për përmirësimin e shërbimeve publike shëndetësore dhe lehtësimin e barrës financiare që po përballojnë pacientët dhe familjet e tyre në Kosovë.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments