Wednesday, November 6, 2024
HomeTop LajmetHerë në ministri e herë në gjykatë| Kush janë 4 ministrat e...

Herë në ministri e herë në gjykatë| Kush janë 4 ministrat e Kurtit me aktakuzë

Ish-zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Qazim Rrahmani, thotë se u përball me presion shumë më të madh medial pas emërimit në qeveri sesa ish-kolegët e tij ministra nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, që kanë probleme me ligjin, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Unë mendoj që disa media nuk guxojnë as emrin atyre t’ua përmendin”, thotë Rrahmani.

Rrahmani u emërua në pozitën e zëvendësministrit të Financave, Punës dhe Trasnfereve më 1 prill dhe dha dorëheqje pas vetëm pesë ditësh.

Lajmi për emërimin e Rrahmanit në pozitën e zëvendësministrit nxiti reagime të shumta të opinionit publik, për shkak se ky i fundit në tetorin e vitit 2018 ishte dënuar për keqpërdorim të parasë publike.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Rrahmani nuk tregon nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kërkuar dorëheqjen, por si arsyetim të largimit nga qeveria e përmend forcimin e partisë së tij, Partia e Ashkanlive për Integrim.

“Unë me ligjin jam i pastër si loti për arsye se unë nuk kam asnjë aktakuzë, asnjë vepër penale, nuk kam asnjë të kaluar kriminale. Ka qenë një vendim i inskenuar politikisht, i matur politikisht. Ka kaluar ajo dhe unë që pesë vjet nuk kam të bëj asgjë me ligjin”, tha Rrahmani.

Rrahmani akuzohej nga Prokuroria se gjatë periudhës qershor 2015 e deri në janar 2016, nga kartela zyrtare bankare, e destinuar për udhëtime jashtë vendit, ka nxjerrë shumën prej 12.363.40 euro, pa pasur aprovim për udhëtime zyrtare.

Gjykata kishte dënuar me gjashtë muaj burgim, mirëpo, me pëlqimin të tij, dënimi iu zëvendësua me dënim me gjobë në vlerë prej 3.000 eurosh.

Rrahmani nuk është i vetmi që kishte telashe me ligjin

Liburn Aliu, Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla e Arbëria Nagavci që të gjithë ministra në qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, kanë aktakuza aktive.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e kuptoi se ka aktakuzë ditën e tij të parë të punës.

Ai tha se nuk ishte në dijeni se ka ndonjë aktakuzë të ngritur nga Prokuroria.

Siç bëri të ditur Prokuroria, Aliu, akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Më 6 prill, Aliu dhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast u paraqitën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, por seanca fillestare dështoi.

Kurti hesht për aktakuzën ndaj ministrit të tij

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe vetë kryeministri, Albin Kurti para tri vjetësh u dënuan në një proces gjyqësor “për përdorim të armës dhe pengim të personit zyrtar”.

Haxhiu u dënua për veprën “përdorim të armës” si dhe “pengim të personit zyrtar” me dënim unik prej një vit e tre muaj burgim me kusht.

Asokohe edhe Albin Kurti, që ishte deputet, u dënua me dënim unik prej një vit e gjashtë muaj burgim me kusht.

Por, ministrja Haxhiu po përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor që po ashtu lidhet me aktivitetin e saj sa ishte deputete e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu dyshohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Dy ministrat e tjerë, ai i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ajo e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë aktakuza për veprën penale “përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar”.

Të gjitha këto aktakuza, duke përjashtuar aktakuzën ndaj Liburn Aliut, lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe si dhe seancën e zgjedhjes së Hashim Thaçit në pozitën e presidentit të Kosovës.

Qeveria hesht ndaj presionit publik

Më 6 prill, Radio Evropa e Lirë i ka dërguar disa pyetje në qeveri për të pyetur se çfarë do të ndodhë nëse dënohen ministrat që kanë aktakuza.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk i është përgjigjur interesimit të REL-it, as në telefon e as përmes email-it.

Kandidatët me probleme ligjore, standard i partive politike

Por, për këtë çështje ende nuk është deklaruar as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në paraqitjet e tij para mediave, Kurti deri më tani u është shmangur pyetjeve për këtë çështje.

Shoqëria civile: LVV-ja është dashur të mbajë premtimin për ministra pa aktakuza

Erblin Hoxha, koordinator i projekteve në “Lëvizjen FOL”, thotë se partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar vazhdimisht se nuk do të emërojë ministra që kanë të kaluar kriminale apo që kanë aktakuza aktive.

“Emërimi i tyre në këto pozita, së paku prej parimeve themelore që i ka vendosur Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të duhej së paku të ishin ministra derisa nuk zgjidhet ky problem dhe nuk merret një vendim”, thotë Hoxha.

Megjithatë sipas Hoxhës, aktakuzat e ministrave të tjerë dallojnë nga ajo e ministrit Liburn Aliu, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetet zyrtar.

Hoxhaj thotë se pavarësisht se LVV-ja ka shkelur parimet e proklamuara të një qeverie pa ministra të akuzuar, gjithsecili ministër është i pafajshëm derisa gjykata nuk i dënon.

“Ne nuk duhet të shkojmë patjetër dhe të besojmë që secili prej këtyre ministrave të emëruar duhet patjetër të dënohet sepse parimi i ligjshmërisë dhe aktakuzës është se secili është i pafajshëm deri në pikën kur shpallet fajtor”, thotë Hoxha.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, listës së Lëvizjes Vetëvendosje i munguan Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu pasi nuk u lejua garimi i tyre për shkak të dënimeve të shqiptuara nga gjykata.

Përkundër kësaj, Albin Kurti u bë kryeministër më 22 mars, kur qeveria e tij u votua me shumicë votash në kuvend.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments